0030 210 33 18 483

Biznese shqiptare në Greqi më shumë se 50 milionë euro detyrime të pashlyera

12 Korrik 2016

Qeveria greke ka publikuar emrat e mijëra personave që kanë më shumë se 150.000 euro detyrime të pashlyera tatimore dhe doganore. Në listat e publikuara janë emrat e 6.226 personave fizikë, që të gjithë së bashku kanë detyrime me vlerë 19,6 miliardë euro; si dhe të 9.453 kompanive, me një shumë të përgjithshme detyrimesh që arrin në 63 miliardë euro. Mes tyre ndodhen emrat edhe të 61 shtetasve shqiptarë, që kanë patur ose kanë biznese të vogla dhe që vit pas viti detyrimet u janë rritur. 61 shtetasit shqiptarë, të evidentuar nga leximi i listës, kanë një shumë detyrimesh ndaj shtetit grek, me vlerë më shumë se 53 milionë euro. “Kampion” është një bashkatdhetar i yni, me një detyrim prej 7.461.225,17 eurosh. Në fakt, kjo shumë përbën dyfishin e detyrimit fillestar prej 3.918.710,70 eurosh, që është rritur më pas (dhe vazhdon të rritet) gradualisht, për shkak të kamatë vonesave dhe gjobave të ndryshme. Më tej, 2 shtetas shqiptarë kanë detyrime me nga më shumë se 4,5 milionë euro secili, dy të tjerë me më shumë se 3,7 milionë, dhe njeri 1,2 milionë euro. Pastaj vijojnë të tjerët, me shuma që variojnë nga 850.000 euro dhe në fund fare, njeri që ka një borxh prej 219.668,94 euro. Në fakt, numri i debitorëve me mbi 150.000 euro detyrime (përfshirë edhe ata shqiptarë), është shumë më i madh. Sekretariati i të ardhurave publike në ministrinë e financave sqaron se emrat e përfshira në listë u përkasin individëve dhe subjekteve që ishin njoftuar për të rregulluar detyrimet e tyre, por nuk u përgjigjën. Gjithashtu në listë nuk përfshihen personat dhe subjektet që po i shlyejnë me këste detyrimet dhe janë korrektë në pagesat e tyre. Si dhe ata të cilët kanë bërë kërkesë për lehtësime dhe kërkesa e tyre ndodhet ende në fazën e zhvillimit. Si janë krijuar borxhet e subjekteve shqiptare Gjithsesi, nuk ka si mos të të bëjë përshtypje që biznesmenë shqiptarë kanë krijuar borxhe me vlera kaq të larta, kur shumica e tyre kanë pose kanë patur biznese të vogla, aq sa për të nxjerrë një ditë pune (“merokamë”), siç i thonë fjalës. Duke lënë mënajnë krizën e cila në njerën apo tjetrën mënyrë ka krijuar vështirësira kolosale për gjithë biznesmenët, të mëdhenj e të vegjël në Greqi, ka edhe arsye të tjera. Shumica e borxhave kanë arritur shifra të tilla përtej imagjinatës, për shkak të pamundësisë së bizneseve që të shlyejnë në kohën e duhur detyrimet. Në këtë mënyrë, me kamatë vonesat e vazhdueshme dhe penalizimit e nbdryshme, borxhi ka vazhduar një kurbë rritëse e të vështirë për t’u përballuar. Nga ana tjetër, nuk janë të pakët biznesmenët shqiptarë që kanë pranuar rolin e “bedelit”. Domethënë, një grek, për arsyet e veta, e ka regjistruar biznesin në emrin e një shqiptari që mund ta ketë patur punonjës apo të njohur. Këta të fundit kanë patur në dorë vetëm “çelësat e kashtëds” dhe ndoshta një të ardhur të kënaqshme. Por në fund, “fatura e kripur” u ka ardhur vetëm shqiptarëve, pasi ata njihen si përfaqësues zyrtarë të subjektit. Menjëherë pas publikimit të listës nga ministria e financave, gjithë analistët kanë vënë në dukje se shteti grek do ta ketë të pamundur të inkasojë gjithë këtë borxh me vlerë të përgjithshme 72,6 miliardë euro. Shumë prej kompanive debitore, ose kanë falimentuar ose (ato shtetërore), janë privatizuar. Debitorja më e madhe është kompania financiare Akropolis, me borxhe që arrijnë në 8,5 miliardë euro dhe që ka falimentuar që në mesin e viteve 2000. Nga ana tjetër, ish kompania shtetërore e fluturimeve Olympic Airways, me borxhe me vlerë 1,35 miliardë euro, është privatizuar që në vitin 2008, me kusht që kompania private e cila e bleu të mos trashëgonte edhe detyrimet e Olimpikut, ashtu sikurse dhe u bë. Në këto kushte, shteti do të zbatojë sportin e vet të preferuar, pra të presojë individët, me qëllim që t’u marrë atyre edhe centin e fundit... Tribuna

Ndaje me miqte