
Legalizimi i objekteve informale do të përfundojë brenda vitit 2013. Drejtori i Agjencisë së Urbanizimit dhe Legalizmit të Objekteve Informale, Ardian Kollozi theksoi se brenda vitit 2013 do të mbyllet problematika e rreth 240 mijë rasteve, të ndërtimeve të paligjshme.
Kollozi bëri të ditur se po punohet me ritme të shtuara, me qëllim përmbylljen sa më parë të procesit. Sipas tij, qëllimi i agjencisë në këtë kohë është lëshimi i rreth 2500 lejeve të legalizmit për çdo javë. Aktualisht, sipas tij, janë në total 270 mijë vetëdeklarime në rang vendi, të cilat janë studiuar e përzgjedhur sipas ligjit.
Sipas kreut të ALUIZN-it, në krye të listës për lejet e munguara të ndërtimit qëndron qyteti i Tiranës e më pas qytetet e tjera urbane. Kollozi theksoi gjithashtu se Agjencia është duke punuar me ritme maksimale, ndërsa janë marrë masa për lëshimin e faturave të legalizimit brenda dy ditëve. "Eshtë e nevojshme që të mos vonohet pagesa e faturës financiare", tha Kollozi.
Kollozi i ka bërë thirrje të gjithë ndërtuesve informalë të bëjnë pagesën e faturës financiare me qëllim që të përfitojnë ligjërimin e ndërtimit të tyre brenda 48 orësh. Në këtë mënyrë, Drejtoria e Përgjithshme e Legalizimeve paralajmëron se për ata që nuk plotësojnë të gjitha hapat e procesit brenda 2013-ës, nuk do të ketë më shtyrje afati dhe nuk do të kenë mundësi të ligjërojnë ndërtimet e tyre.
Sa i takon objekteve të cilat janë ndërtuar pas daljes së ligjit për legalizimin, që është viti 2006, Kollozi shprehet se këto ndërtime janë objekt i ligjit, mbi të cilin funksionon Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit.
Sipas një studimi të Bankës Botërore, bëhet fjalë për rreth 80 mijë objekte informale, të cilat janë ndërtuar pas hyrjes në fuqi të ligjit për legalizmin e objekteve informale.
E Hene, 02 Korrik 2012