0030 210 33 18 483

Nënshtetësia për brezin e dytë jepet për konsultim publik projektligji i ri

09 Prill 2015

Siç ishte paralajmëruar, ministria e Punëve të Brendshme dhe e Riorganizimit Admninistrativ ka bërë gati që të japë për konsultim publik projektligji për marrjen e nënshtetësisë nga fëmijtë e emigrantëve. Në kushtet e informacionit të mangët, (ende nuk kemi marrë në dorë draftin e plotë), rezervohemi të themi se projektligji përmban kufizime të konsiderueshme, që urojmë përfundimisht të mos ekzistojmë. Por kjo është vetëm një dëshirë e jona... Thelbi i projektligjit mund të përmblidhet me dy fjalë: Si kusht kryesor për marrjen e nënshtetësisë greke është: - Regjistrimi i fëmijës në klasën e parë fillore (A dimotiko) dhe vazhdimi i shkollës në periudhën e aplikimit për marrjen e nënshtetësisë, - Njeri nga dy prindërit duhet të ketë të paktën pesë vjet qëndrim të ligjshëm para lindjes së fëmijës. Në rastet që fëmija ka lindur para se prindi të mbushë pesë vjet qëndrim të ligjshëm (p.sh., ka nga një deri në katër vjet), e drejta për të marrë nënshtetësi fitohet kur prindi të mbushë dhjetë vjet qëndrim të ligjshëm të vazhdueshëm në Greqi. Gjithashtu, nënshtetësinë greke e përfitojnë edhe ata fëmijë, njeri nga prindërit e të cilit disponon leje të fuqishme qëndrimi, p.sh., leje pa afat (aoristu) apo rezident afatgjatë (epi makron dimenontos). Sipas agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA, me projektligjin e ri bëhen përpjekje për t’u zgjidhur problemi që ishte krijuar me pezullimin nga Gjykata e Lartë Administrative të dispozitave të ligjit 3838/2010 (Ligji “Ragusi”), sipas të cilave fëmija e merrte nënshtetësinë me lindjen e tij në Greqi dhe përderisa të dy prindërit ishin të ligjshëm për të paktën pesë vjet. Në projektligjin e ri rol kryesor luan regjistrimi i fëmijës në klasën e parë fillore dhe qëndrimi i ligjshëm pesëvjeçar i njerit prej prindërve. Përndryshe, projektligji i ri ka lënë në fuqi gjithë mënyrat e tjera për marrjen e nënshtetësisë, ashtu siç parashikohej në ligjin e mëparshëm. Këto dispozita janë të favorshme për emigrantë të brezit të dytë që kanë dëftesë pjekurie (apolitirio likeiu) apo janë diplomantë të institucioneve të arsimit të lartë AEI-TEI, persona që kanë kryer arsimin e detyrueshëm nëntëvjeçar në Greqi apo kanë kryer po në Greqi, gjimnazin dhe liceun. Robert Goro

Ndaje me miqte