0030 210 33 18 483

Ndërpriten negociatat midis kreditorëve dhe Greqisë rritet ankthi për të ardhmen e vendit

14 Qershor 2015

Negociatat që po zhvilloheshin në Bruksel midis kreditorëve dhe Athinës, janë ndërprerë sërish të dielën në mbrëmje, pasi nuk ishte e mundur të gjendej një terren i përbashkët. Sipas një komunikate për shtyp të Komisionit Europian, “ndërsa është shënuar një farë progresi, bisedimet nuk kanë arritur synimin e tyre dhe vazhdojnë mosmarrëveshje të rëndësishme midis projektit të autoriteteve greke dhe kërkesave të përbashlëta të KE, BQE dhe FMN... Përndryshe, propozimet greke mbeten të mangëta”, thuhet në njoftimin e Komisionit Europian, ku lihet të kuptohet pezmatimi i presidentit Juncker, nga sjellja e Athinës. “Presidenti Juncker bëri një përpjekje të fundit të shtunën e të dielën që të gjendet një zgjidhje me kryeministrin Tsipras që do të lejonte përfundimin pozitiv të procesit, deri në takimin e ministrave të financave të eurozonës, të enjten, 18 qershor”. “Presidenti Juncker mbetet i bindur se me forcimin e përpjekjeve reformuese nga pala greke dhe vullnetin politik nga të gjitha palët, mundet ende të gjendet zgjidhje deri në fund të muajit”, përfundon komunikata e KE. Pas publikimit të komunikatës, nga Brukseli lëshoi një deklaratë për shtyp edhe kreu i grupit negociator grek dhe njëherazi nënkryetari i qeverisë, Janis Dragasakis. Sipas tij, Athina paraqiti masa ekuivalente, mirëpo kreditorët “insistojnë që vakuumi financiar të mbushet ekskluzivisht me reduktimin e pagave e pensioneve si dhe rritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar, që të dyja, në nivel 1% të GDP-së”. Gjithsesi, Daragaskis thekson se grupi negociator grek “mbetet në gatishmëri për konkludimin e negociatave dhe arritjen e një marrëveshjeje me dobi reciproke”. Athina, nga ana e vet, ia dedikon ndërprerjen e negociatave, siç thotë, kërkesave absurde dhe qëndrimin joelastik të kreditorëve. Burime qeveritare greke citohen të kenë thënë se Athina nuk do pranojë kurrë asnjë reduktim në pagat dhe pensionet, por as masa të tjera si rritja e TVSH-së në artikuj të përdorimit të përditshëm, si energjia elektrike. Sido që të jetë, një dështim përfundimtar në arritjen e marrëveshjes, e shtyn Greqinë drejt falimentimit, por edhe daljes nga euro. Vendit i duhet të përballojë shpenzime të shtuara në tre muajt e ardhshëm, kryesisht pagesa ndaj kreditorëve, që deri në muajin shtator arrijnë në 10,2 miliardë euro.

Ndaje me miqte