Një gjykatë në qytetin Xiamen, në provincën Fujian, ka dënuar me burgim të përjetshëm ish-ministrin kinez të Drejtësisë, Tang Yijun, për përfshirje në veprimtari korruptive, njoftoi televizioni shtetëror CCTV.
Sipas vendimit të gjykatës, Tang Yijun ka përfituar në mënyrë të paligjshme pasuri me vlerë mbi 137 milionë juanë gjatë periudhës 2006–2022, duke shfrytëzuar funksionet e tij shtetërore për përfitime personale. Gjykata theksoi se shumat e përfituara ishin veçanërisht të mëdha dhe se veprimet e tij kishin shkaktuar dëme serioze ndaj interesave të shtetit.
Trupi gjykues konstatoi se ish-zyrtari kishte abuzuar me pushtetin në çështje që lidhen me regjistrimin e kompanive, transaksionet e tokës, kreditë bankare dhe ndërhyrjet në procese gjyqësore.
Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, Tang Yijun u privua përgjithmonë nga të drejtat politike dhe iu konfiskua e gjithë pasuria personale.
Dënimi është pjesë e fushatës së vazhdueshme kundër korrupsionit të ndërmarrë nga autoritetet kineze nën drejtimin e presidentit Xi Jinping. Në kuadër të kësaj fushate, agjencia shtetërore kundër korrupsionit ka njoftuar së fundmi edhe nisjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të tjerë të nivelit të lartë.
Tang Yijun, 64 vjeç, e nisi karrierën e tij politike në provincën Zhejiang, ku shërbeu për gati tre dekada. Më pas ai mbajti detyrën e guvernatorit të provincës Liaoning dhe u emërua ministër i Drejtësisë në vitin 2020. Në prill 2024 ai u vu nën hetim për shkelje të rënda disiplinore dhe ligjore dhe më pas u përjashtua nga Partia Komuniste e Kinës.