0030 210 33 18 483

Intervistë me z. Patroklos Georgiadis, sekretar i përgjithshëm i politikës së emigracionit

Robert GORO 19 Prill 2024

TV TRIBUNA: Kodi i ri i emigracionit “garanton përgjigjen më të plotë të politikës së emigracionit ndaj kërkesave bashkëkohore të shoqërisë greke”, siç theksohet dhe në nenin 1. Ndërkaq, sjell dhe disa risi që për mendimin tonë gjenden në një kah pozitiv sa i përket një pjese të madhe të komunitetit të emigrantëve dhe posaçërisht të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Greqi prej më shumë se 30 vjetësh. E kam fjalën për ndryshimet lidhur me lejen 10 vjeçare. Si rezultuan këto ndryshime pozitive?

PATROKLOS GEORGIADIS: Fillimisht ju falënderoj. Është gëzim për mua që të flas dhe të shpjegoj politikën e qeverisë dhe të shtetit grek për bashkëqytetarët tanë të cilët si emigrantë jetojnë e punojnë në Greqi.

Ajo që përpiqemi të bëjmë gjithmonë është të përmirësojmë legjislacionin tonë, duke u fokusuar para së gjithashtu në jetën e përditshme dhe nga ana tjetër, të konstatojmë vështirësitë që ekzistojnë, me qëllim që të mundemi t’i zgjidhim në mënyrë të ligjshme dhe të qartë.

Pra, konstatuam me kalimin e kohës se do të mund të korrigjoheshin disa gjëra nga legjislacioni aktual, në dobi të gjithë qytetarëve të këtij vendi, kështu që të munden të gjithë të bashkekzistojnë, të punojnë, të prodhojnë e të jetojnë sa të mundin më mirë me familjet e tyre.


 

TV TRIBUNA: Është e qartë, kjo duket; edhe ne e kemi kuptuar dhe ju falënderojmë për këtë. Ndërkaq, Kodi i ri sapo ka hyrë në zbatim të plotë. A kemi disa shenja të para të rezultateve apo është ende herët?

PATROKLOS GEORGIADIS: Sigurisht, është shumë herët që brenda dy javësh të kemi rezultate statistikore. Ajo që po shohim është se në raport me parashikimin ligjor që 7 vjeçarin e bëmë 3 vjeçar për njerëzit që qëndrojnë në Greqi dhe mundin ta vërtetojnë këtë. Po shohim se ka një interesim në rritje, nga aplikimet që po bëhen dhe ndodhemi brenda kufijve të parashikimeve statistikore.

Gjithsesi, objektivi ynë për këtë amendament ishte t’u japim shansin njerëzve që ndodhen këtu të dalin nga errësira, të fitojnë të drejta siguruese, të dalin nga puna e zezë, të paguajnë taksat dhe kontributet për siguracion dhe paralelisht me dobinë e tyre punëdhënësit grekë të mundin të përfitojnë nga parashikimet e këtij amendamenti.

E vërteta është se po shkon shumë mirë zbatimi i këtij amendamenti që votuam dhe të vë në dukje se u votua nga 262 deputetë të parlamentit. Domethënë, iniciativa e qeverisë tonë gjeti mbështetje të madhe brenda parlamentit grek, nga shumica e partive.


 

TV TRIBUNA: Do të doja të besoja se kjo mbështetje e madhe nga partitë nuk u bë vetëm për motive klienteliste që t’u shërbehej vetëm punëdhënësve grekë, por dëshmon dhe një ndërgjegjësim më të madh të partive progresiste në raport me emigrantët...

PATROKLOS GEORGIADIS: Shikoni, ne jemi këtu për të bërë sinteza. Jemi që të bashkojmë, jo që të ndajmë. Dhe duam të zbatohet ligji në të gjitha nivelet, në të njëjtin moment që ligji favorizon edhe popullsinë emigrante dhe banorët e këtij vendi, por edhe në tërësi politikën e vendit tonë.


 

TV TRIBUNA: Meqë përmendët ligjin e ri, për lejet me 3 vjeçare, që unë do të prekja pak më vonë në intervistë. Kemi përjashtimin e qytetarëve nga vendet e treta që kishin aplikuar për leje fillestare pas 1 prillit 2023. Natyrisht që përjashtimi për 5 vjet qëndron në një bazë ligjore, por besoj se duhej të merrej parasysh që ata njerëz ranë viktima të mosdijes dhe të spekulantëve që i shfrytëzuan, ashtu siç shfrytëzuan edhe legjislacionin që lejonte dhënien e vërtetimit blu me të gjithë të drejtat që ofron. Çka i lejoi ata njerëz të bëjnë një fillim të ri që tani po u shkon dëm.

Duke kërkuar ndjesë për komentin e gjatë, e shtroj troç pyetjen: A ka gjasa që kjo çështje të shqyrtohet sërish?

PATROKLOS GEORGIADIS: Jo. Në realitet, ajo që bëjmë, është ajo që ju thashë pak më parë. Dëshira jonë është t’u japim një shans njerëzve të fitojnë një jetë si banorë të ligjshëm të këtij vendi.

Është e qartë se ajo që ju aludoni, që disa prej tyre mund t’iu keni besuar njerëzve të gabuar.

Nga ana tjetër, synimi për legjitimitet dhe shtet të së drejtës do të duhet të përçojë qartë se nuk mund të bëjmë përjashtime. Natyrisht, është rrufa gjyqësore që do të mundë të ndjekë dikush t’i drejtohet, sepse si shtet i së drejtës kemi dhe pushtetin gjyqësor në Greqi. Mirëpo përpjekja për të paraqitur dokumente që nuk i përgjigjen realiteti, falco, apo dokumente që nuk kanë asnjë lidhje me atë që kërkonte ligji, do të duhet në një farë mënyre të tregojë rrugën se duhet të jeni shumë të kujdesshëm në marrëdhëniet e tyre me çfarëdo organi të shtetit, ose me shtetin grek ose tek e fundit me shtetin ligjor në të cilin përfshihet tërësia e shoqërisë perëndimore.


 

TV TRIBUNA: Ndonëse objekt i kodit është gjithashtu ndërmjet të tjerash, përshpejtimi i procedurave, problemi kronik me vonesat, sidomos në Atikë ku gjendet dhe numri më i madh i emigrantëve mbetet i madh. Cili është shkaku për këtë gjendje? Si do të korrigjohet dhe kur do të mund të shikojmë rezultate të prekshme?

PATROKLOS GEORGIADIS: Gjendja është ashtu siç e përshkruani. Nuk është nevoja të flasim për shkaqet; shkaqet mund të jenë periudha e Koronavirusit me shtyrjet e vazhdueshme meqë ishin të mbyllura shërbimet.


 

TV TRIBUNA: Kjo situatë vonesash ka qene dhe me qeveritë e tjera, prandaj thashë problem kronik...

PATROKLOS GEORGIADIS: Është mungesa e personelit... Shkaqet mund të jenë të shumta. Ne, ajo që po përpiqemi të bëjmë në këtë periudhë, është të kemi një paln që të mundim të përshpejtojmë procedurat dhe të mos sorollaten emigrantët për rinovimin dhe dhënien e lejes. Po bëjmë tre gjëra kryesore:

E para është dixhitalizimi i gjithë arkivit, çka do t’i japë mundësinë punonjësit në shërbimin e emigrantëve të përshpejtojë kohën e shqyrtimit të kërkesës për rinovim 15-20%.

E dyta është krijimi i katër qendrave për marrjen e shenjave biometrike -dhe faktikisht dy qendrat e para në Atikë po funksionojnë, kështu që të mbarojë sa më shpejt një pjesë për marrjen e shenjave biometrike.

Dhe e treta, me perspektivë shtatorin, të forcojmë shërbimet e decentralizuara me personel, me qëllim që deri në fund të 2024-s të kemi arritur në një pikë normaliteti sa i përket rinovimit të lejeve.

Përveç këtyre po shqyrtojmë dhe çështje të tjera në drejtim të përmirësimit të procedurave. Por sigurisht, duke e kuptuar problemin, po bëjmë këto tre lëvizje që përshkrova.

Natyrisht, rezultati nuk mund të duket brenda një apo dy javësh, do të presim pak muaj me qëllim që të shohim efektin e këtyre tre ndërhyrjeve që me ideimin e ministrit tonë, zoti Kairidis dhe me miratimin e qeverisë, kemi vënë në zbatim.


 

TV TRIBUNA: Që nga momenti që njoftova se do të bëja një intervistë me sekretarin e përgjithshëm të politikës së emigracionit, në redaksi nuk kanë pushuar telefonat. Bashkatdhetarët më thoshin pyete dhe këtë, pyete dhe atë... Megjithatë, unë do t’ju pyes vetëm për disa gjëra që besoj se preokupojnë një pjesë të madhe të emigrantëve, të paktën të komunitetit tonë.

PATROKLOS GEORGIADIS: Të jeni të sigurt se problemet e emigrantëve të ligjshëm nuk kanë të bëjnë vetëm me një komunitet të caktuar; gjithë komunitetet e emigrantëve ndeshen me të njëjtat probleme. Nuk bëjmë asnjë dallim në raport me komunitetet e emigrantëve që jetojnë e punojnë në mënyrë të ligjshme në Greqi. Ta bëjmë të qartë këtë.


 

TV TRIBUNA: Bëni shumë mirë që e thoni, pse edhe unë vazhdimisht, përpiqem t’u them të njëjtën gjë, se kjo është një situatë që e vuajnë të gjithë emigrantët, qofshin shqiptarë apo pakistanezë, etj. Është e njëjtë për të gjithë. Nuk ka të bëjë as me origjinën, as me zhvillimet politike ndërmjet shteteve.

PATROKLOS GEORGIADIS: Saktë.


 

TV TRIBUNA: Këtu pajtohemi plotësisht dhe nuk është nevoja t’ju them se ju besoj. Sepse të gjithë e dimë, ky është realiteti. Kemi 30 vjet këtu dhe dimë edhe ne vetë të nxjerrim konkluzionet tona. në fund të fundit, kush do, i nxjerr konkluzionet. Me gjithë ndryshimet pozitive, kodi ka lënë siç ishte rinovimin e lejes për pensionistët, të cilët çdo dy vjet duhet të paguajnë paravolo 150 euro nga pensioni i tyre i pakët. Vërtet, për ç’ arsye kohëzgjatja e lejes për pensionistët është caktuar në dy vjet?

PATROKLOS GEORGIADIS: Kjo është një çështje që na e kanë shtruar dhe komunitetet e emigrantëve dhe po e shqyrtojmë.


 

TV TRIBUNA: Gjithashtu një tjetër ankesë vjen nga njerëz të moshës së tretë – të cilës po i afrohem dhe unë- që nuk mundën të nxjerrin pension këtu dhe e kanë të pamundur të plotësojnë kushtet për rinovimin e lejes së qëndrimit -nëse nuk kanë ndonjë pjesëtar t[ë familjes që ka marrë nënshtetësinë greke. Janë njerëz që kaluan në Greqi thuajse gjithë moshën e tyre aktive, punuan fort, kontribuan për familjet e tyre por edhe për Greqinë – dhe tani ndihen të braktisur pa mundur, për arsye objektive të vazhdojnë jetën e tyre në vendin e origjinës. A do të mundej shteti ta shqyrtonte këtë çështje nga një këndvështrim të themi humanitar?

PATROKLOS GEORGIADIS: Po, është në planet tona të japim një zgjidhje në këtë problem objektiv që përmendët. Nevojitet të bëhen studime konkrete, të cilat i kemi filluar. Është fjala për impaktin që do të ketë, impakt ekonomik dhe social dhe të shikojë edhe faktin që këta njerëz nuk mund të kthehen në vendet e origjinës.


 

TV TRIBUNA: Atëherë unë po mbaj që kjo çështje është në axhendën tuaj...

PATROKLOS GEORGIADIS: Por do të duhet të shqyrtojmë shumë parametra, kryesisht jo vetëm si e drejtë për qëndrimin në Greqi pas 30 vjetësh, megjithëse nuk kanë dalë në pension këtu, por do të duhet të përllogariten dhe mundësitë që kanë vetë ata që të jetojnë këtu, por edhe mundësinë që kanë për t’u kthyer në vendin e origjinës në raport me jetesën optimale.


 

TV TRIBUNA: Një tjetër lajm pozitiv ka të bëjë me projektligjin që ministri Kairidis prezantoi në mbledhjen e kabinetit qeveritar pak ditë më parë dhe që ndërmjet të tjerash parashikon rritjen e kohëzgjatjes së lejeve të qëndrimit, 3 vjeçaret bëhen 5 vjeçare dhe lejet epimakron 7 vjeçare. Kur pritet të votohet ky ligj? Dhe e dyta, nëse mund të na thoni, rinovimi me kohëzgjatjen e re do të bëhet kur të skadojnë lejet aktuale, apo dikush mund ta kërkojë edhe më herët?

PATROKLOS GEORGIADIS: Jemi në fazën e përpunimit përfundimtar, do të dalë për konsultim publik. Nuk mundem unë vetë të bëj një parashikim. Mirëpo është diçka që do ta shohim të ndodhë relativisht shpejt.

Gjithsesi, brenda 2024-s.

TV TRIBUNA: Ju falënderoj shumë, ju falënderoj për punën që bën ministria, të paktën pjesa që merret me emigrantët e ligjshëm dhe shpresoj që në një intervistë tjetër të kemi gjëra më pozitive për të informuara bashkatdhetarët e mi.


 

PATROKLOS GEORGIADIS: Unë ju falënderoj shumë. Ajo që dua të dinë të gjithë është se shteti grek dhe qeveria greke i shikon ata që jetojnë në këtë vend si të barabartë. Dhe fakti se shumica e njerëzve që erdhën në Greqi... Siç e dini, Greqia nuk ishte vend pritës emigrantësh, Greqia eksportonte emigrantë.

Fakti se sot, sidomos brezi i dytë dhe i tretë janë integruar plotësisht në shoqërinë greke na jep kënaqësi të veçantë dhe – më besoni- kemi një rrugë të përbashkët dhe një të ardhme të përbashkët, të gjithë së bashku, në këtë vend, për përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe për sigurinë e së drejtës.


 


 


 


 

Ndaje me miqte