0030 210 33 18 483

Kur protesta bëhet spektakël: Rasti i Greta Thunberg në Shqipëri

Juli Ndriko

25 Korrik 2025

Në një botë ku gjenocidi i popullit palestinez po ndodh para syve të gjithë njerëzimit, e quajtur nga shumë ekspertë dhe institucione ndërkombëtare si një formë e dokumentuar e pastrimit etnik, shfaqja e Greta Thunberg në Shqipëri për të shprehur “solidaritet” nuk është as e rastësishme dhe as neutrale. Është pjesë e një koreografie globale që ka për qëllim të zbusë revoltën, ta zhveshë nga potenciali transformues dhe ta kanalizojë në formate të pranueshme për sistemin, një sistem që vetë është arkitekti i gjenocidit dhe represionit.

 

Greta Thunberg është simboli më i suksesshëm i aktivizmit të sterilizuar. E paraqitur si një zë rinor dhe i guximshëm, në fakt ajo është produkt i një rrjeti shumë të sofistikuar organizatash, fondacionesh dhe interesash globale që kanë investuar në të jo për ta nxitur ndryshimin radikal, por për ta zëvendësuar atë me simbolikë të padëmshme dhe të menaxhueshme. Ajo është sot më e pasur se çdo aktivist tjetër bashkëmoshatar i saj, mbi 2 milionë dollarë pasuri personale, dhe e mirëpritur në çdo forum ndërkombëtar. Kjo nuk ndodh me aktivistë që kundërshtojnë realisht sistemin. Ndodh me ata që kanalizojnë protestën në korniza të sigurta për rendin ekzistues.

 

Duke ditur se lufta kundër popullit palestinez nuk ka filluar këtë vit, as para dy vitesh. Ajo ka nisur në vitin 1948 me themelimin e shtetit të Izraelit dhe përndjekjen e dhunshme të më shumë se 700 000 palestinezëve. Prej atëherë, historia e Palestinës është një histori e vrasjes sistematike, kolonizimit, shpronësimeve, apartheidit dhe në dekadat e fundit, e një gjenocidi të heshtur por të qëndrueshëm. Dhe megjithatë, Greta është shfaqur vetëm tani, pas më shumë se 9 muajsh masakra të pandërprera në Gaza, për të mbajtur një fjalim të kujdesshëm, emocionalisht të ngarkuar, por politikisht të zbrazët.

Edhe pse Greta Thunberg ka përmendur termin “gjenocid” në fjalimin e saj në Tiranë, ajo nuk e shoqëron këtë deklaratë me thirrje të drejtpërdrejta për ndëshkim ndërkombëtar ndaj Izraelit, nuk kërkon ndërprerjen e furnizimit me armë apo bojkot ekonomik ndaj një shteti që vepron në shkelje të çdo konvente ndërkombëtare. Kjo është karakteristikë e një forme të re aktivizmi që nuk është më revoltë, por një mjet i agjendës globale për kontrollin e perceptimit publik.

 

Agjenda globale sot nuk është më vetëm ushtarake dhe ekonomike. Ajo është ideologjike dhe narrative. Në këtë narrativë të re, figura si Greta janë funksionale. Ato mbajnë gjallë iluzionin se sistemi dëgjon, se protestat kanë efekt, se rinia ka zë. Dhe protestat, në vetvete, kanë pasur gjithmonë efekt kur janë të sinqerta, të organizuara në mënyrë të pavarur dhe pa influenca të kamufluara. Por kjo nuk është e vërtetë për çdo rast. Ky zë nuk sfidon asnjë strukturë reale pushteti, nuk prek interesat e kompanive që financojnë luftëra, nuk vë në pikëpyetje aleancat që legjitimojnë gjenocidin. Thjesht ushqen një ndjesi të rreme përfshirjeje dhe ndërgjegjeje kolektive, ndërkohë që realiteti vazhdon i pandryshuar.

 

Shfaqja e saj në Shqipëri është pjesë e kësaj strategjie. Shqipëria është vend periferik, ku është më e lehtë të kontrollosh narrativën, të prodhosh lajme të buta dhe të promovosh figura “progresiste” pa pasoja reale. Këtu, ndjeshmëria e publikut përdoret për të legjitimuar një aktivizëm që nuk prek asnjë nyje të vërtetë pushteti. Madje edhe OJF-të që operojnë në vend, në shumicën dërrmuese të rasteve, financohen nga të njëjtat fondacione dhe qeveri që janë pjesë e strukturës ndërkombëtare që mbështet Izraelin, qoftë me heshtje, me armë, me para apo me diplomaci.

 

Është e pamundur të flasim për qëndrim etik, solidaritet apo të drejta njerëzore, ndërkohë që kompanitë që financojnë organizatat që promovojnë Greta Thunberg janë të njëjtat që përfitojnë nga shitja e armëve tek Izraeli, mbështesin regjime autoritare dhe kanë histori të dokumentuara shkeljesh të rënda të të drejtave të njeriut. Ky konflikt interesi nuk është një detaj teknik, por një pikë kritike e problemit. Kur aktivizmi sponsorizohet nga burime që janë vetë pjesë e krimit, ai nuk mund të jetë mjet ndryshimi, ai është maska e tij.

 

Duke ditur se duhet të shtrojmë pyetjen: pse pikërisht në Shqipëri? Përgjigjja nuk është vetëm sepse jemi një vend i vogël dhe lehtësisht i manipulueshëm. Shqipëria është një terren i kontrollueshëm, ku narrativa globale përfitojnë nga mungesa e analizës kritike në diskursin publik dhe nga mediat që shpesh janë të kapura nga të njëjtët burime që diktojnë edhe agjendat ndërkombëtare. Figura si Greta shërbejnë si pasqyrë morale, por me funksion të qartë: të largojnë vëmendjen nga krimet reale dhe të zëvendësojnë ndërgjegjësimin me performancë morale të dizajnuar.

 

Kjo nuk është thjesht një çështje e një individi apo një lëvizjeje të veçantë. Është mënyra sesi sistemi global përthith çdo impuls rebelimi dhe e shndërron në spektakël. Një spektakël që nuk sfidon asgjë, por e justifikon gjithçka. Kur ndodhin masakra, sistemit nuk i intereson t’i ndalë, ai mjaftohet të krijojë ndjesinë se po reagon përmes figurave që nuk guxojnë të përmendin as përgjegjësit.

 

Prandaj, duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj formave të “solidaritetit” që promovohen me bujë dhe konsensus ndërkombëtar. Duhet të vlerësojmë aktivizmin real, atë që buron nga popujt dhe që i përket atyre që vuajnë, jo atij që u serviret të shtypurve në paketim të ndritshëm nga të pushtetshmit. Çdo lëvizje që nuk guxon të përmendë gjenocidin në Gaza me emrin e vet të plotë, është thjesht një shtesë në fasadën e humanizmit të rremë.

 

Nëse duam t’i qëndrojmë vërtet në krah popullit palestinez, nuk mjafton të përshëndesim emra dhe simbole. Duhet të kuptojmë thellësisht se kush i krijon ata, kush përfiton nga imazhi i tyre, dhe mbi të gjitha, çfarë po na shmangin që të mos shohim. Sepse ndonjëherë, më shumë sesa të jesh i heshtur, është më e rrezikshme të flasësh në emër të së vërtetës, kur në fakt po e maskon atë.

 

 

 

Ndaje me miqte