Ambasadori Dervishi për Paktin Detar: &ldquoJemi po aq të interesuar sa edhe Greqia&rdquo
04 Dhjetor 2015
Marrëveshja për Zonën Ekskluzive Ekonomike është një objektiv i rëndësishëm në axhendën e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Shqipërisë, nënvizon ambasadori i Shqipërisë në Athinë. Dashnor Dervishi.
Në një intervistë ekskluzive për IBNA (Indepedent Balkan News Agency), z. Dervishi ka folur mbi “çështjet e nxehta” bilaterale, -Pakti Detar, varrezat e ushtarëve grekë-, duke theksuar angazhimin për zgjidhjen e tyre.
Më poshtë vijon intervista e plotë (titulli dhe komenti hyrës është nga Tribuna):
IBNA: Shqipëria është një partner strategjik për Greqinë, një vend mik strategjik dhe një fqinj strategjik. Si e shihni të ardhmen e marrëdhënieve tona teksa Shqipëria bëhet gati për t’iu bashkuar BE-së?
DERVISHI: Shqipëria dhe Greqia janë dy vende fqinje në Evropën Juglindore, me kufij tokësor, ujor dhe ajror dhe që lidhen me anë të historisë dhe traditave që ndajnë. Qytetarët e tyre kanë jetuar dhe kanë udhëtuar gjithmonë në të dyja anët e kufirit. Si rrjedhojë, nga pikëpamja politike dhe gjeostrategjike, dy vendet tona janë partnerë strategjik me lidhje të forta.
Si dy popujt më të vjetër të historisë së lashtë dhe moderne në rajonin tonë, ndonjëherë, për arsye që nuk janë varur gjithmonë nga ne, vendet tona janë bërë pjesë e blloqeve apo aleancave të ndryshme politike dhe ushtarake. Pavarësisht kësaj, popujt tanë nuk e kanë humbur kurrë identitetin e tyre dhe kanë ekzistuar së bashku në një mënyrë natyrale. Për fat të mirë, pas rënies së Murit të Berlinit dhe në fund të luftës së ftohtë, që të dyja vendet u bënë pjesë e të njëjtit bllok politik dhe ushtarak, NATO-së.
Për më tepër, me zgjerimin e rrjetit energjetik dhe ndërtimin e autostradave që përshkojnë dy kufijtë tanë, Shqipëria dhe Greqia më në fund janë bërë pjesë e të njëjtit sistem evropian të sigurisë.
Edhe pse Shqipëria është vend kandidat i BE-së, de fakto ajo është një pjesë e pandarë e familjes evropiane, si për pozicionin gjeografi ashtu edhe për aspiratat evropiane të qytetarëve shqiptarë.
Raporti i Komisionit Evropian 2015, dokumenti më i rëndësishëm i paketës së zgjerimit të Bashkimit Evropian, vlerëson reformat e çdo viti në Shqipëri, brenda kontekstit rajonal, bazuar në një metodologji të zbatuar për herë të parë. Raporti vlerën përputhshmërinë e politikës së jashtme të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, rolin e saj aktiv në rajon, marrëdhëniet e forta me vendet fqinje dhe rolin konstruktiv në Procesin e Berlinit. Në këto linja, Raporti në vetvete është një udhërrëfyes për hapat që duhet të merren nga institucionet shqiptare dhe politik bërësit, me qëllim për të ofruar mbështetje për nisjen e procesit të negociatave për anëtarësimin në BE. Në këtë kontekst, ne po ashtu vlerësojmë mbështetjen e pakursyer dhe të pakushtëzuar të Greqisë, si një vend fqinj dhe partner gjeostrategjik, që është një zë i fortë në vlerësimin e BE-së dhe një kontribuues efikas në përvojat konkrete, bazuar po ashtu në Memorandumin e përbashkët të firmosur në verën e këtij viti, gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm grek, Kotzias në Tiranë.
IBNA: Një nga çështjet e mbetura pezull është ajo marrëveshjes së vitit 2009 mbi kufirin detar, e cila u anulua nga gjykata kushtetuese në Shqipëri. A duhet të presim ndonjë zhvillim në të ardhmen?
DERVISHI: Marrëveshja mbi demarkacionin e kufirit detare dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike në Detin Jon është në interest të të dy vendeve. Si e tillë, ajo ka qenë dhe mbetet një objektiv i rëndësishëm në agjendën tonë të përbashkët. Përpjekjet e bëra në këtë drejtim çuan në përgatitjen e atij drafti, i cili u firmos nga të dy ministrat e jashtëm në vitin 2009, por ato nuk u finalizuan në një marrëveshje përfundimtare për arsye që tashmë janë të njohura.
Ashtu si Greqia, edhe Shqipëria është e interesuar për finalizimin e kësaj marrëveshjeje. Ne po bëjmë çdo përpjekje të mundshme për të gjetur kushtet e duhura që do ta bëjnë të mundur firmosjen e marrëveshjes. Propozimet tona për rinegocimin janë bërë dhe ato janë në përputhje të plotë me interesat tona të përbashkëta, me konventat ndërkombëtare detare dhe me standardet e Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, po zhvillohen takime dhe konsultime në nivele diplomatike dhe nivele ekspertësh. Ne jemi të vetdijshëm që këto procese kërkojnë kohë. Në këtë pikë, Greqia ka një përvojë të çmuar me vendet e tjera që lagen nga të njëjtat dete, duke qenë se është një vend me vijë të gjatë bregdetare që shtrihet nga deti Adriatik, në detin Mesdhe dhe deri në detin Egje.
Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të nxjerrë në pah faktin se Shqipëria është po aq e interesuar sa Greqia për të arritur një marrëveshje mbi Detin Jon dhe për të firmosur ligjet dhe aktet nënligjore mbi njohjen zyrtare të kufijve tokësor dhe të ujërave të ëmbla.
IBNA: A është minoriteti grek në Shqipëri një urë miqësie apo mos vallë ai shërben më shumë si një burim tensionesh mes dy vendeve?
DERVISHI: Minoritetet janë një fenomen i njohur për vendet e rajonit tonë. Ekzistenca e tyre është e veçantë dhe komplekse, sepse ata janë qytetarë të vendit në të cilin jetojnë dhe në të njëjtën kohë, ata ruajnë në mënyrë të natyrshme lidhje shpirtërore dhe kulturore, ndajnë të njëjtat tradita, gjuhë, besim, etj., me grupin ethnik të cilit i përkasin. Të gjitha këto janë të rregulluara me ligj në secilin vend, në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe institucionet që monitorojnë përputhshmërinë. Zbatimi i tyre në praktikë bëhet më kompleks. Për shkak të zhvillimeve ekonomike, sociale dhe politike dhe dallimet në standardet e jetesës nga njëri vend në tjetrin, etj., çështja e minoriteteve mbetet një çështje e hapur. Kur vendet fqinje kanë vullnetin politik dhe përcjellin mesazhe pozitive dhe konstruktive, ato bëhen ura të fuqishme bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. Kur realitetet që përmenda më sipër njihen dhe kur të njëjtat standarde kujdesi ruhen për minoritete jashtë dhe brenda kufijve, minoritetet gjithmonë mbeten një faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet mes vendeve fqinje. Minoriteti grek është një nga minoritetet më të rëndësishme, më të emancipuara dhe më të integruara në shoqërinë shqiptare. Ky minoritet ndërthur historinë e dy popujve tanë. Historia e Shqipërisë dhe ngjarjet që çuan në ndryshimet e mëdha revolucionare ngrenë lart emrat e heronjve minoritarë grek që luftuan dhe kontribuan për Shqipërinë dhe emrat e heronjve shqiptarë që luftuan dhe kontribuan për Greqinë.
Edhe sot, minoriteti grek në Shqipëri është një model emancipimi për pjesën tjetër të vendit. Përfaqësuesit e tyre punojnë në institucionet më të larta të Shqipërisë, në qeveri, parlament, në institucione shkollimi, kulturore dhe në institucione të tjera.
IBNA: Kriza e refugjatëve ka pasur një ndikim të thellë në vendet e Ballkanit, edhe pse refugjatët nuk parapëlqejnë të kalojnë në Shqipëri. Megjithatë, vendi juaj ka një histori të gjatë emigracioni në masë në vendet e BE-së, ndaj dua t’ju pyes se si mendoni që Bashkimi Evropian po e përballon këtë çështje.
DERVISHI: ?ështja e refugjatëve i ka tejkaluar mundësitë modeste të vendeve tona. Shqipëria nuk ka kufij të jashtëm me BE-në për të qenë një vend pritës. Terreni i saj malor dhe infrastruktura e dobët e bën udhëtimin në të si vend transit, të vështirë.
Megjithatë, qeveria jonë, e cila është pjesë e forumeve ndërkombëtare që adresojnë krizën e refugjatëve, ka shprehur gatishmërinë e saj për t’iu përgjigjur çdo kërkese që mund të vijë nga Brukseli dhe ajo po merr masa për të përmirësuar infrastrukturën tani që dimri po afron dhe kushtet e motit pritet të përkeqësohen.
IBNA: Ne nuk kemi parë ndonjë përparim në lidhje me marrëveshjen mbi ushtarët grek të cilët u vranë në vitin 1940 dhe trupat e tyre ndodhen në tokë shqiptare.
DERVISHI: Një sërë ushtrish të huaja e kanë përdorur territorin shqiptar si një vend transit dhe si një fushë beteje, duke mos përmendur këtu ushtritë pushtuese.
Varreza apo përkujtimore janë ngritur për ata që kanë rënë në vendin tonë dhe vullneti i vendeve të tyre për të kthyer eshtrat në shtëpi është marrë parasysh.
Ky proces me Greqinë ka ndeshur disa vonesa për shkak të “marrëdhënieve të ngrira” deri në vitin 1971 (vendosja e marrëdhënieve diplomatike).
Pas ndryshimeve demokratike në vendin tonë, -edhe pse Greqia vazhdon të mbajë në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë-, në vitin 2009, dy vendet firmosën marrëveshjen mes qeverisë së Republikës së Greqisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për gjetjen, zhvarrosjen, identifikimin dhe varrosjen e ushtarëve grek të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke të 1940-1941 dhe ndërtimin e varrezave të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë. Një komision i përbashkët është ngritur për t’u marrë me këtë proces, që kryesohet nga zv. shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Pas ndërtimit të dy varrezave dhe ndërkohë që eshtrat po zhvarroseshin dhe po mblidheshin, ndodhën disa ngjarje jo të këndshme, që e shmangën procesin politikisht dhe moralisht.
Marrëveshja parashikon që në raste të tilla, komiteti i përbashkët duhet të mblidhet për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Në shkurt të këtij viti, qeveria shqiptare i ka bërë një kërkesë zyrtare qeverisë greke për t’i hapur rrugë këtij procesi human që lidhet me të rënët e luftës. Në muajt e fundit ka pasur një përgjigje pozitive nga qeveria greke në takimet mes dy komisioneve.
Intervistoi Alexia Tasouli / IBNA
Burimi: http://www.balkaneu.com/ibna-interview-ambassador-albania-dashnor-dervishi/
Ndaje me miqte