Merkel fizikantja e heshtur që ndryshoi Gjermaninë
DPA
25 Shtator 2017
Ajo është një nga lideret me mandatin më afatgjatë në Evropë dhe padyshim, një nga më të fuqishmet. A mundet ne të kuptojmë nëpërmjet jetës së Angela Merkelit se si një fizikante nga Gjermania Lindore komuniste, u bë një figurë kaq e lartë në politikën globale?
Kur bëhet fjalë për liderin më të fuqishëm të një vendi, votuesit janë kuriozë të dinë nëse jeta e tyre përpara hyrjes në politikën e qetë apo të trazuar, ka ndikuar ose jo në pikëpamjet e tyre.
A mund të ndihmojnë prirjet personale të të kuptuarit për të parashikuar përgjigjet ndaj krizave të ardhshme?
Kancelarja gjermane, Angela Merkel e cila kandidon për një mandat të katërt dhe e njohur si një person intensivisht e rezervuar, e prirur për të shmangur çdo formë të vetëpromovimit, nuk të lë shumë hapësirë për t’iu përgjigjur me lehtësi këtyre pyetjeve.
E lindur në vitin 1954, e bija e një pastori protestant, Horst Kasner dhe e një mësueseje të gjuhës angleze, Herlind Kasner, Merkel u zhvendos nga Hamburgu në qytetin gjerman të Quitzow, (atëherë pjesë e Republikës Demokratike Gjermane RDGJ) , kur ajo ishte shumë e vogël.
Më e madhja e tre fëmijëve, Merkel e kaloi fëmijërinë në seminar, atje ku punonte i ati i saj.
Gjatë viteve të shkollës, “Kasi” , një pseudonim i vendosur nga shokët e saj, u dallua si një studente e shkëlqyer e tërhequr pas gjuhës ruse dhe kulturës sovjetike.
Pasi përfundoi doktoraturën, në Berlin, Merkel punoi si kimiste kuantike në Akademinë e Shkencave , në Gjermaninë Lindore.
Ish-kolegët e saj e kanë përshkruar atë si të turpshme, të zellshme dhe gjithmonë e prirur për të kërkuar të dhëna të sigurta.
Në një biografi të autorizuar, të botuar në vitin 2013, Stefan Kornelius shkruan se Merkel zgjodhi të punonte si shkencëtare, sepse asaj i mungonte guximi për të shprehur hapur revoltën e saj kundër regjimit komunist.
Ndërsa, shumë të tjerë, besojnë se ajo zgjodhi me zgjuarsi një fushë e cila favorizohej nga komunistët.
Merkel ishte 35 vjeçe kur u rrëzua Muri i Berlinit.
Gjatë një incidenti që është konsideruar një stereotip për politikanen e tërhequr, Merkel shkoi si zakonisht në trajtimin e saj të përjavshëm në sauna me një mike, më 9 nëntor 1989, përpara se të bashkohej me turmat që ishin duke kaluar kufirin për në Berlinin Perëndimor.
Papritur, e liruar nga kontrolli i qeverisë komuniste dhe policisë sekrete të Stasi-t, Merkel u bashkua me zyrën e Berlinit, një partie të re në Gjermaninë Lindore, e quajtur “Zgjimi Demokratik”(Democratic Awakening), partia motër e të cilës ishte Unioni Kristiandemokrat (CDU).
Megjithëse, CDU-ja përkrahte disa nga vlerat e të djathtës konservatore të Merkelit, biografët e politikanes kanë spekuluar se zgjedhja e partisë mund të ketë qenë një reflektim i instinktit të saj për pushtet, në vend të ideologjisë së saj.
Menjëherë, ajo kërkoi të zhvillonte një takim me liderin e CDU-së, Helmut Kohl, i cili më vonë u bë edhe mentori i saj.
Brenda pak muajsh, Merkel u bë e njohur si “vajza e Kohlit” , duke u bërë pjesë e kabinetit të tij të parë, pas ribashkimit të Gjermanisë, si ministre e Rinisë dhe Gruas.
Në fillimet e karrierës së saj, Merkel u prezantua nga Kohl dhe shumë të tjerë si një risi në politikë, një politikane e Gjermanisë Lindore, e prirur për të patur sukses dhe gruaja e vetme, në klubin e burrave të CDU-së.
“Edhe kur ajo mund të dukej e çuditshme dhe e turpshme, mund ta kuptoje me të parën fuqinë e saj”, tha Herlinde Koelbl, një fotograf i cili e ka fotografuar Merkelin çdo vit, për një dekadë me rradhë .
Por, Merkel nuk hezitoi të braktiste mentorin e saj , në vitin 1999 mes një skandali financimesh të CDU-së.
Në të vërtetë, ajo e zëvendësoi atë duke u shpallur liderja e re e partisë.
Një nga deklaratat e Merkelit, e botuar në gazetën gjermane liberale-konservatore të qendrës së djathtë, “ Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), e themeluar në vitin 1949, u duk si një lloj letre divorci kushtuar Kohl, ku thuhej se CDU-ja duhej të ndahej nga lideri i saj në të njëjtën mënyrë siç duhet të distancohen adoleshentët nga prindërit, për t’u bërë të rritur.
Në vitin 2002, Stoiber politikisht, e mposhti lideren e CDU-së, Angela Merkel duke u zgjedhur kandidati i CDU / CSU për zyrën e kancelarit, dhe duke sfiduar Gerhard Schröder.
Pas kësaj, masa zgjodhi në favor të Merkelit. Stoiber humbi votën kundrejt Gerhard Schroeder të SPD-së, qeveria e të cilit humbi pushtetin, tre vjet më vonë.
Dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2005, Merkel u betua si kancelarja e parë grua, në Gjermani.
Dymbëdhjetë vitet e ardhshme do të ndryshonin në mënyrë dramatike peizazhin politik të Gjermanisë dhe rolin e vendit në skenën botërore.
Ekspertët e Merkelit kanë hedhur hipoteza, se vitet e saj në pushtet bazohen në tre zhvillime të mëdha.
Sfida e parë dhe ndoshta më shqetësuesja e mandatit të Merkelit ishte kriza e eurozonës, e cila rrezikoi jo vetëm integritetin e monedhës së euros, por edhe atë të Bashkimit Evropian.
Shumë shpejt, Merkel u bë përfaqësuesja e bankierëve evropianë, që predikonin masa shtrënguese ndaj vendeve të Mesdheut.
Duke shpjeguar qëndrimin e saj në vitin 2012, Merkel tha se, ajo vinte nga një vend në të cilin kishte përjetuar një kolaps ekonomik.
Nëse borxhi i Greqisë nuk ishte zvogëluar “në mënyrë të qëndrueshme dhe me një qëllim afatgjatë, Evropa nuk do të ishte më kontinenti i begatë , që bota dëgjonte dhe që tërhiqte vëmendjen e shumë njerëzve.
Merkel u tregua e durueshme ndaj kritikave të vazhdueshme lidhur me qëndrimin e saj ndaj Greqisë, veçanërisht për fazën fillestare, në të cilën ajo u vonua gjatë angazhimit të saj, për të siguruar një fond shpëtimi.
Filozofi, Juergen Habermas dikur e ka akuzuar atë si politikanen që “ka vepruar si e paaftë” dhe “sikur e kishte zënë gjumi mbi vullkan”.
Në 2011, në vitin e dytë të mandatit të saj të dytë, Merkel iu përgjigj katastrofës bërthamore, Fukushima duke e kthyer vëmendjen e partisë së saj drejt energjisë bërthamore.
Ajo bëri të ditur publikisht, planin për ta frenuar atë, përgjatë dekadës së ardhshme, me anë të një vendimi që vazhdon edhe sot, nëpërmjet prodhuesve të energjisë elektrike RWE dhe Eon, në Gjermani, të cilët kanë rritur prodhimin e energjisë së rinovueshme, këto vitet e fundit.
Në shtator të vitit 2015, gjatë mandatit të saj të tretë, Merkel hapi dyert e Gjermanisë për refugjatët.
Akti i guximshëm i kancelares gjermane, pati vlerësime pozitive dhe negative duke rezultuar në atë që ishte padyshim kërcënimi më i madh për pushtetin e Merkelit, rritja e mbështetjes për krahun e djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), si lëvizja e parë gjermane e suksesshme, e krahut të djathtë, që pas luftës .
Besimi i Merkelit, i paraqitur në sloganin e saj të famshëm, “Ne mund t’ia dalim!” u ndesh me një rritje të mbështetjes për AfD-në dhe mijëra të pranishëm në mitingjet javore kundër emigrantëve në Dresden.
Megjithëse, pas uljes gradualisht të krizës së refugjatëve , mbështetja për AfD-në kishte rënë, partia aktualisht është votuar rreth 10 për qind, dhe është pothuajse e sigurt që do ta kapërcejë pengesën me pesë për qind, që kërkohet për të hyrë në parlamentin kombëtar.
Deri në një farë mase, vendimi i refugjatëve demaskonte perceptimin e Merkelit si një stratege e talentuar, pa patur një vizion të gjerë.
Megjithatë, disa kritikë kanë pohuar se Merkel u ka dhënë përparësi përfitimeve taktike afatshkurtra, lidhur me rezultatet afatgjata.
Sipas fjalëve të rivalit të saj, Martin Schulz i Socialdemokratëve të qendrës së majtë (SPD), Merkel është “jashtëzakonisht e aftë, e saktë, e matur dhe inteligjente”.
Ndaje me miqte