Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për Vettingun
ATSH
18 Janar 2017
Gjykata Kushtetuese publikoi të mërkurën vendimin e zbardhur që rrëzoi më 22 dhjetor kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i njohur si Vetting-u, duke e shpallur atë në përputhje me Kushtetutën.
Gjykata vëren se pretendimet e ngritura në kërkesën e opozitës janë të pabazuara në ligj dhe si të tilla duhen rrëzuar. Në rreth 40 faqe Kushtetuesja arsyeton vendimin e marrë në fundvit me 6 vota kundër dhe 2 vota pro kërkesës së PD-së, ndërsa vëren se Vetting-u nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe as me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Sa i takon pretendimeve për kompetencat e ILDKPKI-së dhe rolin e saj në procesin e Vetting-ut, Gjykata konstaton se nuk rezulton që ato të bien ndesh me kompetencën kushtetuese të organeve të rivlerësimit, ndaj dhe ky pretendim është i pabazuar në ligj.
Zbardhja e vendimit nga Kushtetuesja do të pasohet me botimin e tij në Fletore Zyrtare, nga ku më pas nisin dhe hapat e nevojshëm procedurialë për zbatimin e ligjit kyç të reformës në drejtësi.
Dy janë kryesoret: e para është paraqitja e tre formularëve nga gjykatësit dhe prokurorët brenda një afat njëmujor. Ndërsa hapi i dytë është shpallja publike nga Presidenti për komisionerët e Komisionit të Kualifikimit, Kolegjin e Apelimit dhe për Komisionerin Publik.
Nëse Presidenti nuk vepron brenda 45 ditëve për këtë procedurë, atëherë futet në lojë Avokati i Popullit. Brenda 15 ditësh duhet të vijnë kandidaturat, nga dita kur Presidenti bën shpalljen publike. E gjithë kjo përfshi dhe procedurën e miratimit në Kuvend. Parashikohet që i gjithë procesi i konstituimit të tre strukturave që do të bëjnë rivlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë të përfundojë brenda marsit. Ky proces do të mbikqyret edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM).
Janë rreth 800 zyrtarë të sistemit të drejtësisë’, të të gjitha niveleve, që pritet të kalojnë ‘testin’ e verifikimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Subjektet e para që do t’i nënshtrohen Vetting-ut janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ata të Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm.
Ligji i Vettingut, që përbën dhe thelbin e reformës në drejtësi u miratua nga Kuvendi më 30 gusht, pa pëlqimin e opozitës së djathtë. Më 5 tetor ajo e ankimoi ligjin në Gjykatë Kushtetuese duke e konsideruar ‘antikushtetues’. Më 25 tetor ajo vendosi pezullimin e ligjit dhe ju drejtua Komisionit të Venecias për të marrë një opinion. Në përgjigjen e këtij organi më 10 dhjetor theksohej se dispozitat e ligjit nuk shkelin nenet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe as nuk shfaqin probleme për çështjet e ngritura nga Gjykata shqiptare. Me 22 dhjetor Gjykata Kushtetuese me 6 vota kundër dhe 2 vota pro rrëzoi kërkesen e opozitës.
Ndaje me miqte