0030 210 33 18 483

Mbi deklaratën e Hoyt Yee për 3 dekadat që i duhen Ballkanit të kapë Europën

Robert GORO 06 Korrik 2017

Në një gazetë të respektuar të Tiranës lexova këtë titull: “Habit Hoyt Yee: Ballkani Perëndimor nuk hyn në BE as për 30 vjet”. Ky ishte titulli më pikant (pse kishte dhe ca të tjerë të tipit “Ballkani nuk hyn në BE as për 30 vjet”), me të cilin media shqiptare përcolli një pasazh nga intervista që zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Brian Hoyt Yee, i ka dhënë të përjavshmes së Beogradit, “Nin”. Gjithë mediat shqiptare e kanë marrë lajmin nga shërbimi shqip i RFE/RL, përndryshe Radio Evropa e Lirë. Madje shumica kanë përdorur titullin e radios me seli në Pragë, “Yee: Ballkani Perëndimor s’do të arrijë BE-në as për 30 vjet”. Besoj që pajtohemi se ka një ndryshim të madh midis “nuk do të hyjë” dhe “nuk do të arrijë”. Aq më tepër që zyrtari amerikan, e ka fjalën për aspektin ekonomik. Ja se çfarë ka thënë fjalë për fjalë, cituar nga RFE/RL: “Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Britan Yee, vlerësoi se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të arrijnë mesataren ekonomike të Bashkimit Evropian as për 30 vjet. “Prioritet numër një duhet të jetë përparimi ekonomik. Shumica e vendeve të rajonit kanë rritje vjetore prej 3 ose 4%, por edhe me këtë rritje ose edhe me 6% nuk do të arrijnë mesataren e BE-së në tri dekadat e ardhshme”, tha Yee për javoren beogradase Nin (https://www.evropaelire.org/a/28598082.html) Do të duhej të ishte mjaft naiv dikush që të mendonte se sidomos vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të kapnin standardet ekonomike të BE-së për 30, 40 apo 50 vjet. Greqia, në vitet e saj më të mira, kur kishte 30 vjet anëtare e BE-së, ndodhej në pikëpamje ekonomike 75% pranë Unionit. Nga ana tjetër, sado naiv që të jetë dikush, nuk mund të ngatërrojë anëtarësimin në BE, me kapjen e standardeve ekonomike të BE-së. Përndryshe, gjithë vala e anëtarësimeve që nga 2004 deri më sot, e ka lënë disi mënjanë aspektin ekonomik, madje vende si Bullgaria apo Rumania vazhdojnë të mbeten ende shumë larg, pavarësisht përmirësimit të indekseve, pikërisht falë anëtarësimit. Prandaj, nuk besoj se kjo deklaratë e misionarit të Uashingtonit në viset tona, duhet të shërbejë për të shtuar dozat e pesimizmit (apo dhe të habisë) mbi procesin e integrimit europian. Nuk është ekonomia faktori më përcaktues për anëtarësimin në BE, por reformat dhe mbi të gjitha, vendosja dhe respektimi i rregullave të demokracisë. Përndryshe, edhe vetëm Hoyt Yee e thotë qartë: “një prej faktorëve më të rëndësishëm në Ballkan është bashkëpunimi me SHBA-në dhe BE-në, sepse kudo që është vepruar së bashku ka pasur përparim.

Ndaje me miqte