Bushati për ligjin e luftës: &ldquoMinistri i jashtëm grek e ka lënë hapur fare qartë shtegun e shfuqizimit&rdquo
23 Mars 2016
Ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati është shprehur në një intervistë ekskluzive për “tribuna-news” se takimi me homologun e tij grek Nikos Kotzias, në Athinë, dy ditë më parë, ka shënuar një progres për trajtimin e çështjeve më të mprehta në marrëdhëniet shqiptaro - greke.
“Në rast se fillimisht ka patur vështirësi edhe për të artikuluar çështje të cilat ishin objekt mosmarrëveshjesh mes dy vendeve tona, sot nuk ka më vështirësi në artikulim. Dhe mund të them se për një pjesë të mirë të këtyre çështjeve, mund të konsideroj se jemi afër një zgjidhjeje që është e pranueshme edhe për të dy palët”, ka theksuar shefi i diplomacisë shqiptare.
Ministri i jashtëm shqiptar është shprehur optimist edhe për kërkesën konstante të Tiranës për shfuqizimin e ligjit të luftës: “Besoj se ministri Kotzias e ka lënë hapur fare qartë shtegun e shfuqizimit formal të ligjit të luftës”, ka deklaruar Bushati për “tribuna-news”, duke komentuar se kapërcimi i problematikave të trashëguara apo të krijuara në kohët më të reja hap rrugën edhe për zgjidhjen e shumë problemeve që influencojnë jetën e emigrantëve shqiptarë në Greqi.
E gjithë intervista e ministrit të jashtëm shqiptar, dhënë gazetarit Robert Goro ka si më poshtë:
PYETJE: Keni përmendur disa herë, edhe ju, edhe homologu juaj grek, fjalën “mekanizëm”, a mund të më thoni pak më hollësisht se çfarë nënkupton kjo? Eshtë thjesht një eufemizëm, apo do të jetë një organ i institucionalizuar, bie fjala?
MINISTRI BUSHATI: Bëhet fjalë për shtimin e kontaktit dhe takimeve, fillimisht në nivelin e ministrave të jashtëm. Kemi rënë dakord që të vazhdojnë bisedimet në muajin maj, pra pas dy muajsh për të rishikuar progresin dhe për të kuptuar më mirë se si mund të vazhdojë ky proces në nivelin dypalësh. Nuk mungon pjesa institucionale. Ka takime në nivel të sekretarëve të përgjithshëm dhe në nivel të grupeve të punës që janë themeluar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Por nuk diskutohet që këto janë çështje të komplikuara, të cilat kërkojnë një vendimmarrje politike dhe besojmë se edhe një dialog më i thelluar në nivel të ministrave, mund të përshpejtojë adresimin e disa prej çështjeve të cilat kanë vite e vite që janë të paadresuara.
PYETJE: As mund të supozojmë se në takimet që keni patur me palën greke, qoftë ju me homologun tuaj, qoftë delegacionet dypalëshe, është hartuar si me thënë një grafik për këtë axhendë? Ju më përmendët muajin maj. A do të ketë takime të tjera, a do të ketë takime të komisioneve mikste, p.sh., komisioni i nenit 15 (për pronat) të Traktatit të Miqësisë?
MINISTRI BUSHATI: Ka një axhendë deri në fundin e vitit; jo thjesht një seri takimesh, por dhe çështje të cilat ne mund t’i përballim në diskutime; kemi skicuar disa rrugëdalje. Natyrisht, nuk ka dakordësi të plotë edhe për këto çështje për të cilat diskutojmë. Por mendoj se kemi një progres në krahasim me vitin e kaluar, sepse në rast se fillimisht ka patur vështirësi edhe për të artikuluar çështje të cilat ishin objekt mosmarrëveshjesh mes dy vendeve tona, sot nuk ka më vështirësi në artikulim. Dhe mund të them se për një pjesë të mirë të këtyre çështjeve, mund të konsideroj se jemi afër një zgjidhjeje që është e pranueshme edhe për të dy palët.
PYETJE: Siç e keni thënë edhe vetë vazhdimisht, ekzistenca e këtyre çështjeve të nxehta - le ta them kështu- ka influencuar në një farë mënyre edhe në keijimin e problemeve të jetës së përditshme që prekin emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi. Ju thatë se tani gjetët një predispozicion të mirë për vulën apostile, për çertifikatat. A mendoni se një pjesë e këtyre “problemeve të përditshme” mund të gjejnë zgjidhje më shpejt se sa të konkludohet puna për zgjidhjen e gjithë paketës?
MINISTRI BUSHATI: Shpresoj shumë. Ka një dakordësi nga pala greke për çështjet të cilave ju iu referuat, zgjidhja e të cilave do të kishte një impakt shumë pozitiv për shqiptarët që jetojnë në Greqi. Në fakt, është një model të cilin ne e kemi aplikuar me Italinë dhe po jep sukseset e veta në praktikë. Nga pikëpamja infrastrukturore jemi duke punuar për ta jetësuar sa më shpejt që të jetë e mundur. Kuptohet, nevojitet edhe pëlqimi i palës greke, i cili në parim është dhënë. Ideja jonë është që të ecim më shpejt në ato çështje për të cilat mund të ketë një dakordësi më të menjëhershme.
PYETJE: Homologu juaj grek, edhe pas takimit tuaj të fundit, tha se për Greqinë nuk ekziston gjendje lufte me Shqipërinë. Megjithatë u paraqit i hapur nëqoftëse, siç tha, ka kërkesa për interpretime juridike nga pala shqiptare. Nëse mundeshit, do të doja të më thonit, kur jeni në bisedime të dy delegacionet, - nuk po them kokë më kokë -, dhe shtroni këtë çështje, pra heqjen e gjendjes së luftës, cili është argumenti zyrtar që paraqet pala greke? Se nuk besoj që t’ju thotë edhe juve që “nuk ekziston gjendja e luftës dhe ne nuk kemi çfarë të heqim”...
MINISTRI BUSHATI: Nuk besoj se është korrekte që unë të komentoj apo të përcjell në opinionin publik atë çka mund të diskutohet, sepse kjo do të cënonte disi edhe besueshmërinë e procesit. Por besoj se ministri Kotzias e ka lënë hapur fare qartë shtegun e shfuqizimit formal të ligjit të luftës. Natyrisht, ka një dallim mes pjesës formale, pasojave ligjore dhe politike që pat sjellë ligji i luftës dhe gjendjes së luftës. Ne jemi dy vende që jemi anëtare të NATO-s, nuk kemi as frikë dhe as nuk kërcënohemi nga pikëpamja e sigurisë kombëtare nga Greqia. Por nga ana tjetër, ligji i luftës është një relike që duhet të shfuqizohjet, sepse ka efekte të drejtpërdrejta politike dhe ligjore. Dhe kjo është ajo që e konsiderojmë si pjesë formale dhe që besojmë se pala greke do ta shfuqizojë.
Intervistoi: Robert GORO
Ndaje me miqte