0030 210 33 18 483

Grekët deklarojnë paratë &ldquoe fshehura&rdquo që të shpëtojnë nga gjobat e rënda

Tribuna 25 Gusht 2017

Më shumë se 1500 qytetarë grekë kanë deklaruar vullnetarisht javët e fundit paratë e tyre të fshehura, në zbatim të një dispozite favorizuese që i shpëton nga penalizimi i mëtejshëm. Sipas ministrisë greke të financave, ata janë kryesisht mjekë, avokatë, rentierë, biznesmenë të vegjël, madje dhe arsimtarë të shkollave të mesme. Ata janë vetëm një pjesë e vogël e më shumë se 40.000 qytetarëve, emrat e të cilëve përfshihen në tri lista që ndodhen prej vitesh në dispozicion të autoriteteve vendase. Megjithatë, nga këto deklarime kanë rezultuar 4,5 miliardë euro, dhe arka e shtetit ka inkasuar rreth 500 milionë, nga taksimi i këtyre të ardhurave të fshehura. Në përpjekje për të luftuar evazionin fiskal, qeveria greke nxorri mori një vendim që u mundësonte qytetarëve legalizimin e parave të padeklaruara gjatë viteve financiare. Kush i deklaron paguan gjithë tatimet e shmangura në vite, si dhe një taksë shtesë prej 12% të shumës. Kjo diskutohet një masë favorizuese, po të merret parasysh që në rast se paratë e padeklaruara zbulohen nga shtetit, atëherë poseduesi i tyre duhet të paguajë gjoba që arrijnë deri në njëqindenjëzetë (120) përqind të shumës. Që nga viti 2010 qeverisë greke iu dorëzua një listë me emrat e më shumë se 2000 grekëve që kishin depozita të fshehta në filialin e Gjenevës të bankës HSBC në Zvicrës. Lista u dorëzua nga ministrja franceze e financave të asaj kohe, Christine Lagarde, prandaj dhe u pagëzua me emrin e shefes aktuale të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Një tjetër listë, me emrat e 10.000 shtetasve grekë, me depozita jashtë shtetit dhe që dyshoheshin për evazion fiskal, iu dorëzua Athinës në vitin 2015 nga ministri i financave të landit të Vestfalisë, Walter Borjans, dhe prandaj mori emrin e tij. Ndërkohë, edhe Banka Qendrore e Greqisë ka përgatitur një listë me më shumë se 25.000 emra qytetarësh grekë që në vitet 2009-2011 kanë kryer transferta prej më shumë se 100.000 eurosh secili, kryesisht në bankat zviceriane. Qeveria greke ka dhënë afat deri në fund të shtatorit, prandaj ministria e financave vlerëson se ditët e ardhshme do të shpeshtohet numri i “vullnetarëve” që do të paraqiten në zyrat tatimore për të deklaruar paratë deri më sot të fshehura. Pavarësisht ashpërsimit të kuadrit ligjor dhe faktit se Greqia ndodhet prej shtatë vjetësh në një krizë të thellë ekonomike dhe financiare, evazioni fiskal në vend vazhdon të mbetet mjaft i lartë. Vlerësohet se taksat e mospaguara arrijnë në 30 miliardë euro në vit. Një shifër marramendëse, që po të shumëzohet me dhjetë -njëmbëdhjetë vitet e fundit, thuajse barazohet me shumën e borxhit publik të Greqisë.

Ndaje me miqte