
Megjithëse e njohur botërisht si shteti më problematik jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë, Serbia vazhdon që bashkësisë ndërkombëtare t’i mbajë leksione për demokracinë, për rolin e saj prijës në Ballkan dhe për kontributin e saj dhënë stabilitetit rajonal. Ndërkohë që, secila iniciativë që ndërlidhet me demokratizimin, me avancimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore, ose me afrimin e rajonit në BE, bllokohet ose sabotohet pikërisht nga vetë Beogradi.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, tashmë ndodhet në New York, ndërkohë që kur ky shkrim të jetë botuar, sigurisht që mbledhja e Këshillit tё Sigurimit tё OKB për Kosovën, e paraparë të mbahet më 22 janar, mbase do të ketë përfunduar.
Si zakonisht, megjithëse nga ana e mediave serbe u cilësua si lëvizje e befasueshme, në ulësen karshi ministrit Hyseni do sërish do të jetë i ulur presidenti serb, Boris Tadic.
Sipas gazetës serbe ‘Blic’, prania e domosdoshme e presidentit serb në New York erdhi si “reagim ndaj presioneve të shtuara që, në javët para kumtimit të mendimit të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, të rritet numri i shteteve që e kanë pranuar Kosovën”, por edhe si pasojë e “tentimit të ndryshimit të realitetit në terren, të cilin e paralajmëroi përfaqësuesi special i BE në Kosovë, Pieter Feith”.
Pra, fjalimi i presidenti serb do të jetë kundërshtimi i radhës, jo vetëm i iniciativës së fundit të përbashkët të BE dhe Prishtinës zyrtare për vënien nën kontroll të veriut të Kosovës, por edhe i deklaratës së para disa ditëve të sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban Ki-moon, për nevojën avancimit të bashkëpunimit rajonal të Serbisë, përfshirë debllokimin e iniciativave rajonale të Kosovës.
Edhe kësaj radhe Serbia si argument para Këshillit të Sigurimit do të përdorë shprehjen e stërharxhuar nga ana e saj, atë “të mbrojtjes së stabilitetit rajonal”, i cili tani, sipas presidentit serb, po kërcënohet edhe nga vetë përfaqësuesi i lartë i BE, Pieter Feith. Strategjia e këtij të fundit në fakt nënkupton funksionalizimin e institucioneve kosovare në veri të vendit, anarkia brenda të cilit paraqet pengesë për funksionimin e plotë të shtetit dhe të sundimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës, si dhe formimin e komunës së pjesës veriore të Mitrovicës, deri në muajin maj të këtij viti, për kur atje është paraparë mbajtja e zgjedhjeve lokale të Kosovës.
Ironikisht, me publikimin e strategjisë së fundit të Feith dhe Qeverisë së Kosovës për veriun, reagimi i parë zyrtar i Beogradit ishte që edhe ai të jetë partner në çfarëdo që mund të ndryshojë gjendjen në terren.
Për më tepër, vetëm një ditë para nisjes për në New York, Tadic nënvizoi se gjatë fjalimit të tij atje do të trajtojë edhe, siç tha, “kërcënimet luftënxitëse të presidentit kroat në largim, Stjepan Mesic”, i cili dit më parë deklaroi se në rast se Republika Serbe në BeH do të shpallte referendumin për ndarje nga Federata e BeH, ai pa hezitim do ta dërgonte ushtrinë në kufi me të, dhe do të ndërpriste korridorin e Brçkos, që lidh Banjallukën me Serbinë.
Të gjitha kontributet e Serbisë dhënë stabilitetit rajonal
Nuk nevojitet ndonjë njohuri e thellë e ngjarjeve në Ballkan, për të konkluduar se është pikërisht Serbia ajo që ka raporte jo të mira fqinjësore me pothuajse të gjitha shtetet e krijuara nga territori i ish-Jugosllavisë. Ajo ka marrëdhënie të tensionuara me BeH, shkaku i përzierjes së shpeshtë të Beogradit në punët e saj të brendshme dhe mungesës së kërkim-faljes për gjenocidin në Srebenicë; ka marrëdhënie të këqija me Kroacinë, për shkak se kjo e fundit kundër saj ka ngritur padi për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë; ka marrëdhënie të këqija me Malin e Zi, sepse ky i fundit, siç edhe i takon një shteti të pavarur, ka njohur Kosovën dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Prishtinën pa u konsultuar me Serbinë; ka probleme me Maqedoninë, për shkak të njohjes së Kosovës dhe të vendosjes së marrëdhënieve të ndërsjella diplomatike, por edhe për shkak të mosdefinimit të statusit të manastirit ortodoks maqedon Prohor Pcinjski, që ndodhet në kufirin serbo-maqedon.
Veç të gjitha këtyre kontributeve të pakontestueshme që Serbia pa hezitim dhe me këmbëngulje i jep stabilitetit rajonal, ajo ka disa çështje të pazgjidhura edhe brenda vetë territorit të saj shtetëror. Ka kohë që brenda Kuvendit të Serbisë dhe elitës politike në Beograd po zhvillohet një betejë e ashpër për pengimin e avancimit të statusit politik të Vojvodinës, e cila gjatë ish-Jugosllavisë gëzonte statusin e krahinës autonome, i cili iu suprimua gjatë kohës së Slobodan Milosevicit. Aspirata tjetër e saj është që edhe rajonin e Sanxhakut, i cili banohet nga komuniteti mysliman, ta ndajë në pesë zona, të cilat do t’iu përkisnin komunave ku dominon popullata serbe. Dhe e fundit është Lugina e Preshevës, e banuar me shumicë shqiptare, kërkesat e politikanëve shqiptarë të së cilës Beogradi vazhdon t’i mos i përfillë, edhe pse ato ndërlidhen me avancimin e pozitës së shqiptarëve brenda Serbisë, për dallim nga përfaqësuesit politikë në veri të Kosovës, që synim kanë secesionin nga Kosova.
Gjendja në “terren”
Përfaqësuesit e strukturave paralele serbe në veri të Kosovë, sigurisht që janë pala e vetme e trimëruar nga kjo politikë parimore rajonale serbe. Kjo, ngase ata vazhdojnë të theksojnë se “mbesin të vendosur” që të mos lejojnë zgjerimin e ndikimit të Prishtinës në këtë pjesë të banuar kryesisht me serbë.
Nënkryetari i “Kuvendit të Komunave të Kosovës dhe Metohisë”, Marko Jaksic, i cili sigurisht që do të jetë një të parëve që do t’i ndiejë pasojat e strategjisë së Feith dhe Thaçit për integrimin e kësaj pjese të Kosovës, situatën e sheh ngjashëm me mentorin e tij, Tadic. Sipas Jaksic, janë pikërisht “paralajmërimet për njëfarë integrimi” ato që i shtynë disa nga serbët që të dalin në zgjedhjet e paralajmëruara lokale kosovare në veri. Prandaj, “Hashim Thaçi dhe disa vende perëndimore, por edhe NATO dhe EULEX, tani mendojnë se mund ta integrojnë veriun e Kosovës dhe Metohisë”, mendon Jaksic, derisa sqaron se qëndrimi i Beogradit “i qartë dhe i vendosur”, ose do të vije deri te përçarja e serbëve dhe deri te dobësimi i rezistencës së serbëve në Kosovë.
Edhe ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic, mendon në vijë të njëjtë me të, sepse edhe sipas Jeremic “paralajmërimet provokuese” për integrimin e pjesës veriore në institucionet e Kosovës nuk i kontribuojnë qetësimit dhe stabilizimit të situatës “serioze dhe të ndërlikuar”.
“Paralajmërimet provokuese të institucioneve ilegale në Prishtinë, si dhe organizatave ilegale ndërkombëtare, siç është e ashtuquajtura Zyra Civile Ndërkombëtare, janë diçka që s’mund ta qetësojnë dhe të stabilizojnë situatën në terren”, ka deklaruar “gardiani” i stabilitetit rajonal, Jeremic, pak para nisjes së shefit të tij në New York.
E nëse gjithë kësaj storie ia shtojmë edhe shantazhin që Tadic ia bëri presidentit të sapozgjedhur kroat, Ivo Josipovic, për mospjesëmarrje në inaugurimin e tij nëse atje ftohet presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, bëhet edhe më e qartë se për çfarë marrëdhënie ndërfqinjësore angazhohet Serbia, e për çfarë të gjithë të tjerët përreth.
Cilitdo pushtet serioz do ta ndryshonte kursin e tillë politik, ose, të paktën, do të ulëte zërin për kinse pretendimet se po mbron dhe kultivon vlera evropiane në rajon. Por tragjedia është se, përderisa presidenti Tadic i kundërshton zyrtarisht veprimet e BE në Këshillin e Sigurimit, ndërsa kryediplomati i tij Zyrën e BE në Prishtinë e quan ilegale, pasojat e këtyre veprimeve vazhdon të mos i bart dueti në fjalë, por rajoni.
E Premte, 22 Janar 2010