0030 210 33 18 483

35vjetori i Muzeut Historik Kombëtar

TRIBUNA 28 Tetor 2016

Muzeu Historik Kombëtar u përuara më 28 tetor 1981. Ai është institucioni muzeor më i madh dhe nga më të rëndësishmit në Shqipëri. Godina e Muzeut Historik Kombëtar zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2 dhe ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu është konceptuar i tillë, që prezantimi të bëhet nëpërmjet tetë pavijoneve. - Pavijoni i Lashtësisë - Pavijoni i Mesjetës - Pavijoni i Rilindjes Kombëtare - Pavijoni i Pavarësisë - Pavijoni i Ikonave - Pavijoni i Luftës Antifashiste Nacional-lirimtare - Pavijoni i Terrorit Komunist - Pavijoni i Nënë Terezës. Në vitin 1976 u kërkua ngritja e grupit të punës për projektimin e një godine të madhe në qendër të kryeqytetit e cila do të shërbente si Muze Historik Kombëtar. Ndërtimi i godinës së re të Muzeut Kombëtar kërkoi shembjen e ish ndërtesës së Bashkisë së Tiranës, e ndërtuar në bazë të një projekti italian në vitin 1936. Për ngritjen e Muzeut Historik Kombëtar u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit. Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës drejtohej nga personalitete të shquara si, Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Burhan iraku, Kleanthi Dedi, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi etj. Retrospektivë: 35 vjet më parë... Përvjetori i 35-të i Muzeut Historik Kombëtar vjen para publikut me një ekspozitë të titulluar “Retro”, e cila përmbledh në një skicat e projekteve të ndërtimit të secilit prej pavijoneve të muzeut, të pa demostruara më parë; foto se si janë pavijonet sot dhe disa foto që kanë qenë pjesë e pavijonit të Realizmit Socialist, por që sot mungon në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita do të shoqerohet edhe me të gjitha botimet studimore, që janë botuar që prej vitit 1981 dhe objekte të tjera të veçanta të Muzeut Historik Kombëtar. Skica të njohura, por dhe të panjohura më parë që dalin nga fondi, ku tregohen fillesat e një pune voluminoze. Pamje filmike nga ndërtimi i një godine gjigande në qendër të kryeqytetit dhe aspekte nga puna për veshjen arkitekturale të nderteses, si dhe kompletimin e pavijoneve me objekte. Por ka dhe pamje nga puna e restauratoreve të relikeve, pamje fragmentesh nga mozaiket e lashtë. Dhe padyshim shumë foto që tregojnë një realitet të caktuar të viteve ‘80 në Shqipëri. Këto do të jenë mes të tjerash pjesë e ekspozitës “Retro” e cila do të çelet më 28 Tetor 2016, në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar. Kjo datë përkon dhe me 35-vjetorin e përurimit të vetë godinës.

Ndaje me miqte