Liderët e partive greke vijë e përbashkët në çështjen e refugjatëve
05 Mars 2016
Tryeza e liderëve të partive politike greke, pas tetë orësh diskutimesh nën drejtimin e presidentit të Republikës, ka konkluduar në një deklaratë të përbashkët për çështjen e refugjatëve.
Në deklaratën e përbashkët, që nënshkruhet nga SYRIZA, Demokracia e Re, PASOK, to Potami dhe ANEL, nënvizohet ndërmjet të tjerash se vendet që distancohen nga vendimet e Bashkimit Europian duhet të përballen me konsekuenca, ndërsa i bëhet thirrje BE-së që të konkretizojë se cilat do të jenë këto konsekuenca.
Greqia “me frymë humanizmi dhe solidariteti kundrejt refugjatëve, por edhe duke blinduar sigurinë e popullit grek, do të respektojë deri më një detyrimet e veta, ashtu siç ato përcaktohen nga vendimet e organeve përkatëse të BE”.
Përballë presionit nga liderët e partive të tjera (Demokracia e Re, PASOK, To Potami), Tsipras ka pranuar që të funksionojnë edhe qendra të mbyllura të pritjes së emigrantëve të parregullt, ku ata do të qëndrojnë deri në momentin e deportimit të tyre.
Greqia “forcon strukturat e hapura të mikpritjes së përkohshme të refugjatëve, karahas forcimit të qendrave paradepotuese të emigrantëve të parregullt”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Më tej në deklaratën e përbashkët rreshtohen detyrimet që Athina zyrtare i kujton Bashkimit Europian:
“Të imponojë në të gjitha vendet anëtare, pa përjashtim, respektimin e plotë të detyrimeve të tyre nëd rejtim të shpërndarjes së drejtë dhe të përpjestueshme të refugjatëve, duke e bërë të qartë se veprimet e njëanshme nuk janë të lejueshme dhe se gjithë ata që bëjnë veprime të njëanshme do të kenë konsekuenca. Në këtë kuadër, duhet gjithashtu t’u bëjë të qartë gjithë shteteve anëtare se vendet e vijës së parë dhe posaçërisht Greqia, nuk mund të mbajnë mbi shpinë gjithë barrën e mikpritjes së refugjatëve që futen në BE, por vetëm aq sa i takon, në bazë të popullsisë. Në të njëjtin kuadër, BE duhet të përshpejtojë zbatimin e vendimeve për risistemim të refugjatëve, sa nga Greqia, aq edhe nga Turqia”.
“Të avancojë, sa më shpejt që të jetë e mundur, programe rikthimi të emigrantëve të parregullt, duke aktivizuar marrëveshjet ekzistuese të ripranimit, si dhe duke lidhur marrëveshje të reja”.
Presidenca e Republikës nënvizon se deklarata e përbashkët “shpreh minimimumin e gjuhës së përbashkët të liderëve partiakë që e pranojnë. Partitë e opozitës shprehën, secila me mënyrën e vet, rezervat për menaxhimin e deritanishëm dhe eficencën e qeverisë, që u evidentuan edhe në protokollin e bisedimeve”.
“Me tekstin e deklaratës nuk u pajtuan sekretari i përgjithshëm i partisë Komuniste të Greqisë, Dimitris Kutsumbas dhe kryetari i Unionit të Qendrës Vesilis Levendis”, nënvizohet në deklaratën e nxjerrë nga Presidenca e Republikës Greke.
Qeveria shprehu kënaqësinë përmes një deklarate për shtyp, ku thuhet se “konsiderojmë pozitiv faktin se në mes të një krize pa precedent të refugjatëve që po trondit Greqinë dhe Europën, gjashtë forca politike me gjithë mosmarrëveshjet e tyre, ranë dakord për një strategji unike kombëtare në një çështje kaq kritike”.
“Qeveria, qoftë dhe me vonesë, po ia përshtat realizmit strategjinë e vet”, theksoi pas takimit kryetari i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis. Lideri i ND bëri të ditur se e kritikoi ashpër kryeministrin dhe qeverinë e vet për veprimet që siç tha,e sollën vendin në këtë qorsokak.
Pas takimit të liderëve, vlerësohet se kryeministri Aleksis Tsipras do të ketë më shumë “armë” në dispozicion gjatë samitit BE-Turqi që do të mbahet të hënën dhe shpresohet të japë një zgjidhje rezultative për krizën e refugjatëve.
Tribuna
Ndaje me miqte