Debati i liderëve politikë grekë sa për sy e faqe...
10 Shtator 2015
Negative ishte në opinionin publik vendas, përshtypja e përgjithshme nga debati i liderëve politikë grekë, që u zhvillua të mërkurën në mbrëmje, zgjati plot 3 orë dhe u transmetua direkt nga gjithë televizionet kombëtare.
Sipas analistëve, lidetët e gjashtë partive (nga debati u përjashtua Agimi i Artë), dhe bashkëpunëtorët e tyre, nuk arritën të gjenin një gjuhë të përbashkët mbi mënyrën e zhvillimit të pyetje-përgjigjeve, me rezultat të kishim zgjidhjen e “monologjeve” që zgjatnin rreptësisht 1,5 minuta.
Analistët gjithashtu theksojnë se pyetjet e gazetarëve ishin shumë të goditura dhe ata u përpoqën të t’i detyronin liderët që t’i thoshnin të vërtetën popullit. Mirëpo, politikanët, siç e kanë zakon, mbetën të mbërthyer pas diskursit të thatë, pasi ajo që u interesonte ishte imazhi dhe jo thelbi.
Të vetmet momente që zgjuan (një fije) interes, ishin konfrontimet e tensionuara midis kryetarit të Demokracisë së Re Meimarakis dhe atij të Grekëve të Pavarur Kamenos, mbi skandalet me programet e armatimit, si dhe përplasja midis Meimarakis dhe Tsipras për çështjen e borxhit. Madje, kjo përplasje e dytë kishte si rezultat që mos të mundte të merrte fjalën, sipas programit, fjalën, kryetarja e PASOK-ut, Fofi Genimata.
?’thanë Tsipras e Meimarakis
Aleksis Tsipras pranoi se qeveria e tij nuk arriti të realizonte “një pjesë të angazhimeve tona”, por premtoi se “do t’i arrijmë në të ardhmen”. Tsipras kështu iu përgjigj pyetjes se përse duhet t’i besojë populli grek, përderisa SYRIZA nuk mbajti premtimin për të hequr taksën unike mbi pasurinë e patundshme (ENFIA), apo se do të vendoste në 12.000 euro limitin e të ardhurave të patatueshme.
Përveç periudhës së shkurtër të qeverisjes (shtatë muaj), Tsipras ia dedikoi mospërmbushjen e premtimeve edhe kuadrit shtrëngues të negociatave me kreditorët, duke shtuar se me marrëveshjen e re që u arrit më 12 korrik, u hodhën bazat për stabilizimin e ekonomisë dhe se beteja për realizimin e premtimeve po vazhdon.
I pyetur për ish ministrin e financave Janis Varufakis, Tsipras tha se në këtë betejë që bëri qeveria duke patur përballë forca asimetrike, pati alternativa që në fillim dhanë një shtysë të fuqishme edhe në nivel europian, mirëpo pastaj u bënë edhe gabime dhe ekzagjerime, të cilat u korrigjuan në momentin kritik dhe ne vumë interesin e vendit mbi gjithçka”.
Në përgjigje të pyetjes mbi çpremtimet e pambajtura të Demokracisë së Re, Kryetari i kësaj partie, Evangelos Meimarakis, kërkoi votën e qytetarëve, me qëllim që të “përmbushim ato që nuk arritëm mandatin e mëparshëm”. “Eshtë e vërtetë se bëmë shumë premtime në 2012. Shumë prej tyre i realizuam”, mirëpo “Demokracia e Re nuk kishte maxhorancën e plotë, ishim në bashkëpunim me PASOK-un”.
Sipas Meimarakis, janë qytetarët ata që do të gjykojnë se si ka ecur vendi. “Deri në janar vendi po ecte shumë mirë. U reduktua taksa e posaçme, u ul taksa e naftës për ngrohje”, tha Meimarakis dhe shtoi: “Po të kishim një mandat 4 vjeçar dhe nuk ndërpritej forcërisht mandati ynë, do t’i kishim bërë ato që premtuam”. I pyetur nëse do të bashkëpunojë sërish me parti të tjera për qeveri koalicioni, Meimarakis tha se Demokracia e Re kërkon një qeveri me horizonte kohor 4 vjeçar, që të mundë të realizojë programin e saj”.
Bashkëpunimi pas zgjedhjeve
Sa i përket çështjes së bashkëpunimit midis partive, Meimarakis i Demokracisë së Re, përsëriti ftesën e tij për qeveri të përbashkët me SYRIZA-n, madje u kthye dy herë nga zoti Tsipras, duke i thënë se ishte i gatshëm që të takoheshin madje dhe të enjten në selinë e radikalëve të majtë. Gjithsesi, meimarakis nuk i kurseu as kunjat në drejtim të ish kryeministrit duke thënë se “Tsipras baraz me zgjedhjke, destabilitet dhe pasiguri”.
Drejtuesi i To Potami, Stavros Theodorakis, deklaroi se partia e tij, që të marrë pjesë në një koalicion qeveritar, do të shtrojë tre kushte, njerin prej të cilëve e bëri publik gjatë debatit: “një zgjidhje e pranueshme nga të gjithë për postin e ministrit të arsimit, që duhet të jetë jo partiak”.
Panos Kamenos (Grekët e Pavarur), përsëriti se partia e tij nuk do të bashkëpçunojë me PASOK-un, për sa kohë tek ajo parti do të ketë persona që ndërlidhen me skandale, ndërsa lidhur me To Potami tha se më parë do të duhet të sqarojë tërësisht qëndrimet lidhur me çështjet kombëtare.
Fofi Genimata përsëriti tezën e PASOK-ut në favor të mirkëuptimit kombëtar, ndërsa e konsideroi si nevojë kombëtare riorganizimin dhe forcimin e qendrës së majtë. Ajo iu referua bashkëpunimit të PASOK-ut me Të majtën Demokratike (DIMAR), ndërsa shtoi se “SYRIZA as si pasagjer pa biletë nuk mund të kalojë nga hapësira e qendrës së majtë”.
Kryetari i partisë së porsakrijuar Uniteti Popullor (LAE), Panajotis Lafazanis, shprehu parashikimin se pas zgjedhjeve do të ketë bashkëqeverisje të pesë partive që që janë në favor të memorandumeve me kreditorët”, duke theksuar se pas çdo beteje elektorale shtohen partitë që mbështesin masat shtrënguese.
Tribuna
Ndaje me miqte