Kriza politike në Shqipëri vazhdon zgjedhjet mund të shtyhen për më 16 korrik
Tribuna
26 Prill 2017
Dy emisarë të ardhur nga Brukseli kanë zhvilluar takime intensive në Tiranë, në përpjekje për të kapërcyer ngërçin politik. Mirëpo në përfundim të takimeve, mbrëmjen e të martës, eurodeputetët David McAllister, kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit Europian dhe Knut Fleckenstein, relator për Shqipërinë, nuk mund të kumtonin lajmin e dëshirueshëm të arritjes së një marrëveshjeje midis qeverisë dhe partisë Demokratike.
Takimet e Knut Fleckenstein dhe David McAllister me Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, kanë zgjatur më shumë se 60 minuta. Mësohet se në këtë takim Fleckenstein dhe McAlister kanë paraqitur edhe një platformë me disa pika për zgjidhjen e ngërçit, që gjithashtu iu prezantua edhe kreut të opozitës Lulzim Basha.
Gjithsesi, po të lexohet me kujdes deklarata për shtyp që u shpërnda mbrëmjen e të martës, duket se janë bërë disa hapa përpara.
Dy eurodeputetët të cilët u përpoqën të ndërmjetësonin afrimin e pozicioneve mes palëve, paraqitën disa propozime që sipas deklaratës për shtyp, kishin të bënin me “çështjen e dekriminalizimit, luftën kundër narkotrafikut, me masa teknike për të përmirësuar procesin zgjedhor, si dhe masa që do të rrisnin besimin politik”, shpjegon deklarata ndërsa shton se dy eurodeputetët “propozuan ide për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve dhe ndryshime të mundshme të strukturave qeveritare para zgjedhjeve në mënyrë që të krijohej një besim afatgjatë në sistem”.
Në deklaratë jepen shpjegime dhe për qëndrimet që mbajtën palët ndaj këtyre propozimeve. “Nga ana e saj shumica ishte dakord me pikat e propozuara, me kusht që rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të kalojë në parlament”. Sipas burimeve të cituara nga radio Zëri i Amerikës, mësohet se shumica ka rënë dakord mes të tjerave që përveç masave më të rrepta ndëshkuese për shitblerjen e votës apo ndërhyrjet në procesin zgjedhore, data e zgjedhjeve të mund të shtyhet deri në 16 korrik, gjë të cilën deri më tani kryeministri e kishte konsideruar si të panegociueshme, e madje dhe të bëjë ndryshime thelbësore në kabinetin e tij. Po ashtu ndryshime mësohet se janë pranuar dhe në radhët e policisë, për emërimin e një zëvendës drejtor i Përgjithshëm i cili të ketë konsensusin e opozitës, si dhe lëvizje të tjera në nivele drejtuese, të cilat nisën që dje e pritet të vijojnë në ditët e ardhshme. Po ashtu ndër masat që lidhen direkt me zgjedhjet duket se është pranuar dhe opsioni që kreu i KQZ t’i kalojë opozitës, ndërkohë që është propozuar dhe që zgjedhja e presidentit të shtyhet për pas zgjedhjeve dhe propozimi i një figure konsensuale t’i lihet në dorë opozitës së re që do të dalë pas votimeve.
Por ajo që ka bërë të pamundur arritjen e një marrëveshjeje, siç bëhet e qartë dhe nga deklarata e shpërndarë nga Delegacioni i Bashkimit europian, ka qenë çështja e Qeverisë teknike. “Partia Demokratike i qëndroi pozicionit të saj për caktimin e një kryeministri teknik dhe vënien në jetë të një sistemi elektronik për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, përfundon deklarata e dy eurodeputetëve.
Sipas radios Zëri i Amerikës, diskutimi i Qeverisë teknike nuk ishte përfshirë në platformën që dy eurodeputetët i paraqitën palëve si bazë për bisedimet mes palëve.
Ndaje me miqte