Koalicioni opozitar letër KQZsë: Mos shkelni ligjin mos u bëni mashë e qeverisë
Tribuna
19 Prill 2017
Koalicioni Opozitar, përmes një letre të nënshkruar sot nga kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, ka sjellë në vëmendjen e KQZ, se afatet e parashikuara në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor, për regjistrimin e partive politike dhe koalicioneve zgjedhore, janë afate prekluzive, dhe nuk mund te shtyhen, thuhet në një deklaratë për mediat nga PD.
Po ashtu, në njoftimin për media, thuhet se, “PS dhe LSI i kanë kërkuar KQZ-së që të shtyjë afatet e regjistrimit të koalicioneve zgjedhore. Në letrën e koalicionit opozitar drejtuar KQZ sot pasdite, thuhet se qëndrimi i KQZ ndaj kësaj kërkese, apo vendimmarrja mbi këtë kërkesë, do ta nxirrte këtë institucion thellësisht politik që shërben si mashë elektorale për kastën qeverisëse”.
E gjithë përmbajtja e letrës ka si më poshtë:
Koalicioni i bashkuar opozitar, është vënë ditën e sotme në dijeni të një kërkese të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, drejtuar institucionit tuaj, me anë të së cilës kërkohet mbajtja e një qëndrimi lidhur me mundësinë e shtyrjes së afatit të rregjistrimit të partive politike në zgjedhje, si dhe të shtyrjes së regjistrimit të koalicioneve zgjedhorë.
Në lidhje me sa më sipër, vlerësojmë të domosdoshme të sjellim në vëmendje tuaj, se afatet e përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor janë afate prekluzive, çka do të thotë se të drejtat ose detyrimet të cilat duhen ushtruar dhe/ose përmbushur brenda këtyre afateve, nuk mund të ushtrohen tej përmbushjes së afatit të sipërcituar. Pra, me fjalë të tjera, mosrespektimi i afateve prekluzive ndikon drejtpërsëdrejti në thelbin e të drejtave dhe detyrimeve që ato garantojnë, dhe shkelja e këtyre afateve nuk mundet të ketë pasojë tjetër përveçse asaj të parashikuar nga ligji, pra humbjes së mundësisë së ushtrimit të vetë të drejtës. Edhe praktika e konsoliduar shumëvjeçare e vendimarrjes së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve e konfirmon këtë qasje ligjore.
Nga ana tjetër, afatet e përmbajtura në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor janë qartësisht të lidhura me datën e zgjedhjeve, dhe rrjedhimisht shtyrja eventuale e tyre është pazgjidhshmërisht e lidhur me shtyrjen e vetë datës së zgjedhjeve, kompetencë kjo e fundit jo e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, por vetëm e ligjit zgjedhor, i cili mund të ndryshohet nga partitë politike përmes një konsensusi gjithëpërfshirës në Kuvend.
Ndaje me miqte