Kush i shkaktoi protestat në Iran?
Zëri i Amerikës
03 Janar 2018
Udhëheqësit e Iranit duket se kanë mendime të ndryshme rreth arsyeve të protestave antiqeveritare që kanë përfshirë vendin, rreth asaj se çfarë përfaqësojnë demonstruesit dhe se ç'duhet bërë për të frenuar trazirat - sfida më e rëndë për udhëheqjen fetare të Iranit që nga viti 2009, kur autoritetet morën masa në të gjithë vendin për të shtypur “Lëvizjen e Gjelbër” pro-demokracisë.
Udhëheqësi suprem Ayatollah Ali Khamenei akuzoi të martën “armiqtë e huaj” për nxitjen e protestave, gjatë të cilave janë sulmuar stacione policore dhe zyra udhëheqësish të lutjes së të premtes. Në qytetin Karaj iu vu zjarri ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa në Arak u pushtua zyra e guvernatorit.
Në faqen e tij zyrtare, Khamenei shkruante: "Ditët e fundit, armiqtë e Iranit kanë përdorur mjete të ndryshme, duke përfshirë para, armë, politikë dhe mjete të zbulimit për t’i krijuar probleme Republikës Islamike".
Ndihmësit e tij kanë veçuar Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Arabinë Saudite si fajtorë.
Megjithatë, zyrtarë të tjerë të lartë iranianë e kanë minimizuar rolin e pretenduar të fuqive të huaja në protestat që filluan në Mashhad, qyteti i dytë më i madh i Iranit dhe u përhapën me shpejtësi. Të shtunën, protestat arritën në kryeqytetin Teheran, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë pranë universitetit kryesor.
Presidenti reformator Hassan Rouhani e vuri gishtin te dëshpërimi ekonomik si shkaktar kryesor të trazirave. "Ne nuk kemi sfidë më të madhe se papunësia. Ekonomia jonë kërkon një operacion të madh korrigjimi," tha Rouhani të hënën.
Zëvendësministri i Brendshëm Hossein Zolfaghari vuri në dukje të martën se 90 për qind e më shumë se 450 protestuesve të arrestuar deri tani janë nën moshën 25 vjeç dhe tha se ata po shprehnin zhgënjimin e tyre rreth vështirësive ekonomike. Radiotelevizioni shtetëror iranian, i cili fillimisht heshti për trazirat, ka mbështetur shpjegimin e reformistëve për vështirësitë në rritje, duke përmendur problemet ekonomike si shkakun kryesor të trazirave që po kthehen në konfrontime gjithnjë e më vdekjeprurëse.
Udhëheqësit radikalë, të cilët janë për përdorimin e goditjes së ashpër, si ajo që vuri poshtë protestat e vitit 2009, nuk e pranojnë kursin reformator.
"Nëse njerëzit do të dilnin në rrugë për shkak të çmimeve të larta, ata nuk duhet të kishin hedhur parrulla anti-qeveritare dhe as do të kishin djegur pronat publike apo makina", tha gjenerali Esmail Kowsari.
Kowsari është politikan konservator dhe zëvendës-shef i njësisë së Rojës Revolucionare Islamike përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë në Teheran. Deri tani, qeveria nuk i ka marrë parasysh paralajmërimet e tij për përdorimin e një "grushti të hekurt" për të shtypur protestuesit.
Trazirat e fundit, të cilat janë në një shkallë më të vogël se ato të vitit 2009, thonë analistët, po trajtohen me më shumë kujdes. Autoritetet po përpiqen t’i frenojnë ato në shkallë lokale, pa dislokimin në masë të njësive të Rojës Revolucionare.
Zolfaghari parashikoi të martën se protestat do ta kenë jetën të shkurtër, duke thënë se forcat e sigurisë "u përballën me vendosmëri me sabotatorët" që përdorën dhunë. "Në pjesën më të madhe të vendit gjendja tani është normale dhe trazirat që ndodhën në zona të caktuara do të përfundojnë shpejt me bashkëpunimin e njerëzve dhe me përpjekjet e forcave të sigurisë", tha Zolfaghari
Por Ghasem Sholeh-Saadi, aktivist i të drejtave të njeriut dhe ish ligjvënës iranian, tani profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Teheranit, mendon se protestat kanë potencialin për të shkuar shumë më tej. "Gjërat po dalin nga kontrolli", tha ai për faqen e lajmeve IranWire, një nismë e përbashkët e një grupi gazetarësh iranianë në mërgim.
"Besoj se kjo do të vazhdojë sepse qeveria nuk mund t'i plotësojë kërkesat e njerëzve dhe me strukturën aktuale, sundimtarët tanë nuk janë gati për ndryshim. Për momentin, jemi në një ngërç politik, "tha Sholeh-Saadi.
Ai argumenton se qeveria "nuk ka mjete efektive për të shtypur [njerëzit] dhe, edhe nëse mundet, shtypja nuk do ta zgjidhë problemin e tyre". Kërcënimi, thotë ai, nuk drejtohet vetëm ndaj politikanëve të vijës së ashpër, por edhe ndaj reformistëve, të cilët janë lënë pas nga njerëzit, ndërkohë që kërkesat e tyre bëhen më të njëzëshme dhe më të gjera.
"Grumbullimi i kërkesave të paplotësuara, çështjet e ndërlikuara ekonomike dhe atmosfera e sigurisë kanë bërë që në vetëm tre ditë dhe me shpejtësi të pabesueshme parrullat të shndërrohen në radikale dhe njerëzit të shprehin kundërshtim të hapur ndaj zotit Khamenei dhe zotit Rouhani," tha ai.
Richard Dalton, ish ambasador britanik në Iran, pajtohet me mendimin se edhe pse rritja e çmimeve për mallrat kryesore nxiti protestat, trazirat janë zhvilluar si "një pasqyrim i pakënaqësisë së thellë ndaj natyrës së regjimit islamik". Ato janë ushqyer nga dëshpërimi, thotë ai, midis iranianëve të zakonshëm, të cilët janë të zemëruar se jeta e tyre nuk është përmirësuar qëkur Rouhani arriti marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me fuqitë e huaja, gjë që rezultoi në heqjen e disa sanksioneve ekonomike në vend.
Rouhani kishte premtuar se marrëveshja bërthamore do të sillte një ekonomi më të suksesshme. Zoti Dalton thotë se autoritetet iraniane duken të befasuar nga shkalla e gjerë e përhapjes së protestave.
Ndaje me miqte