0030 210 33 18 483

GreqiShqipëri emigrantët ura lidhëse në takimin e dy ministrave të jashtëm vullnet për zgjidhjen e problemeve

16 Korrik 2015

Ministri i Jashtëm grek, Nikolaos Kotzia deklaroi të mërkurën në Tiranë se Shqipëria është pjesë e Europës dhe e Ballkanit dhe po ashtu një partner dhe fqinj strategjik. “Dy vendet dhe popujt tanë jetojmë në këtë zonë dhe na duhet të bëhemi sa më kreativë. Ne dëshirojmë të jemi sa më krijues në përgatitjen e Shqipërisë drejt BE-së dhe çdo gjë që ndodh në Ballkan duhet të përfshijë dhe Shqipërinë”, u shpreh ministri Kotzias gjatë konferencës për shtyp me homologun shqiptar, Ditmir Bushati. Në fillim të deklaratës së tij, kryediplomati grek vlerësoi prezencën e emigrantëve dhe studentëve shqiptarë në Greqi, të cilët i konsideroi hallkë lidhëse në marrëdhëniet mes dy vendeve. “Jemi me fat që kemi bashkëqytetarë të tillë, të cilët janë njerëz me kulturë dhe frymë bashkëpunimi dhe që kanë tendencën të kenë një ngritje shoqërore, si emigrantët shqiptarë. Praktikisht, me ligjin e ri që kaloi parlamenti grek, kryesisht fëmijët, janë ajo hallkë lidhëse mes dy vendeve tona, janë e ardhmja e marrëdhënieve tona”, u shpreh ministri Kotzias. Kryediplomati grek theksoi nevojën që dy vendet të luajnë një rol stabilizues në rajon. “Ne, tha Kotzias, jetojmë në një trekëndësh me konflikte, ku lart është Ukraina, majtas Libia dhe djathtas Lindja e Mesme. Ndaj na duhet ta stabilizojmë mjedisin tonë, duke shmangur këto valë paqëndrushmërie dhe duke përcjellë valë qëndrueshmërie. Bashkëpunimi ynë nuk është i rëndësishëm vetëm për dy vendet dhe popujt tanë, por për gjithë Evropën Juglindore”, u shpreh ministri i Jashtëm grek. Duke iu referuar marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve, Kotzias tha se në të ardhmen do të nënshkruhen edhe marrëveshje të tjera më të rëndësishme, ku një prej tyre do jetë një memorandum i rishikuar i miqësisë, që do të përfshijë të gjitha rrjetet, nga energjia e deri tek telekomunikacioni. Diskutuam dhe për marrëveshje që ekzistojnë dhe që duhet të riaktivizohen, si ajo e librave shkollorë, por dhe për mënyrën se si duhet t’i zgjidhim çështjet me interes të përbashkët, si ajo që ka të bëjë me të drejtën mbi ujërat. “Jemi të palëkundur në bindjen tonë, që problemet ekzistojnë dhe se ato duhet të zgjidhen. Ndaj mendojmë se dhe kjo vizitë do të shënojë hapa të rëndësishëm dhe të mëdhenj bashkëpunimi e miqësie mes dy popujve dhe shteteve tanë”, u shpreh ministri Kotzias sot në Tiranë. Ministri Kotzias, në përgjigje të pyetjeve për ligjin e luftës dhe çështjen çame tha se nuk ekziston një ligj i tillë me Shqipërinë, ndërsa sa i takon çështjeve të pronësisë çdo qytetar shqiptar mund t’i drejtohet gjykatave greke. Shqipëria dhe Greqia kanë ura shumë të fuqishme miqësie, siç janë emigrantët shqiptarë dhe një minoritet grek që jeton këtu prej shumë vitesh. Ne besojmë se nuk ekziston një ligj lufte me Shqipërinë. Mendojmë se të gjitha marrëveshjet dhe deklaratat e bëra apo bashkëpunimi që kemi si anëtarë në NATO, jo vetëm na bëjnë miq, por dhe dy shtete partnerë dhe aleatë. Në të gjitha marrëveshjet e tjera që do të bëjmë në të ardhmen do të gjejmë mënyrën për të konfirmuar se nuk jemi në gjendje lufte”, u shpreh Kotzias. Sa i takon të drejtave të pronësisë, ministri grek e la të hapur se ‘çdo qytetar shqiptar mund t’i drejtohet gjykatave greke dhe i mbështetur mbi të drejtën të mund të pretendojë për kërkesat e tij. Ne nuk duam të minojmë miqësinë tonë. Duhet të mësojmë nga historia, të mos përsërisim gabimet e së shkuarës, por dhe të mos mbetemi të burgosur në këtë histori. Ne duam të ndërtojmë me Shqipërinë të ardhmen, e cila i përket të dyja vendeve dhe popujve, kryesisht në gjenerata tona të reja”, u shpreh ministri i Jashtëm grek. Kufiri detar me Greqinë, Bushati: ?do problem do ta zgjidhim brenda normës së të drejtës ndërkombëtare Bashkëpunimi rajonal, rruga drejt Bashkimit Europian, kriza ekonomike në Greqi, siguria energjitike dhe ajo ndaj ekstremizmave, ishin pikat kryesore të takimit zhvilluar mes Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe homologut Grek, Nikos Kotzias. Këtë e bëri të ditur Kryediplomati shqiptar gjatë deklaratës për shtyp të përbashkët në përfundim të takimit. Sipas Bushatit, takimi me Ministrin e Jashtëm grek është një shembull i marrëdhënieve të mira mes dy vëndeve. Ai bëri të ditur se në krye diskutimeve ishin çështjet e aktualitet, duke filluar nga axhenda e përbashkët Europiane. Për të vijuar me krizën Greke, që sipas Bushatit është një problematikë që nuk prekë vetëm shtetin Helen, por edhe vendin e tonë dhe të gjithë BE-në. “Uroj që marrëveshja e Greqisë me Bashkimin Europiane për planin e ndihmës ekonomike të japi frytet e saj, pasi kjo është e rëndësishme jo vetëm për grekët, por dhe për bashkombasit shqiptarë që jetojnë atje”, tha Bushati. Kryediplomati shqiptarë në fjalën e tij bëri të ditur se në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe axhendës së përbashkët Europiane duhet një investim në rritjen e frymës së besimit reciprok. “Bashkëpunimi me Greqinë nuk është më një çështje tabu, pasi Shqipëria dhe Greqia janë vende fqinjë dhe kanë një interes strategji rajonal në këtë drejtim, pasi të dy vendet kanë një axhendë të përbashkët Europiane dhe rajonale. Në këtë drejtim janë bërë përpjekje të shumta dhe vijojnë të bëhen përpjekje për të tejkaluar problematikat që na ndajnë, siç ështe çështja e detit”, tha Bushati. I pyetur nga gazetaret për çështjen e pazgjidhur të shelfit kontinental mes dy vendeve, ministri Bushati pohoi se zgjidhja për kete do te vijë nga ekspertë dhe grupe ekspertësh dhe nëse dhe pas një punë të gjatë që ata mund të bëjnë nuk arrihet në një konkluzion të pranueshëm për të dy palët, e drejta ndërkombëtare do të na orientonte drejt instrumenteve që do na japin një zgjidhje definitive. “Pika jonë e përbashkët është e drejta ndërkombëtare dhe fryma europiane. Mbështetja tek këto instrumente do të na ndihmojë për ta adresuar këtë çështje, në mënyrë që të shkojmë drejt një zgjidhje të gjithëpranuar”, tha Bushati. Dihen pozicionet në Shqipëri dhe Greqi për këtë çështje, vijoi ai, dhe me të drejtë pritshmëria e opinionit publik në të dy vendet është se si do të kapërcehet kjo situatë dhe se si do shkohet në një zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Kjo zgjidhje duhet të jetë e bazuar plotësisht në të drejtën ndërkombëtare dhe në frymën europiane. Ministri i Jashtëm shqiptar nuk sugjeroi orientonim e opinionit publik me raste të tjera të ngjashme, si rasti me Italinë. “Sipas nesh(dy ministrave), kjo zgjidhje duhet të vijë nga ekspertë dhe grupe ekspertësh për të pasur një reflektim më të thellë në adresimin e çështjes. Dhe nëse dhe pas një punë të gjatë që mund të bëjnë grupet e ekspertëve nuk arrihet në një konkluzion të përshtatshëm e të pranueshëm për të dy palët, e drejta ndërkombëtare do të na orientonte drejt instrumenteve që do na japin një zgjidhje definitive”, nënvizoi Bushati. Megjithatë, theksoi ai, pavarësisht pyetjeve që shtrohen këto janë çështje që kërkojnë kohën dhe momentin e duhur për t’u zgjidhur. “Si ne dhe Greqia kemi interes strategjik për ta zgjidhur këtë çështje, pasi ajo është e lidhur me shfrytëzimin dhe zhvillimin e ekonomisë. Ne kemi konceptet e BE-së për makrorajonin dhe nuk e kemi menduar asnjëherë që mund të ketë një zgjidhje të njëanshme. Edhe Greqia është një vend që i respekton parimet dhe të drejtën ndërkombëtare dhe kërkon të ketë një marrëveshje të pranuar e të rakorduar me ne. Ndaj mund t’iu them, se pavarësisht leximit dhe këndit ndryshe të shikimit që mund të kemi për këtë çështje mund t’iu them se pikat tona të përbashkëta janë më shumë se sa ato që na ndajnë”. Burimi: ATSH

Ndaje me miqte