0030 210 33 18 483

Le Monde: Merkel dhe Tsipras fate të lidhura me krizën e emigrantëve

05 Mars 2016

“Angela Merkel dhe Aleksis Tsipras gjenden sot në të njëjtën anije dhe ose do të mbyten të dy bashkë, ose do t’i përshëndesim një ditë si heronjtë që mbajtën lart ngjyrat dhe nderin e Europës”, nënvizon gazeta franceze “Le Monde”, në një opinion që nënshkruhet nga korrespondentja në Bruksel, Cécile Ducourtieux. Në shkrim analizohet se si kriza e refugjatëve ka ndikuar kaq shumë saqë fatet e de liderëve të jenë të ndërlidhur. “Situata do të mund të ishte qesharake, po të mos ishte tragjike. Kriza e refugjatëve, të cilën Europa nuk mundi ta kapërcejë duke dhënë imazhin e mjerushëm të një kontinenti të pamundur dhe të verbër, i afroi jashtëzakonisht Angela Merkelin dhe Aleksis Tsiprasin. Fatet e kancelares gjermane dhe të kryeministrit grek janë tash e tutje pjesërisht të ndërlidhura”. Pasi hedh një vështrim të shpejtë në negociatat e vështira të vitit të kaluar, kur Angela Merkel nuk pranoi të ndryshonte as edhe një fije politikën për shtrëngesën duke e detyruar Tsiprasin të “përgjunjet”, gazetarja konkludon se “sot gjenden në të njëjtën anije anije. Ose do të mbyten të dy bashkë, ose do të mundin të mbërrijnë në port dhe një ditë do t’i përshëndesim dy heronjtë europianë, që ishin të vetmit të cilët mbajtën lart ngjyrat dhe nderin e Unionit”. Lëvizja që bëri në fillim kancelarja gjermane, për t’u hapur dyert refugjatëve sirianë, u përshëndet prej gjithëkujt, vë në dukje gazetarja franceze. “Mirëpo sot, askush nuk e mbështet më, përveç Komisionit Europian në Bruksel. Liderët e tjerë u nënshtruan përballë presionit popullor dhe mbajtën anën e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, i cili prej disa muajsh kërkon izolimin e Greqisë. Medje edhe Franca e hedh gjetkë vështrimin: Francois Hollande ngurron t’i japë mbështetje të fuqishme Berlinit, ndërsa (kryewministri) Manuel Valls, e kritikoi hapur politikën e saj (të Merkelit)”. “Kancelarja është dobësuar në planin e brendshëm dhe popullariteti i ka marrë tatëpjetën, ndërsa gjithmonë e më pak gjermanë i bashkohen kredos së saj se “do t’ia arrijmë”. Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore një parti reale e ekstremit të djathtë, AFD, nisi të hedhë rrënjë në Gjermani dhe Merkel -me gjithë dhjetë vitet e hegjemonizmit të padiskutueshëm të saj-, po rrezikon të kalojë në histori si liderja që shkaktoi dështimin e Europës për arsye të një naiviteti të ekzagjeruar”, nënvizon Le Monde. “Për të shmangur këtë diskreditim, dhe për të realizuar planin e saj fillestar (rivendosjen e refugjatëve kudo në Euiropës, marrëveshje me Turqinë për kufizim të flukseve migratore dhe forcim të kufijve të jashtëm Shengen), kancelarja ka nevojë për Tsiprasin”, vlerëson e përditshmja franceze. Kryeministri grek do të duhet të vazhdojë konkretizimin e hotspoteve (qendrave të pritjes së refugjatëve), të evitojë kaosin në Greqi, në kohën që 70.000 njerëz do të mund të bllokohen në vend për shkak të mbylljes së kufijve nga FYROM. Po qe se reziston, ndoshta atëherë emigrantët e kuptojnë që nuk ia vlen të rrezikojnë jetën e tyre duke përshkuar Mesdheun për të izoluar në një vend ku papunësia është 25%. Flukset do të kufizohen në mënyrë drastike dhe vendet europiane përfundimisht do të mbajnë angazhimoin për të lehtësuar Greqinë, duke marrë edhe ato refugjatë. Probleme të brendshme, fate të ndërlidhura Sigurisht, Aleksis Tsipras përballet edhe me vështirësi të tjera: i detyruar të avancojë në zbatimin e programit të shtrëngesës, nuk i kanë mbetur veçse dy vota maxhorance në parlamentin grek. Rrjedhimisht, ka nevojë nga një mbështetje e fuqishme politike dhe një ndihmë masive ekonomike dhe materiale. Dhe Angela Merkel po aktivizohet energjikisht për këtë çështje: I ngre tonet në media, por edhe në Bruksel, duke e nxiztur Komisionin Europian që të gjejë urgjentisht para për Athinën. A do të mundej një lider tjetër grek të bënte diçka më të mirë? Me siguri, jo. Përndryshe, Angela Merkel ka krijuar prej rrethanave një njohje të mirë me liderin e SYRIZA-s dhe mundi të provojë kurajën politike dhe ndershmërinë e 40 vjeçarit. Gjithsesi, vë në dukje le Monde, “e ardhmja e Angela Merkel varet gjithashtu nga aftësia e Tsiprasit për të imponuar reformën shumë të ashpër të pensioneve, që kërkojnë kreditorët. Nëse kjo reformë nuk kalon deri në fund të pranverës, Greqia rrezikon të gjendet sërish në një gjendje gjysmë falimentimi. Diçka e tillë do të ishte fatale për Berlinin: çfarë do t’u thotë kancelarja deputetëve të partisë së vet, se nuk kanë për t’i parë më paratë që me kaq mund i bindi t’i huajnë Greqisë? Se dështoi dyfish: në çështjen e refugjatëve dhe në shpëtimin e eurozonës?... Dhe Tsipras nga ana e vet, çfarë tjetër do të mund të bënte përveçse të mbështetej tek i vetmi aleat që i ka mbetur. Ai është i detyruar të ndihmojë që të realizohet plani i Merkelit. Që nga momenti që do të kalojë reforma e pensioneve, kryeministri grek ka gjithashtu nevojën e kancelares për rinegociimin mbi borxhin kolosal, që u ka premtuar grekëve. Ky rinegociim do t’i lejojë që të argumentojë para kritikëve të tij arsyet e bashkëpunimit me Berlinin dhe Brukselin. Krizën e refugjatëve, çifti franko-gjerman shkëlqen me mungesën e vet. Dhe ndërsa Merkel po lufton, Parisi shtiret sikur kriza kufizohet në Kale (një kamp i madh refugjatësh dhe emigrantësh në Francë). Ironia e historisë është përfundimisht se, në realitet çifti greko-gjerman është i vetmi që po përpiqet sot të evitojë mbytjen e Europës dhe të mbajë kokën lart (sipër ujit”, përfundon Le Monde. Përgatiti për botim: Tribuna

Ndaje me miqte