0030 210 33 18 483

Korrupsioni i politikanit: në Gjermani të vënë prangat në Shqipëri bën karrierë dhe më shumë pasuri

Afrim KRASNIQI 18 Janar 2017

Sot në Gjermani një kryetar bashkie i njeres prej partive në pushtet (SPD) është arrestuar: akuzohet se ka marrë financim elektoral në shumë prej 500 mijë euro nga tri firma të mëdha private. Prokuroria e heton për konflikt interesi në financim dhe heton lidhjet midis donacionit të dhënë dhe vendimeve të kryetarit të bashkisë. Gjatë vitit 2016 në pesë raste deputetë apo ish deputetë shqiptarë kanë deklaruar në media se kanë paguar 250-800 mijë euro për të siguruar mandatin parlamentar. Në më shumë se 35 raste të zyrtarëve të lartë (deputetë, ministra dhe drejtues të enteve të larta publike) media ka raportuar për financime në shuma të njëjta si në rastin gjerman, të fushatave elektorale të kandidatëve të caktuar. Përpara pak ditësh në Tiranë një politikan i lartë i mazhorancës aktuale na deklaroi (takim informal me shoqërinë civile) se një biznesmen i njohur ka paguar për dy partitë në fushatat e fundit më shumë se 1 milion euro, për shkak se pasuria e tij është e bazuar kryesisht në asetet publike e shtetërore dhe ai kërkon të ketë marrëdhënie të mira me dy palët. Në Gjermani politikani (i partisë në pushtet) përfundon në pranga, në Shqipëri nuk ndodh asgjë, - ata që paguajnë më shumë bëjnë edhe karrierë më të lartë, bëjnë edhe pasuri më të madhe me taksat tona. Mjafton ky element thelbësor identifikues për nivelin e lartë të korrupsionit politik për të kuptuar gjendjen katastrofale ku ndodhet sistemi ynë përfaqësues, sistemi partiak dhe sistemi i të drejtës. Kryeministri aktual kur ishte në opozitë me të drejtë konstatoi e premtoi: zgjidhja është ndryshimi i sistemit, jo thjesht njerëzve në të njëjtin sistem. Pas katër vitesh ai ka bërë të kundërtën, njësoj si paraardhësit e tij, - ka ndryshuar njerëzit në sistem, por sistemi mbetet i njëjtë. Për pasojë, asnjëherë në 26 vite tranzicion partitë politike, - këto “zëdhënëse të popullit“ sipas versionit teorik të Sartorit, - nuk kanë qenë më të korruptuara, më të mbyllura, më abuzuese dhe më kërcënim për demokracinë dhe sigurinë sesa janë tani. Ato janë kthyer në ndërmarrje me natyrë gati kriminale që tregtojnë gjithçka: votat tona, taksat tona, postet në administratë, tenderat publikë, zonat e influencës, asetet publike e kombëtare, deri edhe besimin e mbështetjen e qytetarëve. Nga mënyra sesi funksionojnë, ato nuk përmbushin pothuajse asnjë prej funksioneve klasike të partive politike në një demokraci, dhe njëherësh as detyrimet kushtetuese (neni 9) apo detyrimet që burojnë nga ligji i partive politike. Korrupsioni në partitë politike nuk është thjesht një dukuri periferike dhe personale: është mentalitet dhe sistem, një rreth i mbyllur brenda të cilit lëvizin gjenden kompromise të mëdha, ku pakica sundon dhe ku koncepte si qytetarët, vota, llogaridhënia, transparenca, demokracia e brendshme, duken demode, ndaj refuzohen në bllok. Nga studimet më profesionale të partive politike ka një tezë të pranuar: vetëm partitë vërtetë demokratike, ato që çmojmë parimet e vlerat, që kanë sens përgjegjësie dhe sillen si alternativa pozitive janë të afta të sfidojnë korrupsionin, të çlirojnë besim dhe të krijojnë një bazë të shëndoshë për demokraci funksionale. E kundërta, - kur partitë janë bartëse të së keqes apo avokate të saj, sistemi që prodhojnë nuk mund të jetë as funksional, as përfaqësues, as i drejtë dhe as i qëndrueshëm. Tirana politike ofron aq shumë shembuj sa publiku lodhet nga konkurrenca e ashpër në skandale dhe zhvleftësim të demokracisë. Ja p.sh, dy deputetë e një kryebashkiak u shkarkuan nga posti, por ata vazhdojnë të gëzojnë imunitet partiak në partitë e tyre, madje njëri prej tyre vijon në post. Një zyrtar periferik të Dibrës apo shkollave e arrestojmë, e dënojmë, jemi gati ta djegim të gjallë, kurse krerët e korrupsionit, ata që na dhunojnë çdo ditë, që kanë pasuri pafund me burime jolegale, që investohen e promovojnë njerëz të krimit, - për ata nuk ka as hetim, as dënim, as reagim publik, përveç ndonjë shpërthimi rutinë në facebook apo twitter. Ata janë të paprekshëm, të pandërshkueshëm, janë në koalicion e konsensus të heshtur mes tyre, dhe për më tepër, sillen ndaj qytetarëve arrogantë e sfidues, fyejnë e denigrojnë këdo që kritikon e “del nga rreshti“, privatizojnë postin dhe institucionin, duan të shfaqen si Zot mbi hapësirën, pronën, mendimet dhe lirinë tonë. Një muaj më parë në një tryezë ndërkombëtare dy politikanë të lartë të dy partive të mëdha e pranuan: vetingu në drejtësi duhet shoqëruar me veting politik; ligji dhe aktiviteti i partive politike duhet reformuar në thellësi; partitë kanë nevojë për katarsis të thellë, sistemi përfaqësues ka nevojë për reformim tërësor. I thanë, i shënuam, ikën dhe asgjë nuk ndodhi më tej. Në TV folën ndryshe, për të qenë “politikisht korrekt“ me shefin e tyre që i emëron, i shkarkon, i pasuron ose i varfëron me një sms telefoni apo shikim në sy. Pak kohë më parë miratuam reformën në drejtësi: një kriter kandidimi për të zgjedhurit e rinj është vërtetimi se kanë 10 vjet jashtë strukturave të partive politike. Cilave struktura? Asnjë parti nuk ka të dhëna publike mbi strukturat, asnjë nuk ka regjistër të verifikueshëm, asnjë nuk depoziton në gjykatën e Tiranës të dhënat mbi ekipet drejtuese dhe asnjë palë nuk respekton parimet e saj të brendshme statutore. A nuk qëndroi PS vite pa mandat legjitim të kryetarit dhe kryesisë kur rregullat e saj statusore ishin ndryshe? A nuk ka PD vite pa mbledhur Këshillin Kombëtar, i cili sipas statusit duhej mbledhur 3-4 herë në vit? A nuk u përjashtua de facto Blushi e të tjerët me turma militante denigruese përpara shefit të tyre? A nuk u zëvendësua e vetmja deputete akademike e Shkodrës me ca të fortë të repartit të ndërhyrjes së shpejtë? A nuk deklaroi deputeti i përjashtuar së fundmi se i kanë ofruar postin e kryetarit të bashkisë Vlorë? A nuk u shkarkua Kokëdhima sapo ai “gaboi“ duke kërkuar votim të anëtarësisë për deputetët dhe programin e ri elektoral? A nuk u denigruan Selami e Bregu se guxuan të flasin publikisht pro reformës në drejtësi? A nuk detyrohen gjysma e deputetëve të tërheqin diskutimet në seanca plenare për “t’i hapur rrugë“ shefave të tyre në fjalimet personale 1-2 orëshe çdo të enjte në parlament?... Shembulli gjerman i kryebashkiakut me siguri do bëjë disa për të qeshur, sidomos “të paprekshmit” në Tiranë. Ata tallen me 500 mijë euro, donacionet ndaj tyre janë shumëfish më të larta. Por ama shembulli gjerman na bën të shkundemi, të biem në tokë, të kuptojmë sesa larg jemi, dhe se ata që sot duken e sillen si shpëtimi ynë, udhëheqësit tanë, janë e mbeten pengesa jonë më e madhe. Jo për ne, sepse ne i krijuam dhe ndaj i meritojmë, por për fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre. *)Afrim Krasniqi është drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë

Ndaje me miqte