0030 210 33 18 483

Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë pezullohet nga detyra për korrupsion por arratiset jashtë shtetit

17 Korrik 2016

Me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykata e Lartë ka caktuar masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për gjyqtaren e kësaj gjykate, Majlinda Andrea, e dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve-.”. Gjithashtu, Gjykata e Lartë ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për bashkëshortin e gjyqtares, Odhise Andrea, si edhe për 3 shtetas të tjerë, të dyshuar për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve-.”, në bashkëpunim dhe “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve-”, në bashkëpunim. Prokuroria njoftoi se bashkëshortët Andrea janë larguar jashtë Shqipërisë pak orë para se Gjykata e Lartë të vendoste masat e sigurimit ndaj tyre dhe janë shpallur në kërkim. Policia e Shtetit arrestoi të dyshuarit Ilia abiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino. Ata dyshohet se i kanë paguar gjyqtares Majlinda Andrea 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të tyre, në një proces njohjeje prone që ishte në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Shuma e parave dyshohet se i është dhënë gjyqtares nëpërmjet bashkëshortit të saj, Odhise Andrea. Ai është këshilltar në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare. Hetimet i nisi prokuroria për krime të rënda, por pasi në veprime të dyshimta korruptive doli e përfshirë edhe një gjyqtare e Gjykatës së Lartë, hetimet i vijoi Prokuroria e Përgjithshme. Në njoftimin për shtyp të prokurorisë sqarohet: Masa e sigurimit për bashkëshortët Andrea nuk është mundur të ekzekutohet, pasi ata janë larguar jashtë Shqipërisë pak orë para se Gjykata e Lartë të vendoste masat e sigurimit ndaj tyre. Ndërkohë, janë arrestuar nga ana e Policisë së Shtetit, tre të dyshuarit Ilia abiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino. Këta tre shtetas dyshohet se i kanë paguar gjyqtares Majlinda Andrea 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të tyre, në një proces njohjeje prone që ishte në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Shuma e parave dyshohet se i është dhënë gjyqtares nëpërmjet bashkëshortit të saj, Odhise Andrea. Hetimi për këtë çështje ka nisur nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ka kryer veprimet e nevojshme proceduriale. Pasi është konstatuar se në veprime të dyshimta korruptive rezulton e përfshirë edhe një gjyqtare e Gjykatës së Lartë, hetimet i vijoi Prokuroria e Përgjithshme, si struktura kompetente për hetimin e zyrtarëve të institucioneve kushtetuese. Nga aktet hetimore të deritanishme rezulton se i dyshuari Ilia abiri nga Saranda, në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare, ka zhvilluar disa procese gjyqësore për njohjen e një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit. Deri në fillim të korrikut 2016, kjo çështje ishte në “fazën e studimit” në Gjykatën e Lartë. I dyshuari abiri është angazhuar që procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë të përfundonte në favor të tij. Për këtë arsye, ai ka kontaktuar me të dyshuarin Petraq Dashi, i cili nga ana e tij kishte njohje dhe komunikim me shtetasin Odhise Andrea. Ky i fundit është bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea, e cila ishte një prej anëtarëve të trupit gjykues të çështjes së të dyshuarit abiri në Gjykatën e Lartë. Në vijim të kontakteve ndërmjet personave të përfshirë, i dyshuari Petraq Dashi nënshkruan një kontratë fiktive me të dyshuarit Ilia abiri dhe Eleni Lino, në bazë të të cilës ai deklaron se u huazon shumën prej 50 mijë euro. Në fakt, këtë shumë, i dyshuari Petraq Dashi ia dorëzon bashkëshortit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, shtetasit Odhise Andrea, me qëllim dhënien e vendimit në favor të të dyshuarve abiri dhe Lino. Një ditë pas dhënies së parave, konkretisht në datë 12.07.2016, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe e dyshuara Majlinda Andrea, u shpreh me vendim në favor të shtetasve Ilia abiri dhe Eleni Lino. Në këto kushte, Prokuroria e Përgjithshme ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve-” dhe “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve-.”. Po ashtu, për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve-”, në bashkëpunim, për të dyshuarit Ilia abiri dhe Eleni Lino, në cilësinë e përfituesit të pronës, u vendos masa e sigurimit “Arrest në burg”. E njëjta masë sigurimi, ajo e “arrestit në burg” u vendos edhe për shtetasin Petraq Dashi, i dyshuar si ndërmjetës për dhënien e parave. Masat e sigurimit për shtetasit Ilia abiri, Eleni Lino dhe Petraq Dashi u ekzekutuan nga ana e Policisë së Shtetit, pasditen e së shtunës, datë 16.07.2016. Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi Odhise Andrea, i cili aktualisht mban detyrën e Këshilltarit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë. Vendimi për pezullimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, i përcillet Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.

Ndaje me miqte