Një Erdogan i fuqishëm rrit frikën për trashëgiminë e Ataturkut
AFP
19 Prill 2017
Në ambiciet e tyre, të dy kanë patur mision themelimin e një Turqie të re. Një Republikë laike e kthyer drejt Perëndimit për njërin, konservatore dhe me pikëpamje drejt botës arabo-myslimane për tjetrin.
President i Turqisë nga viti 1923 deri në vitin 1938, Mustafa Kemal Ataturk modernizoi vendin me hapa të shpejtë, veçanërisht duke vendosur një Republikë parlamentare mbi hirin e Perandorisë Osmane.
Në pushtet që prej vitit 2003, fillimisht kryeministër dhe më pas president, Recep Tayyip Erdogan mban një projekt islamiko-konservator dhe kërkon lavdinë e sulltanëve.
Të dielën, turqit u thirrën për të votuar për një projekt në kuadër të rishikimit kushtetues që do të riforcojë në mënyrë të konsiderueshme pushtetet e presidentit, një projekt, kundërshtarët e të cilit dyshojnë se ai do të vendosë një pushtet të monopolizuar nga një njeri i vetëm.
Disa tremben madje se kjo mund të jetë një këmbanë për fundin e Republikës laike të themeluar nga Mustafa Kemal, ku çdo rrezikim i trashëgimisë është konsideruar si një krim i rëndë.
Duke lejuar mbajtjen e burkës në institucionet publike dhe universitete, duke inkurajuar hapjen e një numri në rritje të shkollave “imam hatip”, që bashkojnë edukimin fetar me atë të përgjithshëm, Recep Tayyip Erdogan po përpiqet, sipas kritikëve, të islamizojë shoqërinë.
“Ashtu si Ataturku ndryshoi peisazhin sociopolitik të Turqisë, Erdogan kërkon gjithashtu të transformojë Turqinë, për të krijuar një shoqëri thellësisht myslimane”, thekson Soner Cagaptay, autor i “The New Sultan”, sipas të cilit “Erdogan është personi më i fuqishëm në Turqi që prej rreth një shekulli dhe rivalizohet vetëm me Ataturkun”.
Objektivi
“Nëse dikush vjen dhe fshin standartet demokratike, kjo do të shkonte kundër asaj që do të shpresonte Mustafa Kemal Ataturk”, paralajmëron, Kemal Kiliçdaroglu, kreu i Partisë Republikane të Popullit (CHP), themeluar nga Ataturk.
Gjatë rritjes së krizës diplomatike në muajin mars mes Evropës dhe Turqisë pas ndalimit të disa mitingjeve në mbështetje të referendumit, veçanërisht në Holandë dhe në Gjermani, e përditshmja gjermane “Bild” e titullon një artikull të saj “Nëse Ataturku do të kishte qenë atje, do t’i thoshte jo, riforcimit të pushteteve të Erdoganit”.
“Këtë që ne dëshirojmë të bëjmë, Ataturku e kishte bërë”, u përgjigj Erdogan.
“Nuk duhet idealizuar sistemin në kohën e Ataturkut”, thekson Jean-François Perouse, drejtor i Institutit francez të Studimeve të Anadollit në Stamboll.
“Regjimi i Mustafa Kemal ishte autoritar”, shtoi ai duke paralajmëruar kundër krahasimeve, kontekstet ishin shumë të ndryshme.
‘Një Ataturk i vetëm’
Në muajin janar, Ministria e Arsimit paraqiti për publikun një program të ri shkollor që do të tërhiqte veçanërisht disa referenca për Ataturkun.
“Ajo mori 184 042 komente dhe ankesa, në pjesën më të madhe lidhur me mësimin kushtuar themeluesit të Republikës”, njoftoi në atë kohë e përditshmja ”Hurriyet”.
Për Gulsun Bilgehan, deputete e CHP-së dhe vajza e Ismet Inonut, shok ushtrie i Mustafa Kemalit dhe presidenti i dytë i Republikës turke, indinjata kundër kësaj reforme të programeve shkollore është prova për një simpati për trashëgiminë e Ataturkut.
“Kjo tregon, se shoqëria nuk pranon fshirjen e kësaj historie”, thekson ajo.
Yusuf Tekin, nënsekretar në Ministrinë e Arsimit, i është dashur të reagojë, për të siguruar se Ataturku do të kishte një vend të rëndësishëm në programin shkollor.
Për Tansel Colasan, presidente e Shoqatës së mendimit kemalist (ADD), qeveria kërkon të përdorë arsimin për të krijuar një mentalitet armiqësor për Republikën, për të fshirë vlerat e republikës, si laiciteti, të drejtat e grave, të fshijë urtësinë e Ataturkut dhe Inonusë”.
“Pak rëndësi ka se çfarë bëjnë, Ataturku dhe rruga që ka lënë gjurmë si themelues i Turqisë nuk mund të zhduket nga mendjet”, theksoi zëvendëspresidenti i tij, Uluç Gurkan.
“Erdogan do të ketë sigurisht një vend në histori, si kryeministër dhe si president i Republikës, por mes të tjerëve”, konfirmoi Bilgehan.
“Megjithatë ka vetëm një Ataturk”, shton ajo.
(Nga Luana Sarmini-Buonaccorsi dhe Raziye Akkoc)
Ndaje me miqte