Kotzias ironizon Ramën: &ldquoE shkruan historinë me mënyrën e tij&rdquo
TRIBUNA
28 Janar 2017
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka komentuar statuset e fundit në Facebook të kryeministrit shqiptar Edi Rama, që shpeshherë janë konsideruar si “provokime” në Athinë.
“Jemi në një kohë që disa e shkruajnë historinë me mënyrën e tyre. Që nga rama që zbuloi Akropolin dhe se Ali Pasha kreu revolucionin e 1821-shit, e deri te presidenti i ri i Parlamentit Europian. Historia është një fushë beteje dhe duhet të përdoret si shkollë për të nxjerrë mësime dhe jo si burg, ku të burgoset mendja jote”, deklaroi ministri gjatë një raportimi në Komisionin Paramentar të Politikës së jashtme.
Shefi e diplomacisë greke e kishte fjalën për një status të kryeministrit shqiptar më 24 janar, kushtuar Aki Pashë Tepelenës, ku ndër të tjera shkruante se “Revolucioni grek, revoltat në Bullgari dhe në principatat danubiane që përfunduan të tëra me mëvetësinë e atyre kombeve, i detyrohen jo pak Ali pashës në përgatitjen e tyre sociale, ushtarake e shpirtërore”.
Sa i përket presidentit të Parlamentit Europian, Antonio Tanjani, ky i fundit shkaktoi reagime të ashpra në Athinë, pas deklaratave të tij se Aleksandri i Madh është parardhësi i sllavomaqedonasve, ndërsa përdori për shtetin fqinj emrin kushtetues, që kundërshtohet nga Greqia.
Pas reagimeve të ashpra nga ministria e jashtme greke dhe nënpresidenti grek i PE, Dimitris Papadimoulis, Tanjani u detyrua të bëjë “autokritikë me shkrim”.
“E njoh shumë mirë historinë. Aleksandri i Madh ishte grek, dhe idetë e tij ndihmuan në lindjen e Europës”, ka shkruajtur në greqisht Tanjani në rrjetin e tij social Twitter.
Menjëherë më pas, është lëshuar edhe një deklaratë për shtyp nga zyra e shtypit e presidentit të Parlamentit Europian, ku thuhet:
“Lidhur me shkrime në shtypin dhe median greke, që i referohen vizitës së kryer një vit më parë nga zoti Tanjani në Shkup, presidenti i sapozgjedhur i Parlamentit Europian konfirmon qëndrimin konstant të PE-së se institucioni njeh si të vetmin emërtim për atë vend, emrin e njohur ndërkombëtarisht, si “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM)”.
Ndaje me miqte