0030 210 33 18 483

Mbi patriotizmin nacionalizmin dhe... servilizmin

Ermal SULAJ 25 Janar 2017

Këto ditë, kur ka marrë sërish zjarr debati partiotiko-nacionalist i inicuar nga fotografia e shtatë rekrutëve shqiptarë, më ka bërë përshtypje reagimi i një pjese të veçantë të bashkësisë shqiptare në Greqi, të cilët shpeshherë rreken të na vërtetojnë me autokritika të pakuptimta botën e tyre gjoja të integruar në shoqërinë greke. Dhe do të doja të ndalesha pak te ky reagim. Sipas tyre, të jesh i integruar në shoqërinë greke do të thotë të mos kesh të drejtë morale të krenohesh me origjinën tënde dhe te mos mbrosh integritetin tënd, sepse ndryshe quhesh nacionalist. Dikush bën dhe analizeë diplomatike për të qetësuar kampet duke i bërë me faj të dyja palët në një krizë shoqërore të provokuar pastër vetëm nga njera palë. Të shtiresh që gezon të njëjtat të drejta me grekët, ndërkohe që nuk i ke ato; apo të ndjehesh njësoj me ta kur në realitet nuk ndjehesh, s’të bën gjë tjetër veçse servil. Servilizmi është një fenomen tashmë me rrënjë të thella në shoqërinë shqiptare, bile aq të thella saqë e vëren si instikt dhe aty ku nuk ka asnjë lloj interesi. Një sëmundje shoqërore e instaluar dhe e trashëguar nga sistemi 45 vjeçar diktatorial i Enver Hoxhës. Këtë servilizëm e shikojmë shumë të theksuar sot tek shqiptarët që jetojnë akoma në Shqipëri, por për shkak se është i trasheguar që para ’90-s, e mbartëm me vete dhe këtu në atdheun tone të dytë, në Greqi. Kur shqiptarët emigruan në Greqi pjesa më e madhe e tyre ishin nga zonat rurale, të cilat për shkak të sistemit që i kishte ngujuar nëpër fshatra, nuk patën fare zhvillim ekonomik dhe kalimi në këmbë nga mali për në Greqi ishte rruga më pak e kushtueshme për emigrim. Po kjo masë banorësh ruralë kishte dhe zhvillim të cunguar arsimor dhe kjo i ka mbajtur fatkeqësisht larg kuptimit të vlerave demokratike të njeriut, të rritur më tepër me idealet socialiste, paçka nëse u pëlqente apo jo. Ndërkohë që fëmijët e tyre të rritur këtu, në një vend shumë herë më të lirë sesa prindërit e tyre në Shqipërinë komuniste, e kuptojnë dhe e ndjejën lirinë dhe demokracinë shumë herë më ndryshe. Ata janë të lirë nga komplekset dhe shprehen lirshëm qoftë dhe duke krijuar simbolin emblematik të shqiponjës dykrenare. Këto ditë pamë një pjesë të bashkësisë shqiptare, e mbetur besnike e servilizmit që pretendon se është më e integruar sesa pjesa tjetër që kërkon të ruajë identitetin dhe integritetin e saj, të akuzoj pikërisht këta fëmijë të rritur këtu, larg periudhës së censures diktatoriale komuniste. I akuzojnë këta fëmijë për nacionalizëm, për papjekuri, dhe për shkaktare të krizes shoqërore që në fakt po provoket nga vetë shteti grek këtu e shume kohë. Pra, këta të “integruar” akuzojne kë-!? Akuzojnë fëmijët e tyre..!? Për nacionalizëm-!!?? Po ku e gjeten këta fëmijë të rritur në shkollat greke nacionalizmin shqiptar-!? Mos vallë vetë akuzuesit nga padija e tyre ngatërrojnë lirinë demokratike me nacionalizmin? Mos vallë janë vetë ata që i servilosen kompleksitetit nacionalist grek për t’u rehatuar në mosekzistencën e tyre-!? Mos vallë fëmijtë tanë të rritur në një botë të lirë sapo na kanë dhënë një mësim mbi demokracinë dhe lirinë e të shprehurit-!? Po pra, të dashur patriotë, ky brez i dytë sot sapo na dha një mësim neve, brezit të parë. Na tregoi se ç’do të thotë të jesh i lirë dhe të mendosh demokratikisht. Na tregoi që duhet kesh ti i pari respekt për veten tënde dhe pastaj të pretendosh respekt nga të tjerët. Në gjithë këtë mentalitet ekstremist ku shoqëria greke nuk pranon që ne të identifikohemi me krenari si shqiptarë, në fakt kemi ndihmuar dhe ne, brezi i parë, që asnjëherë nuk e ngritëm zërin për të drejtat tona dhe asnjëherë nuk u bashkuam si popujt e tjerë e si vetë grekët në emigracion rreth një bërthame për të ruajtur identitetin dhe vlerat tona kombëtare. 25 vjet në Greqi dhe nuk kemi një institucion që të punojë për të drejtat tona më elementare. Por gjithmonë kemi pritur nga lëmosha e shtetit grek dhe kokulur falënderonim si skllevërit zezakë dikur duke murmuritur se ka dhe më keq. Gjithmonë të përçarë nga egoizmi dhe servilizmi duke kërkuar atë që nuk na takon dhe duke mos kërkuar pikërisht atë që na takon. Paçka se më duket e vështirë, uroj që kësaj radhe të na bëhet mesim dhe të mbledhim mendjen se të ardhmen tonë e të femijve tanë e bëjmë vetë. Se nuk është nevoja për servilizma, sepse dhe vetë populli grek e ka treguar që respekton më shumë krenarët sesa servilat! Sepse Demokracia ka lindur ne Greqi dhe duhet të funksionojë patjetër!

Ndaje me miqte