0030 210 33 18 483

Emigrantët e brezit të dytë këta qytetarë grekë pa nënshtetësi greke

30 Maj 2015

Nga ana tjetër, emigrantët e brezit të dytë, -të cilët as nuk janë emigrantë dhe për mendimin tim është gabim të konsiderohen të tillë, sepse janë fëmijë emigrantësh, por vetë ata nuk janë emigrantë-, janë asimiluar dhe integruar plotësisht në Greqi në një masë të tillë sa, dallimi i tyre nga grekët e tjerë do të ishte i padrejtë, i panatyrshëm dhe problematik. Nga Katerina Llano* Besoj se është shumë esenciale të kuptojmë dhe të ngulitim në mendjen tonë diçka shumë të thjeshtë: kur flasim për emigrantë të brezit të dytë nuk i referohemi atij grupimi emigrantësh që kanë ardhur në Greqi qoftë si emigrantë ekonomikë, si refugjatë apo si viktima të luftrave. Kur flasim për emigrantë të brezit të dytë, në të vërtetë flasim për njerëz të rinj, të cilët ose kanë lindur në Greqi, ose erdhën këtu në moshë shumë të vogël, apo kanë studiuar në shkollat dhe universitetet greke. Rezultati është që këta të mos kenë asnjë lidhje me emigracionin në vetvete dhe sigurisht nuk ndihen si emigrantë, pavarësisht që konsiderohen dhe trajtohen si emigrantë. Gjithashtu nuk kanë asnjë kujtesë migrimi - asnjë lloj nostalgjie-, përderisa nuk u detyruan të lenë atdheun e tyre dhe të shkojnë në një vend të huaj, ashtu si brezi i parë i emigrantëve. Shumica e emigrantëve të brezit të dytë kanë njohur vetëm një vend, vetëm një atdhe dhe kjo është Greqia. Do të doja të vija në dukje ndryshimet kryesore ndërmjet emigrantëve të brezit të parë me ata të brezit të dytë, sepse besoj se po të kuptojmë në thellësi diversitetin dhe hendekun që ekziston ndërmjet tyre, do të mundim të kuptojmë më mirë edhe nevojat e tyre dhe t’i ndihmojmë më esencialisht sa i përket çështjes së marrjes së nënshtetësisë. Do të mund pra, të thoshnim, se, emigrantët e brezit të parë ishin kryesisht njerëz që erdhën në Greqi si të përndjekur, herë në mënyrë të ligjshme dhe herë të paligjshme, në kërkim të një strehe dhe rrugëdaljeje që do t’u siguronte një nivel më të mirë jetese. Këta ishin kryesisht emigrantë ekonomikë, që lanë vendin e tyre për shkak se kushtet e jetesës në atdhe ishin nën mesataren, sepse të ardhurat nuk ishin të mjaftueshme për të përtballuar necvojat e tyre jetike dhe rrjedhimisht kërcënohej vetë ekzistenca e tyre. Këta emigrantë erdhën në Greqi pa e njohur gjuhën, pa njohur zakonet, doket, traditat, historinë, politikën dhe fenë e këtij vendi. Erdhën në Greqi në kërkim të një pune dhe u përpoqën për integrim social, por duke mbetur gjithmonë në sipërfaqe të gjërave, çka do të thotë se nuk arritën të asimilioheshin krejtësisht nga ky vend, sepse nuk kishin jetuar gjithë jetën e tyre në Greqi. Besoj se emigrantët e parë ishin dhe janë ende të dyzuar ndërmjet dy vendeve, dy gjuhëve, dy identiteteve. Mbajnë brenda tyre kulturën e vendit nga erdhën, ndërsa paralelisht përpiqen të përshtaten në rrethanat e vendit në të cilin ndodhen. Nga ana tjetër, emigrantët e brezit të dytë, -të cilët as nuk janë emigrantë dhe për mendimin tim është gabim të konsiderohen të tillë, sepse janë fëmijë emigrantësh, por vetë ata nuk janë emigrantë-, janë asimiluar dhe integruar plotësisht në Greqi në një masë të tillë sa, dallimi i tyre nga grekët e tjerë do të ishte i padrejtë, i panatyrshëm dhe problematik. Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve kanë kryer arskimin grek, deklarojnë si gjuhë amtare greqishten, zotërojnë historinë e vendit që nga qytetërimi antik deri në kohën moderne, kremtojnë dhe festojnë doket, zakonet dhe traditat greke, marrin pjesë aktivisht në provimet e pjekurisë (panelladikes), pretendojnë vendin e tyre në universitetet greke dhe kur ndodh që të jenë nxënësit më të mirë të shkollës, mbajnë flamurin grek në paradat shkollore. Të gjitha këto dëshmojnë në mos gjë tjetër, integrimin dhe identifikimin e tyre me Greqinë. Rrjedhimisht, nëse duam të jemi të drejtë dhe të ndodhemi në simetri me realitetin, do të duhet të pranojmë se këta njerëz të rinj janë qytetarë grekë dhe kanë çdo të drejtë të marrin nënshtetësinë greke. Mirëpo, mundet që dikush me të drejtë të pyesë se përse është kaq e domosdoshme marrja e nënshtetësisë për emigrantët e brezit të dytë? Dhe përse këta të rinj nuk mjaftohen thjesht me favorin që kanë të jetojnë si qytetarë të ligjshëm në një vend të Bashkimit Europian? Me fjalë të tjera, çfarë është ajo që i shtyn këta të rinj të duan të bëhen grekë? Nuk u mjafton thjesht qëndrimi i tyre në Greqi? Përgjigjja është “JO”, nuk u mjafton! Sepse, po të pyesni vetë ata të rinj, do t’ju thonë se ndihen grekë (në kuptimin e integrimit), megjithëse rrënjët e tyre nuk janë greke dhe se duan që kjo të duket edhe në dokumentet e tyre. Kërkojnë trajtim të barabartë dhe të drejta të barabarta me qytetarët e tjerë grekë, sepse shumica e këtyre të rinjve kanë plotësuar kriterin më kryesor të integrimit dhe kjo është studimi i tyre në sistemin arsimor grek. Dhe pyes, nëse nuk është përvetësimi i arsimit grek kriter i mjaftueshëm për marrjen e nënshtetësisë greke, atëherë çfarë është? Kur gjithë mbrujtja shpirtërore dhe morale e këtyre të rinjve dhe gjithë vlerat mbi të cilat ata kanë ndërtuar personalitetin e tyre dhe virtytet e tyre rrjedhin nga një sistem grek, përse vazhdojmë t’i quajmë këta të rinj “emigrantë”? Përse i diskreditojmë dhe i detyrojmë të ndihen si qytetarë të kategorisë së dytë dhe nuk u ofrojmë thjesht atë që u takon me plot të drejtë? Si përfundim do të doja thjesht të thoshja se është shumë i madh numri i të rinjve që nuk kanë nënshtetësinë greke dhe që në këto momente privohen nga favoret e shtetit grek. Këta të rinj kanë të drejtën që të ndihen se përkasin diku, se nuk i kemi braktisur dhe se nuk janë në marxhinat e shoqërisë. Kanë të drejtën e trajtimit të barabartë. Duhet pra menjlherë t’u ofrojmë mundësitë që do t’i ndihmojnë të evoluojnë dhe të lehtësojmë sa më shumë që është e mundur procedurat për marrjen e nënshtetësisë. *) Autorja ka ardhur në moshë të vogël në Greqi ku emigruan prindërit e saj. Ky kryer studimet e larta për psikologji në Athinë dhe ato pasuniversitare në Goldsmiths University of London, Angli

Ndaje me miqte