0030 210 33 18 483

Çfarë nuk na kanë thënë ende për COVID-19?

TV TRIBUNA 06 Tetor 2020

Dhjetë muaj pas “prezantimit”, koronavirusi ka çuar drejt vdekjes një milion persona në gjithë botën.

Mjaft prej pyetjeve të ekspertëve lidhur me faktorin e ri patogjen vazhdojnë të mbeten pa përgjigje.

Pesë ekspertë kanë përzgjedhur se cilat janë, sipas tyre, pesë pyetjet më pikante.

 

SI KORONAVIRUSI MËSYU NË BOTËN NJERËZORE?

Connor Bamford, Studiues i Virologjisë në Queen’s University të Belfastit, beson se pyetja më e rëndësishme që ende nuk ka marrë përgjigje është se si Koronavirusi i ri mësyu në botën njerëzore.

Siç vë në dukje, për të evituar shfaqjen e një pandemie tjetër, është e nevojshme të kuptojmë se në ç’ mënyrë faktorë patogjenë si Covid-19 përcillen te njeriu.

Megjithëse fillimisht të gjithë besonin se Covid-19 u shfaq në dhjetor 2019 në tregun e peshkut në Wuhan të Kinës, e vërteta është se pacienti i parë që u sëmur atëherë nga pneumonia virale nuk kishte asnjë lidhje me tregun.

Rrjedhimisht, Covid-19 për herë të parë u shfaq gjetkë.

Elementi pandemik i Koronavirusit është dëshmuar se përcillet te macet, qentë, tigrat etj. Kështu, është emergjente të mësojmë se si u përcoll Covid-19 te njerëzit.

 

IMUNITETI?

Imuniteti është një tjetër enigmë që sipas Sarah Caddy, bashkëpunëtore e Kërkimeve Klinike në Imunologjinë Virale, Universiteti i Cambridge, ka rëndësi të jashtëzakonshme.

Vallë, a mund të zbulojmë nëse dikush është i mbrojtur?

Madje edhe sot, megjithëse janë kryer dhjetra studime, nuk e dimë se cilat pjesë të reagimit imun janë të nevojshme për evitimin e një ri-infektimi të mundshëm.

Njohja e elementëve që dëshmojnë imunitet është e rëndësishme për dy arsye:

Nga njëra anë do të na tregojë nëse dikush rrezikon të infektohet sërish dhe nga ana tjetër, do të përshpejtojë procesin e vlerësimit të eficencës së vaksinave të mundshme.

Ndërkaq, diçka e tillë, siç u duk nga trajta më të hershme të koronavirusit, është shumë e vështirë.

 

VAKSINA?

Të gjithë shpresojnë në zbulimin e një vaksine rezultative. Çfarë do të thotë arritja e këtij objektivi?

Anne Moore, pedagoge e Biokimisë dhe Biologjisë molekulare në University College Cork, Irlandë, thotë se në plan afatgjatë, një vaksinë rezultative do të duhet të ofrojë mbrojtje nga Koronavorusi në masën 50%, pa shkaktuar reaksione serioze.

Pyetja më e madhe është kohëzgjatja e mbrojtjes që do të ofrohet.

Po qe se është afatshkurtër, atëherë si do të mund të forcojmë imunitetin në nivelet e dëshirueshme?

Po të mos ketë sukses në plan afatshkurtër, atëherë krijohen probleme të tjera.

P.sh., si do të garantojmë një bashkëpunim botëror dhe angazhim, kështu që vaksinat që po provohen sot të mos kenë fatin e vaksinave kundër SARS, kërkimet për të cilën u ndërprenë befasisht dhe përfundimisht?

Është e sigurt që në të ardhmen do të ndeshemi dhe me pandemi të tjera.

 

COVID-19 DO TË NA NDRYSHOJË MËNYRËN E SJELLJES?

Vallë, mënyra e sjelljes që na mbron nga Covid-19, mund të integrohet përgjithmonë në jetën tonë?

Pedagogët e psikologjisë shëndetësore në University College të Londrës, Susan Michie dhe Robert West, vlerësojnë se teksa koronavirusi erdhi që të mbetet, të gjithë duhet të adoptojmë një gamë të gjerë sjelljesh, me qëllim që të mbrohemi dhe të mbrojmë dhe të tjerët rreth nesh.

Distancimi social, maska dhe antiseptikët, mosprekja e fytyrës me duar të papastra, shmangia e çdo grumbullimi, vetizolimi në banesë dhe kryerja e testit nëse kemi simptoma, janë disa nga sjelljet që po ndjekim muajt e fundit.

Sfida e madhe është që këto sjellje të adoptohen nga të gjithë dhe të ruhen në kohë.

Kjo kërkon kuptimin e mekanizmave që transformojnë dhe konservojnë sjelljen njerëzore.

Është e nevojshme t’i armatosim njerëzit me aftësitë që kërkohen për zhvillimin e një farë “rutine” që përfundimisht do të evoluojë në sjellje të zakonshme dhe t’u japim kohën dhe mbështetjen sociale që lipset për t’u arritur kjo.

Ndaje me miqte