Britania e Madhe vendos për qëndrimin ose jo në BE
23 Qershor 2016
Britania e Madhe zhvillon të enjten referendumin për qëndrimin ose jo në Bashkimin Evropian.
Qytetarët do të shprehin qëndrimin e tyre në 41 000 qendra votimi, që u hapën në orën 07,00 (08,00 me orën e Shqipërisë).
”Rreth 46,5 milionë votues janë regjistruar në 382 zona zgjedhjore”, tha Komisioni Elektoral, ndërkohë që ekspertët thonë se pritet një pjesëmarrje nga 60 deri në 80 për qind.
Votuesit do t’i përgjigjen vetëm një pyetjeje: “A duhet që Mbretëria e Bashkuar të mbetet anëtare e Bashkimit Evropian apo duhet të largohet nga Bashkimi Evropian?”.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 21,00, ndërkohë që rezultatet e para priten gjatë orëve të para të së premtes dhe rezultati përfundimtar rreth orës 07:00 GMT (+1), po të kësaj dite.
Përqindja e pjesëmarrjes në referendum që do të jewtë komunikuar më përpara, mund të ofrojë një tregues të rëndësishëm për rezultatin. Nëse pjesëmarja është e lartë, kjo mund të favorizojë kampin që është në favor të qëndrimit në BE.
Brexit - Fitore apo humbje e pakthyeshme për britanikët?
Shumica e qytetarëve të BE-së duan që britanikët të mbeten pjesë e unionit, këtë konkluzion nxjerr një sondazh i fondacionit Bertelsmann, ku afro 60% e qytetarëve në vende të ndryshme të BE-së, e duan Britaninë e Madhe pjesë të saj.
Bezdia e britanikëve nga BE
Por cilat do të ishin avantazhet e britanikëve në rast të një largimi? Në rast se britanikët vendosin të dalin nga Bashkimi Europian fillimisht do të heqin mënjanë disa bezdi të vjetra për ta: Ata nuk do të duhet më të zbatojnë ligjet e BE-së që shpesh janë ndjerë si kufizime, nuk do të duhet të marrin emigrantë pa kufi, dhe nuk janë të detyruar më të paguajnë kontribute për shtetet e unionit që janë të zhytura në borxhe dhe aktualisht në krizë ekonomike. Kjo do të thotë që rreth 5 miliardë euro në vit do të mbeten në Britaninë e Madhe dhe nuk do të rrjedhin drejt Brukselit. Këtë shumë duhet ta kompensojnë shtetet e tjera anëtare të BE-së. Gjermania do duhej të paguante këtu kontributin më të madh.
Disavantazhet
Por "Jo"-ja e britanikëve nuk do të kalonte pa pasoja për këtë vend. Deri në vitin 2020, kështu vlerëson Dhoma Britanike e Industrisë (CBI), fuqia ekonomike e Britanisë së Madhe do të dobësohet me 128 miliardë euro. Ishulli nuk ka më akses të garantuar tek një treg shumë i rëndësishëm, si tregu i Bashkimit Europian. Nga ana tjetër shumë firma do të largoheshin nga Britania e Madhe. Prodhuesit e makinerive si Nissan, nuk do mund të furnizonin Europën kaq thjesht si tani. Largimi i bizneseve mund t'u kushtonte britanikëve gati 1 milionë vende pune. Bankat ndërkombëtare do t'i kthenin kurrizin Londrës. Goldman Sachs do të shkonte në Frankfurt mbi Main-, sepse kjo bankë dëshiron të mbetet në BE. City - një nga bursat më të rëndësishme të botës do të humbiste peshën e sotme.
Britanikët duhet të të negocionin marrëveshje të reja me secilin vend të BE-së, kjo mund të zgjasë, dhe këtu britanikët janë partneri më i vogël 65 milionë banorë kundrejt 435 milionë banorëve të BE-së. Britanikët duhet të vendosin sërish doganat dhe kjo do t'i shtrenjtonte si importet ashtu edhe eksportet. Britania e Madhe do të humbiste 3,0 të prodhimit të brendshëm bruto. A ka fitues në rast të Brexit? Ekonomistët thonë jo. Si ekonomia e Britanisë së Madhe ashtu edhe BE do të humbisnin në rast se britanikët do të largoheshin, sepse BE humbet një partnere të fortë.
Ndaje me miqte