0030 210 33 18 483

Ermal Sulaj: Përshtypjet e mia nga Samiti i Diasporës

Ermal SULAJ 23 Nentor 2016

Për herë të parë, Diasporës e sidomos ne emigrantëve të Greqisë na u dha mundësia nëpërmjet Samitit që u zhvillua në Tiranë më 18-20 nëntor te përfaqësohemi denjësisht në rang kombëtar. Nuk ishte ndërmarrë asnjëherë një hap i tille nga qeveritë e mëparshme shqiptare. Në Shqipëri, si një vend ekstremist i politizuar, shumëkush mund ta gjykojë më tepër si një shou paraelektoral sesa si një përpjeke te sinqertë nga ana e qeverisë. Por për ne rendësi ka që përpjekja jonë, që u gjendëm aty, të ishte e sinqertë. Shqiptarët e Shqipërisë dhe mediat aty duhet ta marrin parasysh dhe mos ta zhvlerësojnë ketë përpjekje tonën vetëm e vetëm për t’i ulur meritat qeverisë. Mund të them se organizimi ishte i arrirë. Si për herë të parë uroj që ideatorët dhe përgjegjësit për mbarëvajtjen e Samitit të kenë nxjerrë mësimet e tyre që në të ardhmen të jetë më i përkryer. Ndarja në panele e tematikave të ndryshme m’u duk ide e shkëlqyer. Vendosja e disa profesionistëve në panel, përsëri ide e mire. Personalisht mora pjesë në panelin numër pesë, “Të Ndërtojmë Rrjetin Ndërshqiptar të Aftësive”. Me pëlqyen idetë dhe konstatimet qe u thanë nga penalistët, ishin njerëz plot me eksperiencë dhe me nivel. E theksoj këtë sepse kisha frikë nga kjo anë ngaqë jemi mësuar të shikojmë në panelet televizive shqiptare pseudo-eksperte dhe militantë partiak që të ngjallin krupën, përveç Ministres së Inovacionit, Milena Harito që ishte zyrtarisht partiake dhe që praktikisht u mundua të ishte profesionale, e falënderoj për ketë. Pjesëmarrja në këtë panel ashtu si dhe në totalin e Samitit ishte e kënaqshme. Më erdhi keq kur situata u shfrytëzua nga njerëz që nuk i përkisnin diasporës por ishin strukur midis publikut te diasporës, një ish deputet dhe tre të tjerë që kërkonin punë në administratë me pretendimin se kishin qenë dikur emigrantë dhe ishin kthyer në atdhe. Bile njeri prej tyre me sa mora vesh më pas kishte pas punuar vite më përpara në ministri të jashtme dhe kërkonte të rifillonte punë, me gjasë që as që kishte qenë ndonjëherë në emigracion. U ndjeva i fyer, jo nga organizatorët, por nga mosrespekti i patriotëve te mi aty, për pak paneli desh degradoi në debat politik klasik siç e shohim rëndomtë në ekranet televizive. - Edhe këtu nuk na lan rehat - thashë me vete - të paktën ne Athinë ndërroj kanalin televiziv dhe nuk i dëgjoj. M’u krijua përshtypja që dhe në panelet e tjera do ishte e njëjta situatë. Gjysma e kohës që publiku diasporës kishte në dispozicion për t’iu drejtuar panelit te ekspertëve për pyetje përgjigje dhe për ide te reja u zu nga vendasit qe kërkonin punë në administratë. Ajo qe vura re tjetër ishte që pjesëmarrja e emigranteve nga Greqia linte për te dëshiruar, nuk pashë studentë dhe as te rinj siç dominonte diaspora nga Amerika, Kanadaja dhe Evropa Perëndimore, por edhe nga Kosova e Maqedonia. Dhe merrni parasysh që në Greqi jetojnë zyrtarisht 600 mijë emigrantë shqiptarë, pra një e treta e të larguarve nga Shqipëria. Ne panelin tim qe ishte tej mase i rëndësishëm, “Si të ndërtojmë Rrjetin Ndërshqiptar të Aftësive”, unë isha i vetmi nga Greqia, m’u duk vetja përsëri emigrant! Mos vallë Greqia nuk ka intelektualë shqiptarë, mos vallë ndihen te paaftë dhe nuk ishin të interesuar te vinin në atë panel!? Nga sa pashë më vonë në takimin me Kryeministrin kishte goxha emigrantë nga Greqia, shumica përfaqësues te shoqatave të ndryshme dhe aktivistë të Partisë Socialiste ne Emigracion. Dhe nga sa mora vesh më mbas shumica kishin zgjedhur te merrnin pjesë në panelin shtatë dhe tetë, përkatësisht “Organizimi i Diasporës dhe roli i saj në zhvillimin e Atdheut” & “Përfaqësitë diplomatike dhe Diaspora”. Përveçse një mos organizimi nga bashkësia me e madhe e emigrantëve shqiptar vihej re dhe tendenca përfituese e pjesëmarrjes së tyre. Të intriguar nga titujt e paneleve rendën për të bere takime dhe selfie në këto panele. Përveç pjesëmarrjes së njërës panelisteje, e cila është me të vërtet eksperte ne çështjet e emigracionit ne Greqi, ishin shumë pak nga te ndodhurit aty që me të vërtet mund të jepnin diçka apo të përfitonin ndonjë përvoje nga ky bashkëbisedim. Por nëse do ishin aktivizuar në panelet e tjera jam shumë i sigurt se do kishin qenë më produktivë. Pjesëmarrja masive vetëm në dy panele nga tetë që ishin, tregon se shqiptarët e Greqisë, për fat të keq nuk kanë shumë ndryshim nga ata të Shqipërisë dhe përfundimisht nuk kemi seç t’u ofrojmë më shumë nga sa i ofrojnë vetvetes shqiptarët aty. Në takimin me kryeministrin ai vendosi që të ndodhej i vetëm në panel dhe ta ndryshonte fjalimin e tij në bashkëbisedim pyetje-përgjigje me përfaqësuesit e Diasporës. Nga përfaqësuesit e Greqisë pyetjet u drejtuan kryesisht nga shqiptarët e veriut të Greqisë me qendër Selanikun. Nga Athina, shumicën e të cilëve dhe i njihja, ata qe e mbanin veten si baballarë te komunitetit nuk bën asnjë përpjekje për t’i drejtuar ndonjë pyetje kryeministrit. Vetëm mbasi mbaroi Samiti pati disa përpjekje “heroike” nga ana e tyre për të bërë selfie me të para se ai të linte sallën. Për hir të së vërtetës në Samit na prezantuan më tepër dhe më denjësisht emigrantët e Selanikut sesa ata të Athinës. I falënderoj! Përfundimisht ky Samit ishte mbase jo i suksesshëm, por sigurisht i arrirë. Mbas 25 vjetësh te rënies se murit rrethues me botën, ishte pa dyshim një fillim. Mbas 25 vjetësh, gjithashtu dhe muri mospërfillës ndaj emigranteve ra! Tani e kemi ne në dorë, qeveria e beri hapin e parë, për fushate apo për gallatë, qeveria shqiptare u shkund nga pluhuri i këtij çerek-shekulli. Topi ne fushën tonë!

Ndaje me miqte