Në pritje të Opinionit të Venecias për Vettingun
ATSH
08 Dhjetor 2016
Komisioni i Venecias pritet të publikojë të shtunën Opinionin përfundimtar për kushtetuetshmërinë e ligjit “për rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”(Vetting-u), të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese. Pritshmëria është e lartë për qëndrimin e këtij organi ndaj ligjit kyç të reformës në drejtësi, që synon të bëjë verifikimin e figurës dhe pasurisë së njerëzve të drejtësisë, si dhe pastrimin e sistemit nga elementët e korruptuar. Krahas kësaj pritshmëria ndaj ligjit lidhet dhe me procesin e integrimit, i cili konsiderohet nga Brukseli si kusht për Shqipërinë për çeljen e negociatave për anëtarësim.
Gjykata Kushtetuese më 25 tetor mori në shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike(PD) që kërkonte “deklarimin në papajtueshmëri me Kushtetutën” të ligjit në fjalë dhe “pezullimin e tij”.
Pas shqyrtimit, Kushtetuesja vendosi pezullimin e zbatimit të Vetting-ut dhe po ashtu kërkoi nga Komisioni i Venecias një ‘amicus curia’ (opinion) lidhur me pajtueshmërinë e tij me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
Në ankimimin e saj, mes të tjerash, opozita argumentonte se ligji bie ndesh me Kushtetutën, pasi organet e reja të Vetting-ut vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Qeverisë. Po ashtu, PD pretendon se cënohet parimi i barazisë përpara ligjit, standardet e procesit të rregullt ligjor, si dhe parimi i llogaridhënies së organeve kushtetuese, si element thelbësor i shtetit të së drejtës.
Ligji “për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i hartuar me asistencën e misionit të Drejtësisë së BE-së,EURALIUS) dhe atij të SHBA-së, OPDAT, u miratua në Kuvend në seancën e jashtëzakonshme të 30 gushtit, vetëm me votat e maxhorancës së majtë. Duke e konsideruar “antikushtetues’ opozita nuk mori pjesë në votim, ndërsa paralajmëroi se do ta ankimonte ligjin në Kushtetuese. Dy ditë para hyrjes në fuqi të Vetting-ut (7 tetor), Partia Demokratike, më 5 tetor, depozitoi në Gjykatë ligjin në fjalë, duke kërkuar shpalljen e tij antikushtetues.
Më 28 tetor Gjykata Kushtetuese i përcolli një material referues Komisionit të Venecias për ligjin e Vettingut. Polemikave qe kane shoqeruar këtë proces, iu bashkuan dhe lajmet e fundit që qarkulluan ne media, por të pakonfirmuara, “për përkthim të gabuar” të ligjit te Vetting-ut. Nje version i tillë i është përcjellë dhe Komisionit të Venecias nga Gjykata Kushtetuese.
Kjo mbështetet dhe nga PD, e cila pretendon “per deformime” në variantin e përkthimit zyrtar, që sipas opozitës, “ka prekur detaje kyçe te ligjit”.
Ndaje me miqte