Çfarë u diskutua në takimin zyrtar Rama - Mitsotakis
TV Tribuna
07 Dhjetor 2022
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka shfrytëzuar praninë e tij në samitin e 6 dhjetorit në Tiranë, për të zhvilluar një takim zyrtar me homologun e tij shqiptar, Edi Rama.
Zoti Rama e ky pritur mysafirin grek jashtë kryeministrisë dhe më pas i ka treguar gjerë e gjatë zyrën e tij të punës, stolisur me vizatimet e vetë kryeministrit.
Ka pasur shkëmbimi i dhuratave dhe ulja në tavolinën e bisedimeve, shoqëruar me batuta miqësore.
Edhe pse u përkasin dy kampeve të ndryshme politike, zoti Rama ka shprehur preferencën e tij për mysafirin, duke thënë se Mitsotakis është kryeministri më i mirë i Greqisë.
Sipas një statusi të shkurtër të kryeministrit Rama, ai bisedoi me homologun grek mbi marrëdhëniet mes dy vendeve, situatën në rajon, Shqipërinë në procesin e integrimit në BE dhe mbështetjen e Greqisë në këtë rrugëtim.
Ndërkaq, zyra e shtypit e kryeministrit Mitsotakis ka dhënë më shumë detaje.
Sipas Athinës zyrtare, gjatë takimit të dy delegacioneve, Mitsotakis vuri në dukje se hartimi i dokumentacionit të përbashkët për çuarjen në gjykatën e Hagës i çështjes së zonave detare do të përbënte një thellim të mëtejshëm të marrëdhënieve greko-shqiptare.
Mitsotakis shtoi se shkuarja në Hagë do të ishte një dëshmi e rëndësisë së respektimit të së drejtës ndërkombëtare në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tilla.
U diskutua edhe për probleme që kanë të bëjnë me minoritetin etnik grek në Shqipëri.
Kyriakos Mitsotakis përsëriti mbështetjen e fuqishme dhe konstante të Greqisë ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë dhe më gjerë të Ballkanit Perëndimor, me përmbushjen e kushteve që ka vënë Komisioni Europian.
Nënvizoi se Ballkani është një rajon me peshë të madhe gjeopolitike për Europën, që mund të luajë një rol akoma më të madh në fronte me rëndësi strategjike, siç është siguria energjitike.
Në këtë kuadër, Mitsotakis e përgëzoi homologun e vet shqiptar për organizimin e samitit BE-Ballkani perëndimor.
Më herët, kryeministri Mitsotakis u prit nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe partneritetin strategjik midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia dhe populli grek i kanë dhënë shqiptarëve në momentet e vështira pas ndryshimeve demokratike, por edhe në kuadër të përballimit të fatkeqësive të ndryshme natyrore.
Duke iu referuar fqinjësisë së mirë dhe vlerave e sfidave të përbashkëta, Kreu i Shtetit e konsideroi praninë e minoritetit grek në Shqipëri dhe të komunitetit shqiptar në Greqi si një vlerë të shtuar për këto marrëdhënie.
“Ato përbëjnë një urë të fortë, të vërtetë e të sinqertë miqësie e bashkëpunimi, për të cilën ne jemi të gatshëm ta forcojmë e promovojmë më tej”, u shpreh Begaj.
Kreu i Shtetit vlerësoi frymën e mirëkuptimit dhe mirëbesimit në dialogun midis dy qeverive, si në nivel politik ashtu dhe në nivel ekspertësh.
“Ju siguroj se çdo çështje e vjetër ose e re do të trajtohet me seriozitetin maksimal, sipas normave të fqinjësisë së mirë dhe parimeve të reciprocitetit dhe në respekt të Kushtetutës, Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, të drejtës ndërkombëtare dhe si vende aleate të NATO-s”, theksoi Presidenti.