0030 210 33 18 483

“Çështja e detit”/ Rama: Shqipëria dhe Greqia s’mund ta bëjnë zgjerimin në mënyrë të njëanshme pa arritur një marrëveshje

ATSH 22 Shtator 2020

“Situata jonë me Greqinë është e veçantë sepse të dyja vendet nuk mund ta bëjnë këtë zgjerim në mënyrë të njëanshme pa arritur një marrëveshje midis tyre”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke folur për marrëveshjen e detit me Greqinë.

Në një intervistë për televizionin grek “MEGA “dhe gazetarin, Janis Mucos, Kryeministri Rama foli për marrëveshjen e detit me Greqinë, në vitin 2009.

“Menjëherë pas marrëveshjes, pati reagime nga grupet e shoqërisë civile dhe qëndrime që shpreheshin se marrëveshja nuk ishte e drejtë. Në atë kohë, unë isha në krye të opozitës dhe ne vendosëm që çështjen ta çonim në gjykatë dhe mos të nxisnim një debat politik siç ndodh zakonisht në Ballkan, duke shfrytëzuar momentin për të demonstruar një lloj patriotizmi, që në fakt dëmton kuptimin e vërtetë të patriotizmit”, tha Rama.

Ai shtoi se “Gjykata vendosi që marrëveshja ishte në shkelje dhe në argumentimin e saj përmbledhës, Gjykata u shpreh se marrëveshja cënonte interesat kombëtare”.

“Që prej asaj kohe kemi hyrë në një fazë mosmarrëveshjeje dhe pastaj dialogu, por më duhet të them që jam i impresionuar nga qeveria e re greke, nga kryeministri Mistotakis dhe ministri Dendias, të cilët janë njerëz të jashtëzakonshëm. Disa orë pas tragjedisë që ndodhi në vendin tonë, Mitsotakis më mori ne telefon dhe më pyeti ç’mund të bënte për mua dhe vendin. Ekipet greke të shpëtimit ishin të mahnitshëm, unë i pashë gjatë operacioneve. Ata realizuan një operacion të jashtëzakonshëm dhe shpëtuan jetën e një djali të vogël i gjendur në një situatë makthi. Ata arritën të futeshin nën rrënoja duke treguar një akt trimërie. Teksa shikon këta njerëz që flasin një gjuhë tjetër që janë gati të sakrifikojnë jetën e tyre, sepse edhe mund të kishte ndodhur në ato rrethana, falë Zotit që nuk ndodhi”, tha Rama.

“Ne thjesht kaluam një përvojë absurde, tipike ballkanike dhe klasike të patriotizmit të shtirur, që nxit llojin më të keq të zemërimit pasi Kryeministri juaj iu drejtua parlamentit teksa parlamenti juaj ishte përfshirë ne diskutimin e marrëveshjes me Italinë dhe Egjiptin mbi delimitimin detar, dhe ai foli gjithashtu edhe për të drejtën e zgjerimit me 12 milje”, tha Rama.

“Situata jonë me Greqinë është e veçantë sepse të dyja vendet nuk mund ta bëjnë këtë zgjerim në mënyrë të njëanshme pa arritur një marrëveshje midis tyre. Pas disa javësh, unë do të pres ministrin e Jashtëm grek për të folur mbi këtë çështje dhe dhe më pas shpresoj të pres edhe vetë Kryeministrin. Jam krenar që jam mik me kryeministrin Erdogan. Ai kurrë nuk u përpoq të më tregonte asgjë për të. Ka qenë një çështje që prej 2009 që duhej zgjidhur. Ne mund ta zgjidhim”, deklaroi kryeministri Rama.

Pyetjes se cila është pikëpamja e Shqipërisë për çështjet që rrjedhin nga Zona Ekskluzive Ekonomike midis Greqisë dhe Turqisë, Rama iu përgjigj se “Greqia dhe Turqia janë mjaftueshëm të pjekura për t’i zgjidhur vetë çështjet e tyre”.

“Secili prej vendeve ka këndvështrime përkatëse që me sa duket bien ndesh me njëra-tjetrën, por nga ana tjetër, të dyja vendet kanë shumë interes ta zgjidhin çështjen. Të gjitha indiciet thonë se Turqia dhe Greqia duhet të takohen, ta gjejnë zgjidhjen së bashku dhe të bashkëjetojnë në të ardhmen”, tha ai.

Rama iu përgjigj po ashtu edhe pyetjes lidhur me të drejtat e minoriteteve në Shqipëri dhe pretendimeve se këto të drejta janë shkelur dhe madje nuk janë lejuar të vetidentifikohen.

“Nuk është e vërtetë. Je jemi duke punuar tani me aktet nënligjore për të bërë të aplikueshëm një ligj të ri për pakicat. Problemet që kanë nënshtetasit e minoritetit grek në Shqipëri janë po aq të zakonshme sa edhe ato me të cilat përballen gjithë shqiptarët. Ne kemi trashëguar një kaos përsa i përket të drejtave të pronësisë”, tha ai.

Ndaje me miqte