0030 210 33 18 483

Kotzias e Bushati takohen në Kretë çfarë rezultati pritet?

Robert GORO 09 Nentor 2017

Ministrat e jashtëm të Greqisë dhe të Shqipërisë do të takohen të premten për tri ditë rresht në ishullin e Kretës. Të shoqëruar edhe nga ekipet e ekspertëve, ata do të përpiqen të gjejnë një gjuhë të përbashkët për sa më shumë çështje problematike të axhendës së marrëdhënieve dypalëshe. 24 orë para takimit, si rrallëherë, nuk ka asnjë njoftim zyrtar, madje as për vendin e saktë ku do të zhvillohen bisedimet. Po ashtu, ministria e jashtme greke nuk ka bërë asnjë njoftim për akreditimin e gazetarëve që do të donin të ndiqnin punimet. Ministri i jashtëm grek ka dhënë më herët një shpjegim për këtë “konspirativitet”. Siç ka thënë para gazetarëve, ai preferon që takimet e rëndësishme të mbahen larg kryeqytetit dhe rrjedhimisht larg presionit të mediave dhe opozitës. Në fakt, partia më e madhe opozitare, Demokracia e re, kërkoi vonë të mërkurën interpelancë me ministrin e jashtëm. Deputeti Jorgos Kumucakos, koordinator i çështjeve të jashtme i partisë konservatore, në letrën shoqëruese të kërkesës, dhe referuar deklaratës së ministrit Kotzias për një “zgjidhje paketë”, pyet se cilat janë çështjet që përfshin kjo paketë. Më tej, deputeti i opozitës, pyet se kur janë krijuar komisionet dypalëshe që do të diskutojnë për këto çështje, cilët janë pjesëtarët dhe nëse janë mbëedhur ndonjëherë këto komisione. Deputeti opozitar nënvizon faktin se, siç shkruan, takimi i Kretës zhvillohet në vijim të “akteve të papranueshme të palës shqiptare në Himarë dhe deklaratave të kryeministrit Rama në parlament”. Burime nga ministria e jashtme greke, duke komentuar kërkesën e opozitës -e cila më herët kërkonte madje dhe anulimin e takimit-, kanë sqaruar se “është e pamundur që të ndërpritet dialogu midis Athinës dhe vendeve me të cilat ka probleme”. Ende nuk mund të bëhet një parashikim i saktë mbi rezultatet e takimit dhe mbetet enigmë se cilat nga çështjet do të gjejnë zgjidhje. Më e mundshmja është që të avancojnë disa nga çështjet që konsiderohen si jo shumë të nxehta, por me impakt të madh në jetën e përditshme, sidomos të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Të tilla janë njohja reciproke e patentave të drejtimit të mjetit dhe heqja e vulës apostile. Athina paraqitet e vendosur të mos pranojë asnjë diskutim për çështjen çame, por mund të jetë më e hapur për ligjin e gjendjes së luftës, teksa në tryezë do të vihet edhe rinovimi i traktatit të miqësisë, afati 20 vjeçar i të cilit skadon vitin e ardhshëm. ?ështje të tjera, të paktën sipas informacioneve në Athinë, do të jenë varrezat e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës së dytë botërore, planizimi politik i zonave ekskluzive ekonomike, rishikimi i teksteve shkollore dhe sigurisht edhe zhvillimet e fundit në Himarë.

Ndaje me miqte