0030 210 33 18 483

Edith Piaf, këngëtarja e pavdekshme franceze lindi më 19 dhjetor...

Robert Goro 19 Dhjetor 2018

Edith Giovanna Gassion u lind më 19 dhjetor 1915, në rrugët e Parisit –në lagjen e punëtoreve Belleville. I jati ishte akrobat, ndërsa e jëma–që e braktisi beben qysh në lindje- këndonte rrugëve për të nxjerrë bukën e gojës. Pas thirrjes nën armë të të jatit, Edithi u rrit në një bordel në Normandi, që e drejtonte gjyshja e vet. Në moshën 3-4 vjeçe, humbi shikimin për shkak të një infeksioni të kornesë [1]. Shikimi iu rikthye pas dy vitesh dhe u tha se ishte pasojë e një mrekullie; prostitutat e bordelit kishin shtënë para dhe e çuan vogëlushen në një pelegrinazh për nder të Shën Terezës së Lisusë.

Duke u rritur, ndihmonte të jatin në numrat e akrobacisë, por më shumë këndonte rrugëve, për ta siguruar vetë kafshatën e gojës. Në moshën 17 vjeçe, detyrimet e saj shtohen, pasi tashmë ka për të mbajtur edhe vajzën që solli në jetë, Marselën – një barrë mjaft e vështirë, jo vetëm për shkak të gjendjes së mjeruar ekonomike, por edhe pse instikti i nënës tek ajo thuajse nuk ekzistonte. Por vogëlushja nuk do të jetonte më shumë se dy vjeç, vdiq nga meningiti.

Në kulmin e dëshpërimit, vazhdon të këndojë rrugëve; tashmë është afruar te Shamps Elise, aty ku ka më shumë njerëz të ngeshëm dhe rrjedhimisht më të prirë që ta fusin dorën në xhep për të nxjerrë lëmoshën. Aty e gjen një ditë prej ditësh, më 1935, Lui Leple, drejtori i kabaresë më luksoze të kohës “Le Gerny’s”. I befasuar nga zëri i këngëtares, ai nuk heziton aspak, i ofron menjëherë skenën e kabaresë. Por më parë duhet transformuar, duke filluar madje nga emri. Për hir të impresionit të parë, si një zog i trembur mes të ftohtit, Leple e pagëzon me emrin “La Momme Piaf” që në një përkthim të lirë do të thotë “harabeli i vogël”. Publiku në fillim e pret ftohtë, por në përfundim të mbrëmjes ngrihet në këmbë duke brohoritur në kor për harabelin këngëtar, emri i të cilit shumë shpejt u përhap në gjithë Francën.

Në fillim të 1936-s qarkullon disku i saj i parë, “Les Momes de la Cloche”. Pak më vonë, vritet në apartamentin e tij Lui Leple; ndër ata që merren në pyetje nga policia është dhe Harabeli. Shtypi i etur për sensacione, spekulon se ajo është autore e vrasjes. Ndërsa gjendja e saj psikologjike është shumë e rëndë, i gjendet në krah poeti Raymond Asso, që e ndihmon të ringrihet, duke bërë një startim të ri. Që të flakë namin e hapur për shkak të çështjes Leple, e ndryshon sërish emrin, por vazhdon të mbetet “harabeli”. Tash e tutje quhet Edith Piaf. Bashkë me ristartimin midis të dyve fillon dhe një dashuri e zjarrtë, që zgjat tre vjet. Në 1939 Asso mobilizohet dhe shkon në front; Piaf e zëvendëson menjëherë me aktorin komik Paul Meurisse, një marrëdhënie plot tension dhe shpërthime të dhunshme. Në 1941, ndërsa po xhironin bashkë me Merisse-në filmin “Monmartre -sur- Seine”, bie në dashuri me poetin dhe kritikun Henri Contet. Tre vjet më vonë, në kabarenë Moulin Ruge, ku këndonte n’atë kohë, vjen një këngëtar i ri, Yves Montand; dashuria është e rrufeshme...

Ndërkohë ka krijuar një miqësi të fortë me një nga simbolet e inteligjencies pariziane, shkrimtarin dhe artistin Jean Cocteau, i cili do të shkruajë dhe një pjesë teatrale enkas për Pafin, që ajo do të interpretojë me shumë sukses.

Në Parisin e pushtuar nga Gjermanët, Edith Piaf pëlqehet njëlloj dhe nga bashkatdhetarët, edhe nga okupatorët. Pas lufte rrezikoi të konsiderohej kolaboracioniste, mirëpo pjesëtarë të rezistencës deponuan në komisionin e lustracionit, se gjatë koncerteve që Pafi jepte nëpër burgje, dilte fotografi me të burgosur, dhe më pas ato fotografi përdoreshin që t’u bëheshin dokumenta falco aktivistëve që arratiseshin nga burgu. Në atë kohë, dashuria e saj e re e ka emrin Norbert Glanzberg, një pianist e kompozitor polak me origjinë çifute; së bashku kompozojnë një këngë proteste, të titulluar “Ku janë miqtë e mi të vegjël”. Vazhdon ta këndojë atë këngë, me gjithë insistimin e autoriteteve gjermane që ta heqë nga repertori i saj.

Përfundimi i luftës i mundëson turneun e parë përtej oqeanit; është viti 1946. Ajo femër imcake veshur me të zeza, e lë krejtësisht indiferent publikun në teatrin Playhouse në Broduej. E zhgënjyer dhe e dëshpëruar, Edith Piafi pret menjëherë biletën e kthimit. Por po atë ditë, në gazetën New York Herald Tribune, botohet shkrimi i një kritiku të njohur që ka marrë përsipër t’u shpjegojë amerikanëve fenomenin Edith Piaf. E anulon largimin dhe fillon menjëherë mësimin e anglishtes, me qëllim që t’i njohë vetë spektatorët me përmbajtjen e këngëve. Turneu në SHBA do të vazhdojë për katër muaj.

Gjatë qëndrimit në Amerikë njihet me “mbretin e boksit”, kampionin francez Marcel Cerdan. Kjo është dashuria e jetës për Edith Piafin, të cilës i kushton një nga këngët e veta më të famshme, “Hymne a l’Amour”. Mirëpo Cerdan gjen vdekjen në një aksident ajror, në tetor 1949, ndërsa po fluturonte drejt Nju Jorkut, ku e priste Piafi. Një dashuri hyjnore, përfundon në tragjedi; një tragjedi që Edith Piafi nuk ka për ta kapërcyer deri në fund të jetës.

I vetmi ngushëllim për dhimbjet e shpirtit është kënga. Kënga dhe dashuria, qoftë kjo edhe efemere, kalimtare. Vazhdon të triumfojë në skenë dhe të krijojë lidhje të reja. Pas aktorit dhe këngëtarit amerikan Eddie Constantine, nga jeta e saj kalojnë dy çiklistë, Andre Rousse dhe Louis Gerardin. Si për t’u plotësuar më mirë kuadri i jetës dëshpëruese, i ndodhin dy aksidente automobilistike, prej të cilave del me fraktura të rënda e trashëgon dhimbje që nuk mund të përballohen veçse me morfina.

Në 1951 vjen martesa e parë, me aktorin dhe këngëtarin Jacques Pills. Kalon nëpër disa klinika për një sërë seancash çtoksifikimi.

Në 1955 i rikthehet fuqishëm dëshira për jetën. Përgatitet ashtu siç veç ajo di dhe triumfon me plot kuptimin e fjalës në sallën e madhërishme të “L’Olympia”-së. Pason një tjetër turne i suksesshëm në Amerikë, ku ngjitet për koncert edhe në skenën e Carnegie Hall në Nju Jork - është këngëtarja e parë e varietesë që këndon në tempullin e muzikës klasike. Tashmë ylli i Edith Piafit ka zënë vendin e vet në konstelacionin e shndritshëm të artit botëror.

Kompozitori dhe këngëtari George Moustaki është i dashuri i radhës; një marrëdhënie intensive dhe e trazuar që mbaron shpejt. Vjen aksidenti i tretë automobilistik, që ia rëndon edhe më shumë gjendjen fizike dhe shpirtërore. Pak muaj më vonë, gjatë një koncerti në Nju Jork rrëzohet pa ndjenja në skenë dhe dërgohet urgjentisht në sallën e operacionit. Edhe pse të fiktit në skenë shndërrohet në një dukuri të zakonshme, Edith Piaf vazhdon triumfin e vet: Në 1962 një tjetër koncert në “L’Olympia”, pastaj në kullën Ejfel, për të cilin të nesërmen shkruhet se i gjithë Parisi ishte nën këmbët e saj me plot kuptimin e fjalës. Në tetor, vjen martesa e dytë, me greko-francezin Teo Lambukas, që ajo e pagëzoi në “Teo Sarapo” – një perifrazim i shprehjes së njohur greke[2]. Edhe pse Teo është 21 vjet më i vogël, kjo nuk përbën pengesë që Edith Piafi të jetojë ca pak çaste trandafili, teksa po afrohet finalja e jetës....

Në vilën e tyre në Rivierë, pas një gjendjeje kome disamujore dhe kur peshon vetëm 30 kilogramë, harabeli rreh flatrat për herë të fundit dhe shkon. Është 10 tetor 1963.

Dëshira e saj kishte qenë që shpirti t’i dilte në Paris, prandaj dhe Teo e mori trupin e pajetë dhe udhëtoi gjithë natën në fshehtësi, për ta çuar në kryeqytet, kështu që adhuruesit të kujtonin se ajo vdiq në vendlindjen e saj.

Lajmi i kobshëm u njoftua menjëherë pasi një mjek nënshkroi çertifikatën e vdekjes. Gjashtë orë më vonë, “shkoi” edhe miku i saj i ngushtë, Jean Cocteau. Sapo mësoi lajmin për vdekjen e Edith Piafit, Cocteau tha: “Ah, Piafi vdiq? Unë gjithashtu mund të vdes sot”. Dhe pas pak vdiq vërtet nga një atak në zemër...

Kryepeshkopi i Parisit refuzoi që trupit të Edith Piafit t’i bëhej shërbesë fetare, për shkak “të jetës mëkatare, për të cilën nuk shprehu kurrë pendesë”.

U varros në Pere Lachaise, pranë e pranë me të bijën dhe të jatin. Në varrim morën pjesë më shumë se njëqind mijë vetë, ndërsa siç tha Charles Aznavour, trafiku i Parisit, për herë të parë pas luftës së dytë botërore, atë ditë u paralizua për shkak të njerëzve që iu bashkuan procesionit.

Bashkëshorti i saj do të trashëgojë borxhet e Edith Piafit; përndryshe paratë ishin diçka që ajo nuk i përfillte kurrë. Franca do të trashëgojë eposin e Edith Piafit, mitin, e një “harabeli” të rrugës, të pafuqishëm, nevrastenik, plot pasiguri, por edhe plot pasione, plot sedër.

Edith Piafi nuk e kaloi “mbi trëndafila” jetën e vet. Jetoi një jetë të shkurtër, por të mbushur, që i preku ekstremet. Dhe guxoi ta mbante kokën lart para tragjedive dhe të këndonte “Jo, nuk pendohem!”...

 

(Fragment nga romani “Sizifi dhe Edith Piafi”, botuar në 2018 nga Onufri)

 

 


[1] Xhami i syrit

[2] “S’ agapo” – Të dua

Ndaje me miqte