Leningradi qyteti që nuk e gjunjëzoi uria gjatë rrethimit nazist
Volker Wagener
13 Shtator 2016
Ishte Leningradi dhe jo Stalingradi vendi ku ndodhi katastrofa më e madhe humanitare në frontin lindor gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nazistët gjermanë dërguan drejt vdekjes qindramijëra civilë përmes urisë dhe të ftohtit.
Në fillim u zhdukën qentë; pastaj macet dhe zogjtë. Nevoja e njerëzve për të mbijetuar i detyroi të hanin ç’të gjenin përpara. Madje edhe gjëra që ishte vështirë të imagjinohej se mund të konsumoheshin, si supa nga copra të ziera lëkurësh apo madje dhe nga tapecaritë.
Shkrimtari rus, Daniil Granin që mundi të dilte i gjallë nga “ferri” i Leningradit, ka përshkruar para dy vjetësh në parlamentin gjerman skena monstruoze: “Një fëmijë vdes. Nëna e tij e vendos trupin në dritare dhe çdo ditë pret nga një copë që të ushqejë fëmijën e dytë, vajzën. Dhe mundi të mbijetojë”.
Kanibalizmi nuk ishte një fenomen i rrallë gjatë 900 ditëve që zgjati rrethimi i Leningradit. Shifrat variojnë nga 1.000 në 2.000 raste, megjithëse parashikohej ekzekutimi i menjëhershëm i gjithë atyre që kryenin akte të tilla.
Historia e San Petërsburgut të sotëm në periudhën 1941 dhe 1944, shkakton tmerr. Qyteti në dalje të lumit Neva kishte 2,5 milionë banorë kur filloi rrethimi gjerman. Ndërmjet tyre, 400.000 fëmijë. Në 871 ditët e rrethimit që vazhdoi nga 8 shtatori 1941 deri më 27 janar 1944, humbën jetën 1,1 milionë civilë. Shumica e tyre nga uria, të tjerë nga të ftohtit e acartë të dimrit. Historianët e kanë cilësuar rastin e Leningradit su katastrofën më të madhe demokrafike që ka pësuar një qytet. Ishte rrethimi më i gjatë në afat kohor i një qyteti, në shekullin e 20-të.
Civilët vdisnin urie që të mbijetonin ushtarët gjermanë
Hitleri synonte fillimisht që ta pushtonte Leningradin dhe ta rrafshonte. Mirëpo ndërkaq i përmbajti divizionet e veta. Në vend që të implikohej në luftime në barrikada që do të sillte humbje të mëdha të forcave ushtarake, urdhëroi mbajtjen në rrethim të qytetit të dytëp më të madh të Bashkimit Sovjetik. Kjo i zemëroi ushtarët gjermanë. Ministri i propagandës i Hitlerit, Joseph Goebbles ka shkruar në ditarin e vet: “Trupat bërtisnin: Ne duam të marshojmë përpara!”.
Sipas historianit gjerman, Jorg Ganzenmuller, vdekja nga uria e popullsisë u provokua me qëllim që të garantohej ushqimi i ushtarëve nazistë. Sepse, që nga vera e 1941-shit, ushtria gjermane kishte probleme me furnizimin në zonat e pushtuara.
Kriza e urisë nisi në fillim të tetorit 1941. Buka përzihej atëherë me hime dhe materiale të tjera. Kush punonte, merrte 250 gr bukë në ditë. Të tjerët, duhej të mjaftoheshin me gjysmën e kësaj sasie. Shtëpitë ishin të ngrira nga të ftohtit. Brenda tyre qëndronin njerëz të rraskapitur, bashkë me të vdekurit. Fillimisht digjnin mobiljet që të ngroheshin, në fund digjnin librat.
Por edhe në ditët më të këqija të rrethimit, banorët e Leningradit treguan guxim të pashterrshëm. Në dimrin e parë të rrethimit, 2.500 studentë përfunduan studimet e tyre. Vazhduan shfaqjet teatrale; muzemumet ishin të hapura dhe në verën e 1942-shit u interpretua në Leningrad Simfonia e Shtatë e Shostakoviçit. Kompozitori e kishte kompozuar atë një vit më parë, nën krismat e armëve naziste.
Për një kohë shumë të gjatë, rrethimi i Leningradit konsiderohej nga historianët si “një operacion normal ushtarak”, thotë Manfred Sapper, editor i revistës Osteuropa (Europa Lindore). Përmasat e dhimbjes së vuajtën qytetarët e paarmatosur u mbajt në heshtje për dekada, shpjegon historiania britanike Anna Reid, duke ia dedikuar këtë faktit se autorët e asaj masakre ishin gjyshërit dhe etërit -që kishin luftuar në frontin lindor- të brezave më të rinj.
Në ndërgjegjjen kolektive gjermane Leningradi ndodhej nën hijen e Stalingradit. Ngase aty pati shumë viktima gjermane, vlerëson Jorg Ganzenmuller.
(Burimi: Deutsche Welle)
Ndaje me miqte