Mbështetje e BEsë për vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Vjenës
27 Gusht 2015
Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë/Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Zëvendëspresidenti për Bashkimin e Energjisë, MaroÅ¡ Shefcovic dhe Johannes Hahn, Komisioner për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, do të përfaqësojnë Bashkimin Evropian në Samitin e Ballkanit në Vjenë, më 27 gusht, drejtuar nga Kancelari Federal austriak Werner Faymann.
Samiti do të mbështetet në progresin e bërë që nga Samiti i Berlinit në gusht të vitit të kaluar, si dhe do të përpiqet të zhvillojë më tej bashkëpunimin mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Serbisë) për trajtimin e sfidave të tyre të përbashkëta, veçanërisht migrimin - një ndër temat kryesore të Samitit, që përfshin gjithashtu bashkëpunimin rajonal, dialogun fetar dhe antiekstremizmin. Samiti do të përfshijë sesione paralele për krerët e qeverive, ministrat e Punëve të Jashtme dhe ministrat e Ekonomisë.
Në sesionin e krerëve të qeverive, kryeministrat do të diskutojnë situatën aktuale ekonomike në rajon, çështjet e rinisë/arsimit profesional dhe ndërlidhjes. Në këtë sesion do të marrë pjesë Përfaqësuesja e Lartë /Zëvendëspresidentja Mogherini.
Lidhur me këtë, Mogherini është shprehur se, “Rajoni i Ballkanit Perëndimor përballon sfida të shumta, që nga nguti për përballimin e çështjeve të sigurisë dhe migrimit, deri te nevoja për trajtimin e vështirësive ekonomike dhe politike në shumë vende. Samiti i Ballkanit Perëndimor në Vjenë do të na japë një mundësi të rëndësishme, jo vetëm për të diskutuar sfidat aktuale, por edhe të ardhmen tonë të përbashkët”.
Ndërsa Komisioneri Hahn, së bashku me ministrat e Jashtëm do të diskutojnë çështjet aktuale parësore të bashkëpunimit rajonal dhe sfidat aktuale që lidhen me migrimin.
Komisioneri Hahn ka theksuar lidhur me këtë se, “kemi parë progres të jashtëzakonshëm në axhendën tonë të përbashkët të ndërlidhjes që nga Samiti i Berlinit i vitit të kaluar dhe tani kemi identifikuar projekte investimesh konkrete përparësore në rajon, që mund të mbështeten nga Instrumenti i Para-Aderimit.”
Zëvendëspresidenti Shefcovic dhe ministrat e Ekonomisë do të debatojnë për perspektivat ekonomike të rajonit, energjinë dhe ndërlidhjen e transportit, si dhe për arsimin profesional.
Shefcovic është shprehur se, “Strategjia jonë e Bashkimit të Energjisë deklaron mjaft qartë se Bashkimi i Energjisë nuk ndalet në kufijtë e Bashkimit. Ja pse nuk i kursejmë përpjekjet për ta lidhur më mirë Ballkanin Perëndimor me sistemet tona të energjisë. Ja pse jemi të vendosur të zhvillojmë strategji të përbashkëta për të përballuar sfidat e përbashkëta që ndeshim, që nga masat klimaterike deri te diversifikimi i furnizimit tonë me energji. Ky është mesazhi që dhashë kur isha së fundmi në Serbi, dhe ky është gjithashtu mesazhi im në samit.”
1.5 milion € asistencë humanitare për refugjatët dhe emigrantët në vendet e Ballkanit Perëndimor
Para Samitit, Komisioni Evropian do të japë sot një shtesë prej 1.5 milion € fonde humanitare për të asistuar refugjatët dhe emigrantët në Serbi dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
Ndihma do të mbështesë partnerët humanitarë në ndihmën për sigurimin e shërbimeve bazë emergjente si uji i pijshëm, higjiena, kujdesi shëndetësor, strehimi dhe mbrojtja për refugjatët dhe emigrantët, përmirësimi i qendrave të pritjes, si dhe koordinimi dhe raportimi për çështjet e emigrimit në rajon.
Christos Stylianides, Komisioner i BE-së për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, është shprehur se, “Vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me një numër të paprecedent kalimi refugjatësh dhe emigrantësh. BE po e shton ndihmën humanitare për t’u siguruar ndihmën urgjente që u nevojitet. Ky është solidariteti evropian në thelbin e vet”.
Komisioni Evropian ka dhënë më parë mbi 90 000 € asistencë humanitare për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (më 31 korrik 2015) dhe 150 000 € për Serbinë (në 20 gusht 2015) si përgjigje ndaj kësaj situate emergjence. Fondi shkoi direkt për shoqatat kombëtare të Kryqit të Kuq të dy vendeve. Gjithsej ndihma humanitare e BE-së në mbështetje të refugjatëve dhe emigrantëve në nevojë në Serbi dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë arrin tani shumën 1.74 milion €.
Në axhendën Evropiane të Emigrimit, Komisioni Evropian ka përcaktuar një përqasje gjithëpërfshirëse për trajtimin e sfidave të migrimit në periudhën afatshkurtër dhe afatgjatë. Bashkëpunimi dhe mbështetja e vendeve të treta, sidomos atyre që janë shumë pranë nesh, është element thelbësor i kësaj përqasjeje.
Samiti do të drejtohet nga Kancelari Federal austriak, Werner Faymann, që ka ftuar në veprimtari kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina) si dhe Gjermaninë, Francën, Italinë, Kroacinë dhe Slloveninë.
Ndaje me miqte