Mitsotakis intervistë në DW: &ldquoNuk i druhem kostos politike&rdquo
09 Korrik 2016
Zhvillimet në Bashkimin Europian pas Brexit-it, e kanë shmangur - tani për tani- nga fokusi krizën greke, por shumë analistë, grekë dhe të huaj, e parashikojnë me ngjyrat më të zymta periudhën pas vjeshtës së ardhshme për ekonominë greke. Arsyet janë të shumta, por ndoshta më e rëndësishmja është mungesa e besimit ndaj “kursit të lundrimit” të qeverisë Tsipras.
Sondazhet e fundit japin një avantazh të qartë për drejtimin e votës kah Demokracia e Re, ndërsa kryetari i saj, Kyriakos Mitsotakis, ka avantazh konstant sa i përketpërshtatshmërisë për postin e kryeministrit. A ka aromë zgjedhjesh në Greqi?
“Me Tsipras-in na ndan një hendek i thellë”
Për këtë intervistë, kryetarin e Demokracisë së Re e takuam në Frankfurt. Menjëherë më pas do të shkonte në selinë e Bankës Qendrore Europiane, në takimin e tij me presidentin Mario Draghi. Për shkak të sondazheve të fundit ndjen kënaqësi të madhe për faktin se përpjekjet e tij po marrin nota pozitive, por nga ana tjetër beson që, sa kohë mbetet në pushtet qeveria aktuale, aq më shumë rritet fatura e kostos për vendin.
“Nuk e di nëse do të bëhen zgjedhje në Greqi në vjeshtë apo në pranverë; kurdo që të bëhen do të jenë një zhvillim i mirë dhe jo zhvillim i keq për vendin”, i deklaron emisionit grek të radios Deutsche Welle. “Kostoja e një fushate zgjedhore do të jetë më e vogël se sa dobia për Greqinë. Përgjigjja ndaj populizmit nuk është më shumë populizëm, por një diskurs i drejtë politik”.
Gjithsesi, Mitsoitakis sqaron se ai nuk mund të imponojë zgjedhje të reja, mirëpo thekson që, nëse kryeministri aktual e humbet maxhorancën, ai nuk ka për ta mbështetur.
“Unë nuk kam për t’u pajtuar kurrë që të bashkëqeveris me zotin Tsipras, pse na ndan një hendek i thellë. Dhe do të doja t’iu kujtoja të gjithë atyre që eventualisht e imagjinojnë një skenar të tillë, që nëse kjo ndodhte, atëherë opozita kryesore do të ishte Agimi i Artë”. Si një kulmim të populizmit në Greqi, kryetari i Demokracisë së Re konsideron referendumin në Greqi para një vitim që “e çoi Greqinë në ekstrem të limiteve të veta”.
Mitsotakis i referohet posaçërisht “detajeve rrëqethëse” nga libri i James Galbraith që qarkulloi ditët e fundit në grwqisht: “Prezanton një plan, të cilin thuajse e përngjason me një grusht shteti, që është hartuar nga disa persona të cilët ende nuk kanë dhënë përgjigjet e nevojshme. Prandaj dhe ne kërkojmë krijimin e një komisioni hetimor parlamentar, për të mësuar populli grek se çfarë pikërisht ndodhi gjashtë muajt e parë të 2015-s”.
“Super taksimi të rrënon”
Në kontaktet me politikanë të huaj dhe me aktorë të tregjeve, që ka zhvilluar gjatë gjashtë muajve të drejtimit të partisë, Kyriako Mitsotakis ka konstatuar një klimë pakënaqësie dhe po përpiqet për rifitimin e kredibilitetit të humbur të Greqisë dhe të politikanëve të saj. Eshtë një rrugë e gjatë, raportet duan kohë që të farkëtohen, thotë zoti Mitsotakis. “Kam dëshmuar se nuk i druhem kostos politike, nuk jam populist”.
Ajo që duhet të bëjë të kuptueshme është se oferta e qeverisjes që ka paraqitur nuk është një tentativë për mashtrim, por rruga e imponuar që do të duhej të ndjekim, edhe sikur të mos ekzistonte memorandumi me kreditorët. “Ne votuam një kuadër, i cili përmbante ndryshime strukturore të cilat i mbështesim jo sepse i ka memorandumi, jo se na i imponuan gjermanët apo Brukseli, por sepse janë arto që i duhen vendit. Ky është ndryshimi ynë nga SYRIZA”.
Kyriakos Mitsotakis shprehet diametralisht kundër mjeteve që përzgjodhi kryeministri për të ralizuar objektivat fiskalë. “Kemi koeficentët tatimorë më të lartë nga shumë prej vendeve të Europës. Super taksimi nuk ofron të ardhura për buxhetin, por e kundërta. Shkatërron kompetivitetin, dëbon investitorët, shumë prej punonjësve i shtyn në ekonominë e zezë, eliminon edukatën tatimore”, thekson.
Ajo që propozon, është ulja e suficitit primar nga 3,5% në 2% dhe në kombinim me një kuadër agresiv “reformash strukturore, për t’u thyer rrethi vicioz i ekonomisë greke”. Një armë e fuqishme janë edhe privatizimet. “Ne i besojmë iniciativës private, jo sepse na i imponon dikush. Duam të tërheqim investitorë... Qeveria Tsipras as din, as don, as mundet”, thotë, duke insistuar se qeveria e ardhshme do të jetë një qeveri ndryshe.
“Jam kundër Europës së shumë shpejtësive”
Mirëpo, si dëgjohen gjithë këto nga partnerët e tij në Partinë Popullore Europiane, apo nga vetë zonja Merkel në bisedat e shkurtra që zoti Mitsotakis ka bërë me kancelaren?
“Po ndërtoj një klimë besimi. Dua ta dinë pernerët europianë se mund të kenë besim tek unë. Nuk jam unë njeriu që do të bëj referendume dhe pastaj “jo”-në do ta bëj “po”. Dua ta dinë se qeveria e ardhshme do të jetë një qeveri e cila do të jetë divorcuar përfundimisht nga populizmi”.
Dhe populizmi del e tepëron në BE, këtë epokë pas Brexit.
“Unë e inkurajoj partinë time, Partinë Popullore Europiane, se duhet të jemi në vijën e parë, t’u japim prioritet projekteve konkrete që do të dëshmojnë se pjesëmarrja në projektin europian është përfudimisht i dobishëm për shumicën. Kjo do të thotë se thellimi i BE duhet të jetë më i fokusuar”.
Mirëpo pikërisht këtu është edhe problemi. A mban BE edhe më shumë thellim? Ministri gjerman i financave Wolfgang Schauble konsideron se në rast nevoje mund të funksionojë edhe modeli ndërqeveritar i vendimmarrjes, siç u bë me krizën greke. Apo shkojmë atëherë drejt një Europe me shumë shpejtësi? Dhe me cilën shpejtësi do të ecë ekonomia e ligur e Greqisë?
“Nuk i besoj Europës së shumë shpejtësive”, përgjigjet Kyriakos Mitsotakis. “Fillimisht, kemi në këto momente një Europë të dy shpejtësive. Europën e euros dhe atë të 27 vendeve anëtare. E para që duhet të shohim është se si do ta bëjmë zonën e euros të punojnë esencialisht dhe me eficencë, pa dështimet e të kaluarës. Tash e tutje, për mendimin tim diskutimi për një Europë me gjeometri variabël (të ndryshueshme), sidomos pas Brexit-it, do të minojë dhe nuk do ta mbështesë kohezionin e Europës”
(Marrë me shkurtime nga Deutsche Welle)
Ndaje me miqte