0030 210 33 18 483

Kryetari i Himarës Jeorji Bollano dhe shpëtimi i Bahri Omarit

02 Maj 2015

Në shtëpinë e Jeorji Bollanos, kryetar i Parisë së krahinës së Himarës, kishin fjetur gjatë Luftës edhe i dërguari i Këshillit Antifashist Nacional-lirimtar, Dr. Ibrahim Dervishi, edhe eksponenti i njohur i Ballit Kombëtar Bahri Omari. Që të dy, barba Jeorji i kishte mikpritur e sajdisur sipas zakonit e traditës së lashtë himarjote. Ndërsa Omarin e shpëtoi nga atentati që i kishte përgatitur njësiti guerril i zonës së Bregut, në dhjetor 1943. Nga Prof.Dr. Priamo Bollano Në kuadrin e Operacionit të madh të Dimrit 1943-1944, pushtuesit nazist në bashkëpunim me forcat kolaboracioniste, si në gjithë Shqipërinë, edhe në krahinën e Himarës intensifikuan presionin dhe njëkohësisht terrorin e tyre. Ndërkohë, për të shkëputur Himarën nga lëvizja nacional-çlirimtare dhe rradhitur atë në krahun e tyre, në dhjetëditëshin e tretë të dhjetorit 1943 gjatë udhëtimit të tij në Shqipërinë e Jugut, vjen në Himarë, Bahri Omari. Në atë kohë mbante postin e Ministrit të Jashtëm në Kabinetin Qeveritar të Rexhep Mitrovicës ( 5 nëntor 1943 -16 qershor 1944) dhe ishte një ndër eksponentët kryesorë dhe anëtar i Kryesisë së Ballit Kombëtar. Kur dielli ishte në perëndim dhe udhëtimi natën për tu kthyer në Tiranë, sidomos në vitet e Luftës, ishte me plot rreziqe, vendosi të bujtojë në Himarë. Me këtë rast do takohej edhe me miqtë e tij të vjetër, të njohur shumë vite më parë, që në vitet e rinisë së tij, kur kishte ushtruar postin e Nënprefektit të Himarës. Jeorji Bollano falë postit të tij si Kryetar i Pleqësisë së Krahinës, i brumosur me zakonet, fisnikërinë dhe besën himariote, mori përsipër bujtimin e Omarit në shtëpinë e tij. Sipas zakonit të vjetër të vetëqevrisjes himariote, përcjell në për shekuj brez pas brezi, sikurse edhe në Kanunet e Krahinave për rreth, parashikohej që i Pari i vendit merrte përsipër dhe mbante përgjegjësi për jetën e mikut, për deri sa ai ishte brenda kufirit të fshatit ose të Krahinës së tij. Dhe për këtë Kryetari i Himarës mori të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e Bahri Omarit nga ndonjë operacion i shpejtë nga njësiti guerril vëndas të lëvizjes nacional-çlirimtare, që vepronte në Himarë. Këtë Barba Jeorji e kish bërë edhe në raste të tjera, fjala vjen, me pritjen që kohë më parë i kishte rezervuar në shtëpinë e tij doktor Ibrahim Dervishit, i deleguar Frontit Nacional-lirimtar në Himarë. Në darkën e shtruar për nder të mikut, pas urimeve të mirëseardhjes, në mënyrë të natyrshme dhe rrjedhshëm biseda kaloi në analizën dhe shkëmbimin e mendimeve për problemet e kohës, sidomos për situatën e Luftës. Përveç të tjerave, në të u nënvizua fakti se megjithëse në programin e Lëvizjes Antifashiste Nacional-lirimtare shtrohej nevoja e bashkimit të popullit në luftë kundër pushtuesve “ pa dallim feje, krahine dhe ideje, për një Shqipëri të Lirë e Demokratike“, por që nga ana e Frontit të udhëhequr nga komunistët në të vërtetë i ishte dhënë tjetër drejtim asaj. Rreth kësaj teme, përveç të tjerave në këtë bashkëbisedim u theksua: Bahriu : “Njerëzit e Lëvizjes, - dmth komunistët-, synojnë pas Luftës vendosjen e sistemit të Sovjetëve, pra komunizmin për Shqipërinë, një rregjim që nuk kishte dhënë përfundimet e duhura as edhe në një vend të madh e të fuqishëm siç ishte Bashkimi Sovjetik. Sigurisht ,- vazhdoi bisedën ai-, komunizmi synon për një ideal të lart, të bukur, për barazi, solidaritet, vëllazërim midis njerëzve, por këto, siç tregon historia, nuk janë gjë tjetër veçse një utopi. Jeorji : Aq më pak këto parime të mëdha, nuk mund të gjejnë zbatim në një vend të varfër, të prapambetur, të vogël dhe të pafuqishëm, siç është Shqipëria. Bahriu: Eshtë një diçka, një perspektivë, që vjen në kundërshtim dhe bie ndesh me vetë teorinë marksiste të revolucionit, që sipas Karl Marksit, ideologut të tyre, ai mund të triumfojë vetëm në vendet më të zhvilluara kapitaliste të Evropës, dhe në disa vende të tjera dhe jo në një vend të vetëm e të prapambetur...” Biseda e zhvilluar atë natë të gjatë të dhjetorit 1943, midis dy burrave të mënçur, jo vetëm që ishte në unison të plotë, por ajo tregoi bindshëm se distancën që ndante komunizmin teorik, atë të letrave dhe komunizmin real, së bashku me pasojat që mbartte ai, e njihnin më mirë antikomunistët, d.m.th., nacionalistët dhe demokratët e vërtetë, siç ishin Bahri Omari dhe Jeorji Bollano, se sa ata që e propagandonin dhe vriteshin për vendosjen e tij në Shqipëri, siç ishin njerëzit e Lëvizjes Nacional-lirimtare... Të nesërmen herët në mëngjez, Jeorji Bollano përmes njerëzve të vet informohet se, në zbatim të urdhërit të qarkorit, njësiti guerril vëndas i lëvizjes nacional-çrimtare me shpejtësi kishte shkuar tek Ura e Palasës për t’i bërë pritë Bahri Omarit gjatë rrugës së kthimit të tij për në Tiranë. Pa ditur një gjë të tillë, në orën 8 të mëngjezit, Bahri Omari i kënaqur për mikëpritjen fisnike dhe bashkëbisedimin e ngrohtë me të zotin e shtëpisë- Kryetarin e Himarës Jeorji Bollanon, së bashku me njerëzit që e shoqëronin, përgatitej për kthim në Tiranë. I mënçuri Jeorji fare i qetë, duke buzëqeshur i afrohet Bahri Omarit, e fton për të pirë kafenë e mëngjezit dhe i thotë: -Jo nuk do të nisesh. Udhëtimi për në Tiranë nuk do të kryhet tani. Do të jetë mirë - vazhdoi ai -, që udhëtimi të kryhet nga ana e Sarandës dhe Gjirokastrës, por jo nga ana e Vlorës. Dhe kështu u bë. Aksioni i njësitit guerril për asgjësimin e Bahri Omarit në Himarë dështoi. Sipas tregimit të familjarëve të Jeorji Bollanos, pas disa ditësh në një bisedë intime me një anëtar tjetër të fisit Bollano, i cili ishte njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Nacional-lirimtar të Himarës, e pyet Barba Jorgjin në konfidencë: Pse e bëtë një gjë të tillë? Dhe plaku i moçëm me buzëqeshje i përgjigjet:-Jam Kryetar i Himarës dhe mbaj përgjegjësi për çdo vrasje që mund të ndodhë në territorin tonë, nga Palasa në Protopap!... Pas Konferencës së Mukjes të gushtit 1943, Partia Komuniste Shqiptare, e përfaqësuar nga Fronti Antifashist Nacional-lirimtar, përmes një udhëzimi të veçantë dërguar qarkorëve të saj, udhëzonte ndërprerjen e bashkëpunimit me forcat nacionaliste dhe, si bashkëpunëtorë me pushtuesit, t’u shpallej luftë njëlloj si edhe pushtuesve nazistë. Por edhe forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, nga ana e tyre nuk ngelnin mbrapa në bastisjet, plaçkitje, vrasje dhe akte të tjera ndaj popullsisë së pafajshme. Në këto kushte Lufta Nacional-lirimtare merrte nuancat e një lufte civile. Duke filluar nga tremujori i katërt i vitit 1943 e në vazhdim, është fakt se, nga pjesëmarrësit e Lëvizjes Nacionalçlirimtare u intensifikuan kërcënimet dhe shantazhet ndaj Parisë së çdo fshati, dhe himariotëve të thjeshtë. Ata përmes pusullave dhe fletushkave të hedhura fshehurazi dhe natën, nën dyert e shtëpive të mjaftë himariotëve me influencë në Krahinë, i kërcënonin që të hiqnin dorë nga vetqeverisja mbi bazën e Dhimogjerondisë, dhe të lidheshin me Lëvizjen, se në rast të kundërt forcat partizane do të bënin atentate vrasjeje ndaj tyre. Këtij qëllimi i shërbente, siç pohohet edhe në “Historia Luftës Antifashiste Nacional-lirimtare të Popullit Shqiptar”, thirrja e Këshilli Nacionalçlirimtar të qarkut të Vlorës, e nëntorit 1943, drejtuar popullit të Krahinës së Himarës, për të demaskuar dhe i zoluar anëtarët e Kryepleqësisë dhe mbështetësit e vetëqeverisjes himariote, të cilët i cilësonte “elementë armiq”. Para këtij presioni të madh, shumë prej këtyre, të trembur nga terrori dhe nga kërcënimi mendojnë të braktisin Krahinën, të arratisen për në Korfuz ose për në Itali. Para këtij paniku të madh, Jeorji Bollano, si Kryetar i Parësisë së Krahinës, në fillim të dhjetorit 1943, thërret në Spile për një takim këshillues në shtëpinë e Savo Llazarit, gjithë anëtarët e Pleqësise së fshatrave dhe krerët e Krahinës, Ndërmjet të tjerave në këtë takim ai theksoi: - Nga sa jam informuar,shumë prej nesh, jemi kërcënuar për vrasje në rast se nuk heqim dorë nga vetëqeverisja jonë. Si rrugë shpëtimi disa kanë menduar largimin nga vendlindja, duke lënë pas familjet, gratë, fëmijët dhe gjithë pasurinë e tyre. Unë ju thirra për të theksuar se një vendim i tillë nuk është i shëndoshë dhe nuk përputhet me historinë dhe qëndresën shekullore të Krahinës. Ju bëj thirrje të ndërroni mëndjen dhe të qëndroni këtu, se nderi dhe lavdia e jonë është këtu, në Himarë. Qëndrimi i yne do të jetë që krahina të mos bëhet operacion luftimesh midis partizanëve dhe nazistëve. Sa për djemtë tanë që janë partizanë, sikurse deri më sot, do t’i ndihmojmë me armë dhe ushqime, por nga vendi, mirë është të mos largohet askush. Me gjithë këshillat dhe kërcënimet për vrasje, që më janë dhënë, unë nuk do të largohem kurrë nga Himara!”. Dhe kështu bëri. Partia Komuniste Shqiptare ende pa marrë pushtetin në dorë siç kishte paralajmëruar, filloi të zbatojë ndaj himariotëve, shkallë-shkallë por në mënyrë sistematike, politikën e luftës civile, që kishte për synim suprimimin përfundimtar të vetëqeverisjes popullore himariote. Në zbatin të saj, u vranë radhazi krerët e Pleqësië së fshatrave e të Krahinës. Në mbrëmjen e 24 janarit 1944, në zbatim të vendimit të marrë në Ramicë gjatë përurimit të Brigadës V nga qarkori, gjatë kthimit nga dyqani për në shtëpi në hyrje të saj në Spile, forcat guerrile qëllojnë pas shpine, duke i marrë jetën Kryetarit të Himarës martire, Jeorji Bollanos. Për të fshehur këtë akt kriminal-terrorist dhe për të krijuar një ide të rreme se vrasja nuk u bë nga forcat partizane dhe me qëllim të krijimit të një përçarje të mundëshme dhe hedhur në vëlla-vrasje antarët e fisit, përhapën lajmin se Jeorjin e kish vrarë një Bollano, për konflikt interesi të vjetër ndërmjet familjeve të tyre, i cili ishte pjesëmarrës në lëvizjen nacionalçlirimtare! Qëllimin mashtrues dhe dinakërinë e një lajmi të tillë, pleqësia dhe njerëzit e mënçur të fisit Bollano shpejt e kuptuan dhe e hodhën poshtë, si gënjeshtër dhe akuzë për mashtrim . Ndërkohë, familjarët dhe të afërmit e Bollanos, sidomos nga Ajio Mihaili, që akuzohej si atentator i Barba Jeorjit, pasi u njohën me këtë thashethemnajë të trashë dhe idiote, u interesuan dhe më në fund zbuluan vrasësin e vërtetë. Sipas zakonit krahinor, ata, bënin roje me armë në dorë për javë të tëra në pikat kryesore të kalimit për në Himarë, për t’u përballur dhe marrë hak ndaj vrasësit të vërtetë të Kryetarit të Himarës. Por ai, siç ishte e kuptueshme, pas kryerjes së atentatit dhe krimit, për një kohë të gjatë u zhduk nga Himara. Ai u strehua dhe veproi në zonën e Lumit të Vlorës, sepse kish frikë të dukej, aq më shumë të kapardisej, në Himarë. Në ushtrimin e terrorit, masakrave, vrasjeve, burgimeve dhe internimeve ndaj Himariotëve, siç janë të njohura, nuk mbetën mbrapa edhe forcat kolaboracioniste me pushtuesit nazist, sidomos forcat e Balli Kombëtar. Më 10 tetor 1943, eta e Ballit Kombëtar vrau në Vlorë mjekun nga Himara Koço Kaçelano, ndërsa në masakrat e 4 shkurtit 1944, në Tiranë, pushkatohet mjeku Stefan Pano nga Himara, ndërsa Stefo Cura dhe Niqi Andoni nga Vunoi internohen në Prishtinë ose në kampet e tjera nazistetë përqëndrimit. Ndërkohë në kuadrin e sigurimit të lëvizjes së lirë të forcave pushtuese në rrugën kombëtare Sarandë-Himarë-Vlorë, gjatë muajve mars-prill 1944, komanda gjermane dërgoi në Krahinën e Himarës krahas me forcat të veta të përforcuara edhe nga forca të shumta xhandaro-balliste. Për këtë qëllim nga ana e Kurveleshit, fshatrat Qeparo, Kudhës dhe Pilur u shkelën nga bandat balliste të Idriz Jahos nga Kuçi, ndërsa përmes Vlorës fshatrat Dhërmi, Vuno, Himarë nga bandat balliste të komanduara nga Shero Emini nga Smokthina. Në vend që të luftonin dhe të realizonin qëllimin për të cilin ishin dërguar në Himarë, këto banda në të vërtetë iu vërsulën egërsisht banorëve të pafajshëm e të pa armatosur, duke bërë bastisje, rrahje, grabitje e deri vrasje e krime të tjera. Viktima të krimeve të tyre janë ndër të tjerë Mitro Vasili dhe Mali Andoni nga Vunoi, Kristo Neranxi nga Himara etj. Terrori, bastisjet, vjedhjet dhe vrasjet e kryera nga bandat xhandaro-balliste kolaboracioniste me pushtuesit nazistë lëndoi rëndë ndjenjat dhe shpirtin mikpritës e bujar të himariotëve. Prandaj ata u ngritën me forcë kundër këtyre bandave antipopullore. Të ndodhur para kësaj gjëndjeje, antarët e Kryepleqësisë së Himarës të dy Janët: Jani Kokaveshi dhe Jani Kallushi, marrin kontakt dhe informojnë komandën e garnizonit gjerman në Spile, për veprimet plaçkitëse, bastisjet dhe vrasjet pa shkak nga ana e forcave balliste dhe i kërkojnë ndërhyrjen dhe marrjen e masave prej saj. Komanda e garnizonit nazist në Spile, pas këtij informimi nga antarët e Kryepleqësisë revoltohet dhe urdhëron që forcat bashibozuke xhandaro-balliste brenda orës 14,00 të largohen urgjentisht nga territori i Himarës; në rast të kundërt ata do të dëbohen me forcë. Dhe kështu u bë me të vërtetë. Nga mesi i marsit 1944, forcat xhandaro-balliste së bashku me plaçkën e grabitur u larguan me turp. Himara dhe fshatrat e saj, në saje të mënçurisë dhe ndërhyrjes së Kryepleqësisë së saj, mbetën të lira nga këto forca, që për veprimet dhe aktet terroriste, vjedhjet, plaçkitjet e masakrat të kryera në Himarë, shfaqën hapur fytyrën e tyre thellësisht antipopullore.

Ndaje me miqte