Bisedime AthinëShkup për çështjen e emrit. Zv/kryeministri Osmani: &ldquoKoha për vendime të guximshme&rdquo
Robert GORO
10 Janar 2018
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, ka deklaruar se midis Shkupit dhe Athinës nuk ka ende asnjë marrëveshje për zgjidhjen e kontestit për emrin. “Nuk ka deri më tani asnjë marrëveshje për ndonjë farë zgjidhjeje. Vazhdojnë negociatat. Presim në fund të këtij muaji negociatorin Nimetz, shpresojmë të vijë me një propozim konkret, të cilin do ta shqyrtojmë dhe do të pozicionohemi”, theksoi Osmani, i cili të martën zhvilloi takime në Athinë me krerët e diplomacisë greke.
Bujar Osmani madje shtoi se “gjithçka që publikohet në media për emra të ndryshëm apo propozime janë vetëm supozime dhe nuk e ndihmojnë procesin”.
Osmani pati një takim dhe më pas një drekë pune me ministrin e jashtëm Nikos Kotzias, ndërsa më herët ishte takuar me ministrin e çështjeve europiane, Jorgos Katrugalos.
Duke shprehur kënaqësinë e tij për këto takime, që i cilësoi si produktive, Osmani deklaroi se qeveria e Maqedonisë angazhohet për gjetjen e një zgjidhjeje dhe theksoi nevojën që ky proces të intensifikohet në ditët dhe javët e ardhshme.
Ndërkaq, në një intervistë ekskluzive për Tribuna-News, Bujar Osmani ka theksuar se të dy palët duhet ta shfrytëzojnë të këtë vullnet të mirë të dy qeverive e ta mbyllim një herë e përgjithmonë këtë çështje, e cila “po bllokon perspektivën tonë, po bllokon progresin, po bllokon mundësinë për një bashkëpunim të mirë ndërmjet dy shteteve fqinje të cilat kanë aq shumë potencialë për të bashkëpunuar e për t’i dhënë njeri tjetrit vlera”.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, i cili vjen nga radhët e partisë më të madhe shqiptare në vendin fqinj, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), thekson se të dy palët duhet të “humbin dhe të fitojnë diçka” për të arritur te kompromisi, ndërsa vlerëson se opinioni publik në vend është i gatshëm që të mbështesë atë zgjidhje kompromisi, pasi “qytetarët janë të lodhur nga statuskuoja dhe bllokimet”.
E gjithë intervista dhënë drejtorit të Tribuna-News, Robert Goro ka si më poshtë:
Robert GORO: Zoti Osmani, pas takimeve që zhvilluat sot në Athinë, a mendoni që janë shtuar vërtet gjasat për të pasur një zgjidhje përfundimtare në mosmarrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit kushtetues të vendit tuaj?
Bujar OSMANI: ?do vizitë, çdo kontakt midis zyrtarëve të të dy vendeve krijon një urë më tepër. ?do urë më tepër, krijon mundësi më tepër për të gjetur një zgjidhje. Unë prej fillimit kam thënë se në kushtet e armiqësisë dhe të moskontaktit ndërmjet të dy shteteve nuk mund të shpresojmë të gjejmë zgjidhje. Vetëm komunikimi i rregullt do të na krijojë parakushtet për të gjetur një zgjidhje, prandaj dhe kjo vizita e sotme vetëm na ka përafruar më tepër në qëndrime apo ka qartësuar disa dilema që kemi dy qeveritë për këtë çështje. Unë shoh një vendosmëri dhe përkushtim të qeverisë greke për ta përmbyllur këtë çështje këtë vit. Ky përkushtim e kjo vendosmëri është edhe te qeveria e Maqedonisë dhe mendoj që duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe këtë vullnet të mirë të dy qeverive e ta mbyllim një herë e përgjithmonë këtë çështje e cila po bllokon perspektivën tonë, po bllokon progresin, po bllokon mundësinë për një bashkëpunim të mirë ndërmjet dy shteteve fqinje të cilat kanë aq shumë potenciale për të bashkëpunuar e për t’i dhënë njeri tjetrit vlera.
Robert GORO: Në një intervistë para disa muajsh më kishit thënë se klima e mirë ndihmon edhe në zgjidhjen e çështjes së emrit. A mendoni se që nga ndryshimi i pushtetit në Maqedoni kjo klimë midis të dy vendeve ka filluar të përmirësohet?
Bujar OSMANI: Në qeverinë e kaluar ne kishim situata të provokimeve të ndërsjella dhe të krijimit të mosbesimit dhe të armiqësisë ndërmjet shteteve. Kjo ka përfunduar me qeverinë e re. Nuk ka provokime të reja, por në fakt percjellim mesazhe bashkëpunimi. Kontakte të përditshme të ministrit të punëve të jashtme, kryeministrit, e kështu me radhë. E kjo po krijon një mjedis të ri. Tani duhet të marrim disa masa shtesë, për të krijuar edhe një shtresë le të them të atij mirëbesimi, derisa të arrijmë te zgjidhja finale e problemit. Si kornizë janë të mira masat e mirëbesimit me të cilat po punohet në shumë sfera. Sot biseduam edhe me ministrin për çështje europiane për mundësinë e bashkëpunimit konkret në të gjitha fushat. Dhe kjo do të rritë besimin tek njerëzit, do të ulë paragjykimet. Janë krijuar shumë paragjykime gjatë këtyre dy dekadave të moskomunikimit dhe normalisht në kushtet e moskomunikimit krijohen edhe frikëra edhe paragjykime. Prandaj kjo atmosferë pozitive tani duhet të futet në funksion, me vendime të guximshme të cilat duhet t’i ndërmarrin politikanët.
Robert GORO: Për t’u gjetur një zgjidhje e pranueshme nga të dy palët, nevojitet edhe një kompromis që duhet bërë gjithashtu nga të dy palët. Pala greke thotë se e ka bërë kompromisin e vet, me pranimin e fjalës “Maqedoni” në përbërje të emrit. Cili do të ishte kompromisi i mundshëm që do të bënte pala juaj?
Bujar OSMANI: Në këto situata thuhet gjithmonë se dy palët duhet të dalin humbëse ose të dalin fituese. Unë mendoj që zgjidhja duhet të jetë diku në mes. Të dy palët duhet edhe të fitojnë edhe të humbin diçka në këtë proces dhe diku në mes të arrihet ai kompromis. Unë nuk dua të futem në detajet e bisedimeve, për shkak se mendoj që është herët dhe mund të kompromentojë gjithë procesin. Ajo që është me rëndësi, është vullneti i mirë për të gjetur një zgjidhje. Natyrisht, duke i mbrojtur disa pozicione që janë jetike për të dy palët. Prandaj të presim që zoti Nimetz vjen me një propozim -po qoftë edhe palët mund të japin propozime konkrete - dhe pastaj të ulemi dhe t’i shqyrtojmë ato versione.
Robert GORO: A mendoni se opinioni publik në vendin tuaj është i gatshëm që ta pranojë zgjidhjen që do të propozohet?
Bujar OSMANI: Mendoj që qytetarët janë të lodhur nga statuskuoja. Ajo çka ndodhi me zgjedhjet lokale ishte një mesazh i rëndësishëm. Traktati ose marrëveshja me Bullgarinë e cila nuk nënshkruhej për një dekadë e më tepër nga frika se si do të reagonte opinioni, u nënshkrua një muaj para zgjedhjeve lokale. Ligji për gjuhën shqipe u fut në parlament një muaj para zgjedhjeve lokale. ?ështja e emrit u lancua për t’u zgjidhur një muaj para zgjedhjeve lokale. Dhe kur të gjithë prisnin që tani do të ketë dënim ndaj partive në pushtet, ndodhi e kundërta: kishte një mbështetje plebishitare të partive në pushtet. Ky ishte një mesazh nga qytetarët se ata janë lodhur nga bllokimet. Dhe se duan politikanë të cilët janë të vendosur për të ofruar zgjidhje. Dhe jo për të gjetur alibi për moszgjidhje. Mendoj që kjo është një mesazh dhe një porosi që kemi marrë nga qytetarët se ne duhet të vazhdojmë me hapa të tillë të guximshëm dhe t’i mbyllim edhe çështjet e tjera që kanë mbetur, me qëllim që të hapim perspektivën e gjeneratave të reja.
Robert GORO: Ju falënderoj dhe ju uroj sukses.
Bujar OSMANI: Faleminderit shumë edhe juve.
Ndaje me miqte