Macron shpalos nga Athina vizionin e tij për të ardhmen e Bashkimit Europian
08 Shtator 2017
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për një “rindërtim të Europës së bashkuar”, duke theksuar se “sovraniteti, demokracia dhe besimi janë në rrezik”.
Macron ka shfrytëzuar vizitën në Athinë që të shpalosë vizionin e tij për atë që e quajti “Europa e re”, dhe ku fjalën e parë sipas tij, do të duhet ta kenë vetë qytetarët.
Presidenti francez tha se rezultati i referendumit në Britani dhe Brexit, pasqyron ndjesinë se njerëzit “nuk e kuptojnë idenë e Bashkimit Europian” dhe se ata mendojnë që po u kërkohet vazhdimisht “të bëjnë më shumë përpjekje”, ndërsa druhen se jeta e tyre e përditshme po përkeqësohet.
Macron nënvizoi se popujt europianë “nuk duhet të braktisin luftën” për vlerat e përbashkëta. Ndryshe, theksoi, Bashkimi Europian do të dobësohet apo do të vdesë, i përçarë nga konfliktet e brendshme”.
“Europën e kemi nevojë më tepër se kurrë. Eshtë e vetmja alternativë, por po vazhduam të hezitojmë, do të jemi brezi që kryen vetëvrasjen e tij... Duhet të gjejmë forcat që të ristartojmë Europën dhe duhet t’ia nisim me autokritikë të fuqishme”, theksoi presidenti francez.
Ai premtoi një hartë rrugore për rindërtimin e BE-së në muajt e ardhshëm, duke argumentuar se bashkimi i kombeve rreth Unionit është e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur qytetarët nga probleme si terrorizmi apo ndryshimi klimatik.
“Propozoj një metodë të re që Europa re Re të mos diskutohet vetëm me dyer të mbyllura. Vetë popujt të diskutojnë se çfarë Europe duan” tha Macron.
Ai kërkoi një bashkëpunim e solidaritet më të madh në Bashkimin Europian, ndërsa përsëriti thirrjen e tij për një eurozonë të integruar, me ministër të vetin për financat, me parlament të vetin dhe një buxhet autonom për të përballuar krizat e ardhshme.
Vendi ku Emmanuel Macron mbajti fjalimin e tij kishte një simbolikë mjaft domethënëse. Kodra e Pnikas përballë Akropolit, ishte vendi ku mblidheshin e debatonin filozofët e Athinës antike dhe konsiderohet si djepi ku lindi demokracia.
“Ata morën riskun dhe e lanë vendimmarrjen në duart e shumicës, pse besonin që kështu merren vendime më të mira dhe më të drejta”, tha Macron.
“?farë kemi bërë ne në Europë për demokracinë?”, pyeti presidenti francez, i vendosur në një dekor me mjaft elementë që kujtonin përpjekjet e Greqisë për të qëndruar në eurozonë dhe që po vuan krizën më të rëndë të historisë së saj moderne.
“Kriza greke nuk ka të bëjë vetëm me Greqinë. Kriza është një dështim i Europës”, deklaroi Macron.
Më herët, gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Tsipras, presidenti francez kishte vlerësuar përpjekjet e Greqisë për zbatimin e reformave të domosdoshme. “Kriza greke dalëngadalë po përfundon. Ne mund të shikojmë se Greqia po rimëkëmbet”.
Por Macron vuri në dukje se qytetarët e thjeshtë kishin paguar një çmim mjaft të rëndë. Ai përsëriti se Athinës i duhet ofruar një lehtësim i borxhit publik dhe shtoi se shpreson që kjo të zgjidhet vitin e ardhshëm, kur Greqia do të finalizojë programin e tretë të shpëtimit me vlerë 86 miliardë euro.
Ndaje me miqte