Robert Goro
20 Gusht 2018
Që prej gati një muaji marrëdhëniet midis Turqisë dhe shteteve të bashkuara kanë hyrë në një fazë tensionimi të rrezikshëm.
Efektet e kësaj krize janë tashmë tepër të dukshme në ekonominë turke, por në një plan afatmesëm, ato mund të efektojnë edhe zhvillimet më gjerë në rajonin tonë.
Është e vërtetë se marrëdhëniet u tensionuan për shkak të këmbënguljes së Ankarasë që mos t’i japë pafajësinë e të lirojë një prift amerikan.
Mirëpo rrënjët e vërteta të krizës janë më të thella dhe shtrihen më gjerë në kohë dhe hapësirë.
Mbështetja e Uashingtonit për një milici kurde siriane në luftën kundër Shtetit Islamik është dënuar nga Ankaraja, e cila e konsideron milicinë si një grup terrorist. Ankaraja gjithashtu refuzon të zbatojë sanksionet amerikane ndaj Iranit. Përveç kësaj, blerja e raketave ruse S-400 nga Turqia e ka tensionuar edhe më tej marrëdhënien. Ankaraja gjithashtu mbetet e zemëruar prej refuzimit amerikan për të ekstraduar predikuesin turk Fetullah Gulen, të cilin e akuzon si organizator të tentativës së dështuar për grusht shteti në korrik të 2016-s.
Tri javët e fundit, “molla e sherrit” ka qenë pastori amerikan, Andrew Brunson, i cili është arrestuar para dy vjetësh, me akuza shumë të rënda. Pas mbajtjes në burg, tash së fundi, autoritetet turke e ndryshuan masën, duke e vënë Brunsonin në arrest shtëpie.
Të premten, gjykata e apelit në Izmir, hodhi poshtë kërkesën që Brunsonit t’i hiqet kjo masë, pra arresti i shtëpisë.
Po kush është Anrew Bronson, njeriu që u “vuri flakën” marrëdhënieve Uashington – Ankara?
Pastori Andrew Brunson është padyshim një nga faktorët kryesorë në tensionin aktual të marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Ankarasë. Një tension që këtë muajin e fundit është përshkallëzuar duke e sjellë Turqinë në pragun e një krize të thellë financiare dhe ekonomike.
Për Turqinë, Brunson është një komplotist që u orvat të rrëzojë qeverinë turke pas grushtit të dështuar të shtetit më 15 korrik 2016.
Mirëpo për vendin e tij, Shtetet e Bashkuara, pastori është një kryefamiljar kristian, i pafajshëm që mbahet me pa të drejtë që prej shumë kohësh.
50 vjeçari Andrew Brunson, me origjinë nga Karolina e Jugut, është një pastor evangjelist presbiterian, që predikonte në një kishë të Izmirit. Ai ndodhet që prej 23 vjetësh në Turqi, me bashkëshorten e tij, me të cilën kanë lindur tre fëmijë, po aty.
Në tetor 2016, pak muaj pas grushtit të dështuar të shtetit, pastori u arrestua dhe u përball me akuzat për komplot kundër qeveris. Në të njëjtën kohë iu shqiptuan akuza edhe për spiunazh dhe lidhje me organizata terroriste. Ndërmjet akuzave është dhe ajo për mbështetje ndaj partisë punëtore kurde - PKK (që për autoritetet kurdë është e jashtëligjshme, si dhe ndaj predikuesit Fetullah Gylen, të cilin Turqia e akuzon direkt si frymëzues të tentativës për grushtin e shtetit.
Në rast se shpallet fajtor, Pastori amerikan rrezikon të dënohet me deri 35 vjet burg.
Por presidenti amerikan Donald Trump insiston se akuzat ndaj pastorit “nuk kanë bazë”. “Duket se ai po mbahet vetëm ngase është qytetar amerikan, i cili, si njeri i fesë, kishte kontakte me një gamë të gjerë njerëzish në Turqi”, ka thënë Trump.
“Do të duhej të na e kishin kthyer prej shumë kohësh dhe Turqia, për mendimin tim, veproi shumë shumë keq. Rrjedhimisht, nuk e kemi parë akoma fundin e kësaj historie. Nuk mund ta pranojmë duarkryq. Nuk mund të marrin kështu njerëzit tanë. Do të shikojmë çfarë do të ndodhë”, ishte deklarata më e fundit e presidentit Trump.
Turqia është favorizuar që prej shumë vjetësh nga SHBA. Në këto momente mbajnë pastorin tonë kristian të mrekullueshëm, nga i cili tani kërkoj të përfaqësojë vendin tonë si një patriot i madh. Nuk do ta paguajmë asgjë për lirimin e një njeriu të pafajshëm, por do t’i vëmë përsëri kufizime Turqisë, ka shkruar presidenti amerikan në një twitter tjetër.
Por Erdogan thotë se Brunson nuk është “rob”, ndërsa ka lënë të kuptohet se do të mirëpriste një shkëmbim të pastorit me predikuesin Fetullah Gylen.
Para më shumë se një viti presidenti turk kishte bërë pyetjen retorike: “Përse SHBA-të kërkojnë lirimin e Brunsonit, në kohën që refuzojnë të dorëzojnë Fetullah gylenin?”.
“Gyleni fshihet në Shtetet e Bashkuara. Dhe nuk është dënuar. Ne kërkojmë ekstradimin e tij, po nuk e ekstradojnë. Nga ana tjetër këtu kemi pastorin Brunson, që akuzohet për lidhje me organizata terroriste. Dhe ju e kërkoni: na ktheni pastorin”. Po, por keni edhe ju aty një pastor. Na e jepni atë, t’ju japim Brunsonin”.
Duket se çështja e pastorit është shndërruar në një kazus madhor për politikën amerikane.
Në fund të korrikut, nënpresidenti Mike Pence, kishte paralajmëruar vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë, në rast se Andrew Brunsonit nuk i hiqeshin akuzat dhe nuk lejohej të kthehej në shtetet e bashkuara.
“Nëse Turqia nuk merr masa të menjëhershme për të liruar këtë njeri të pafajshëm të Zotit dhe ta kthejë në Amerikë, Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione të rënda ndaj Turqisë deri sa pastori Andrew Brunson të lirohet”.
Pak ditë më vonë, më 2 gusht, zëdhënësja e shtëpisë së bardhë, Sarah Sanders, njoftoi për vendosjen e sanksioneve ndaj dy ministrave të qeverisë turke.
“Me udhëzim të presidentit, Departamenti i Thesarit ka vendosur sanksione kundër ministrit të drejtësisë dhe atij të punëve të brendshme të Turqisë, të cilët kanë luajtur role kryesore në arrestimin dhe mbajtjen në burgim të pastorit Brunson. Si rezultat, çdo zotërim që ata kanë nën juridiksion amerikan do të bllokohet dhe po ashtu nuk lejohet që shtetas amerikanë të angazhohen në aktivitet me këta individë,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
Kundërpërgjigjja e presidentit turk erdhi gjatë një fjalimi para grave të partisë AKP në Ankara:
"Ne treguam durim deri në mbrëmjen e djeshme. Sot po i udhëzoj miqtë e mi që të bllokojmë pasuritë e sekretarëve amerikanë të drejtësisë dhe të sigurisë kombëtare në Turqi. Ata që mendojnë se mund ta bëjnë Turqinë të hedh një hap prapa duke përdorur gjuhë kërcënuese dhe sanksione absurde, tregojnë se nuk e njohin Turqinë".
Deri në ato momente, Erdogan ishte mbështetur në marrëdhëniet e tij personale me Presidentin Donald Trump për të menaxhuar mosmarrëveshje dypalëshe. Por analizat ndërkombëtare dhe ato brenda vendit kumtojnë se dështimi për të arritur një marrëveshje mbi pastorin Brunson i ka dëmtuar këtë marrëdhënie.
Si për ta vërtetuar këtë konstatim, presidenti Trump shpalli dyfishimin e tarifave për importimin e aluminit dhe çelikut turk.
“Sapo autorizova dyfishimin e tarifave për çelikun dhe aluminin sa i përket Turqisë, teksa monedha e saj, lira turke po rrëshqet me shpejtësi kundrejt dollarit tonë shumë të fuqishëm. Alumini do të jetë tani 20% dhe çeliku 50%. Marrëdhëniet tona me Turqinë nuk janë të mira në këtë moment”.
Si kundërpërgjigje, edhe Turqia njoftoi rritjen e tarifave ndaj një game mallrash amerikane, që përfshijnë importet e automjeteve, alkoolit, qymyrit, orizit dhe produkteve kozmetike.
Në një postim në twitter, nënpresidenti turk Fuat Oktay shkruante se rritja e tarifave po bëhej "brenda kuadrit të parimit të reciprocitetit, si hakmarrje ndaj sulmeve ekonomike me ndërgjegje, nga ana e Shteteve të Bashkuara".
Recep Tayyip Erdogan akuzoi Shtetet e Bashkuara se po përpiqen ta godasin pas shpine Turqinë.
“Ju silleni nga njëra anë si partner strategjik, por qëlloni me breshëri tek këmbët partnerin tuaj strategjik. Ne jemi anëtarë në NATO, e pastaj ju na godisni në shpinë. Si mund të pranohet kjo,” tha presidenti turk.
Menjëherë pas njoftimit të Trump, lira turke ra në nivelin më të ulët historik, 5,96 lira për një dollar amerikan.
Por presidenti Erdogan nuk u tut, dhe deklaroi se “dinamikat e ekonomisë turke janë të forta dhe të shëndetshme dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla”.
Erdogan akuzoi SHBA-të se po bëjnë një luftë ekonomike ndaj vendit të tij dhe iu bëri thirrje qytetarëve që të bojkotojnë produktet elektronike amerikane.
“Nëse ata kanë iPhones e tyre, të tjerët kanë Samsungët e tyre. Në vendin tonë, kemi Venus dhe Vestel. Ne do të prodhojmë atë që nuk e kemi tashmë ... dhe ne do t'i eksportojmë produktet tona”.
Menjëherë pas kësaj thirrjeje, ishin të shumta skenat ku qytetarët digjnin dollarë, apo thyenin telefona amerikanë, ose derdhnin shishe me coca cola.
Përtej këtyre skemave disi folklorike, rreziqet për ekonominë turke mbeten evidente, në mos edhe shtohen.
Analistët e huaj theksojnë se Turqia ndodhet në mesin e një krize të madhe. Dhe se ka shumë mundësi që kjo krizë të evoluojë në recesion.
Për të kufizuar përmasat e krizës, qeveria dhe banka qendrore e Turqisë kanë marrë një sërë masash. Banka qendrore deklaroi se do t’u ofrojë gjithë likuiditetet e nevojshme bankave të vendit, ndërkohë që ministri i financave, Berat Albayrak, tha se qeveria ka hartuar një plan aksioni për të qetësuar tregjet.
Por analistët vlerësojnë se rruga më e mirë është që Ankaraja të kërkojë ndihmën e Fondit Monetar ndërkombëtar që të përballojë problemet e rifinancimit të borxhit publik që arrin në 230 miliardë euro.
Mirëpo Ankaraja e kundërshton këtë propozim. Arsyeja e refuzimit është e kuptueshme dhe lidhet me masat shtrënguese që do të duhej të zbatonte në një rast të tillë.
Ministri i financave Albayrak, do të zhvillojë një sërë vizitash në vendet e Gjirit Persik, për të kërkuar ndihmën e tyre, ndërkohë që shpreson edhe në mbështetjen e Rusisë.