0030 210 33 18 483

Shqiptarët e Bordeaux, një shembull solidariteti për mbarë shqiptarinë

Tribuna News

01 Korrik 2026

Kur një lajm mjafton për të bërë bashkë një komunitet.

Nuk janë shoqatat, as statutet, as zyrat që tregojnë forcën e një komuniteti shqiptar në emigracion. Është mënyra si reagojnë njerëzit kur dikush bie në vështirësi. Në Bordeaux, ky reagim ka marrë formën më të qartë të solidaritetit.

Jetoj prej vitesh në Greqi dhe, me keqardhje e them se një frymë e tillë bashkimi ende mungon në shumë komunitete shqiptare në emigracion. Pikërisht për këtë arsye, ajo që ndodh në Bordeaux është një model solidariteti që meriton vëmendje, respekt dhe të shërbejë si shembull për të gjithë ne.

Ndoshta shqiptarët e Bordeaux nuk kanë shoqata me zyra, vula apo struktura të mëdha organizative. Por kanë ndërtuar diçka shumë më të vlefshme: besimin tek njëri-tjetri dhe gatishmërinë për të vepruar kur dikush ka nevojë.

Mjafton të përhapet lajmi se një bashkëkombës po kalon një fatkeqësi. Shqiptarët njoftojnë njëri-tjetrin, caktojnë një orë dhe një vend takimi, dhe pa pasur nevojë t’i thërrasë askush, janë aty. Nuk presin telefonata nga familjarët dhe nuk pyesin se nga cili qytet apo krahinë vjen ai që ka nevojë. Për ta mjafton që është shqiptar. Pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i këtij solidariteti: mblidhen dhe ofrojnë ndihmë financiare pa e kërkuar askush, secili aq sa mundet, sipas mundësive të veta, me synimin e vetëm që të mos lihet vetëm familja në nevojë. Ky nuk është spontanitet i thjeshtë emocional, por një veprim konkret i organizuar nga vetë komuniteti.

Në rastin e fundit në Bordeaux, nisma dhe organizimi u mor nga disa anëtarë të komunitetit, mes tyre Gentiani, Lilo dhe Keli, të cilët koordinuan takimin dhe mbledhjen e ndihmës. Rreth tyre u bashkua një numër i madh shqiptarësh, ndërsa lista e donatorëve ishte e gjatë, duke dëshmuar përmasën e solidaritetit dhe gatishmërinë e komunitetit për të kontribuar pa hezitim.

Një shembull domethënës i këtij solidariteti u dha pas ndarjes nga jeta të vëllait të gazetares Juli Ndriko në qytetin e Bordeaux. Pa qenë nevoja që familjarët të kërkonin mbështetje, shqiptarët njoftuan njëri-tjetrin dhe u mblodhën në një kafene portugeze për t’i qëndruar pranë familjes në ato çaste të vështira. Ishte një gjest i organizuar, por i lindur nga ndjenja e përgjegjësisë dhe bashkimit, që dëshmoi se solidariteti nuk ka nevojë për formalitete, por për vullnet.

Sipas anëtarëve të komunitetit, kjo është një traditë e ndërtuar ndër vite. Sa herë që një shqiptar përballet me një humbje apo një vështirësi, lajmi përhapet mes bashkëkombësve dhe komuniteti mobilizohet menjëherë. Askush nuk pret një njoftim zyrtar dhe askush nuk pret t’i kërkohet ndihmë. Mjafton të mësojnë se një familje shqiptare po kalon një moment të vështirë dhe secili bën atë që mundet për të qenë pranë saj. Kjo është mënyra se si shqiptarët e Bordeaux kanë zgjedhur ta jetojnë emigracionin: jo si individë të ndarë, por si një komunitet që nuk e lë askënd vetëm.

Ky është kuptimi i vërtetë i fjalës komunitet. Jo thjesht njerëz që jetojnë në të njëjtin qytet, por njerëz që ndajnë dhimbjen, gëzimin dhe përgjegjësinë për njëri-tjetrin. Një komunitet nuk ndërtohet vetëm me aktivitete festive, fotografi apo organizime të rastit. Ai ndërtohet mbi vlerat njerëzore dhe mbi gatishmërinë për të qenë pranë njëri-tjetrit kur kjo ka më shumë rëndësi.

Shpesh ankohemi se shqiptarët nuk bashkohen, se interesat personale mbizotërojnë mbi interesin e përbashkët. Megjithatë, shembuj si ai i Bordeaux tregojnë se kjo nuk është e pamundur. Përkundrazi, kur ekziston dëshira për të qenë pranë njëri-tjetrit, nuk nevojiten struktura të mëdha, por vetëm vullnet, respekt dhe humanizëm.

Ne që jetojmë në emigracion e dimë mirë se sa e vështirë është të përballesh me humbjen e një njeriu të dashur larg vendlindjes. Në ato çaste, mungesa e familjes, e të afërmve dhe e miqve ndihet edhe më shumë. Pikërisht atëherë, mbështetja e bashkëkombësve merr një vlerë të jashtëzakonshme. Një prani, një shtrëngim duarsh apo një fjalë ngushëllimi shpesh vlejnë më shumë se çdo ndihmë materiale.

Komuniteti shqiptar në Bordeaux nuk po kërkon vlerësime dhe as duartrokitje. Ai thjesht po ruan një traditë fisnike që e bën krenare çdo zemër shqiptare. Është një shembull që dëshmon se identiteti ynë nuk ruhet vetëm përmes gjuhës, flamurit apo festave kombëtare, por mbi të gjitha përmes mënyrës se si sillemi me njëri-tjetrin.

Ky është një model solidariteti që duhet të shërbejë si shembull për mbarë shqiptarinë.

 

Ndaje me miqte