0030 210 33 18 483

Organizata e emigrantëve &ldquoArogjiPërkrahja&rdquo arritje dhe sfida në 3 vjetorin e krijimit

01 Tetor 2015

Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja” ka kremtuar 3 vjetorin e krijimit, me një veprimtari të veçantë, larg festave të bujshme që bëhen zakonisht në raste të tilla. E konceptuar si një konferencë, veprimtaria ishte një shans që të trajtohet gjithë problematika që shqetëson emigrantët dhe fëmijtë e tyre, në fokusin e përmirësimit të nivelit mtë integrimit, por edhe të bashkëpunimit brenda vetë komunitetit shqiptar, por edhe me komunitetet e tjera të emigrantëve. Në panelin e koordinimit të veprimtarisë ndodheshin Katerina Haska, Juli Ndriko dhe Katerina Llano. Në fjalën e hapjes, themeluesi dhe kryetari i “Arogjisë”, Fatos Malaj, theksoi ndër të tjera se kjo organizatë u krijua në vitin 2012, dhe se qëllimi kryesor i punës së saj ishte mbështetja e shtresave më në nevojë të emigrantëve, si dhe informimi më i mirë i tyre për çështje të rëndësishme si arsimimi, kualifikimi profesional, integrimi social dhe mbrojtja e të drejtave njerëzore. “Objektivi im personal është informimi i saktë i emigrantëve në betejën e tyre për një integrim normal”, tha Malaj dhe vazhdoi: “Eshtë e domosdoshme, pas kaq vitesh qëndrimi në Greqi, emigrantët të dinë se cila është pozita e tyre dhe çfarë të drejtash kanë”. “Emigrantët kanë zë dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet”, vazhdoi Malaj, duke bërë një prezantim të shkurtër të veprimtarisë së organizatës, ku ka patur momente kulmore si ndërhyrja në parlamentin grek gjatë diskutimit të projektligjit për nënshtetësinë, apo propozimet që ai paraqiti në emër të “Arogjisë” lidhur me përmirësimin e dispozitave për emigracionin dhe që u morën parasysh nga hartuesit e ligjit të ri. “Takimi ynë i sotëm përbën një tregues bashkimi dhe fuqie”, tha në fund Fatos Malaj, duke shtuar: “Sepse nuk mjafton vetëm të kesh një vizion, por duhet të kesh edhe njerëz që të mbështesin dhe të të ndjekin në materializimin e këtij vizioni”. Në takim përshëndeti edhe sekretari i përgjithshëm i ministrisë së brendshme për emigracionin, Vasilis Papadhopulos. Fillimisht ai pranoi se ka vonesa në zbatimin e ligjit të ri, 4332/15, por garantoi se po bëhen përpjekje që zbatimi të fillojë sa më shpejtë. Duke iu drejtuar emigrantëve shqiptarë që ndodheshin në sallë, zoti Papadhopulos theksoi se “ju jeni komuniteti i huaj më i integruar në Greqi. Shqipëria është një vend e një popull me të cilin Greqia duhet të ketë marrëdhënie shumë të mira... Shtetit grek duhet t’i interesojë intensifikimi i emigrantëve shqiptarë, një integrim që duhet bërë duke ruajtur identitetin kombëtar”, nënvizoi sekretari i përgjithshëm i ministrisë së brendshme greke. Duke u angazhuar se qeveria greke “do të bëjë ç’është e mundur që të ruajë legjitimitetin e emigrantëve shqiptarë”, Papadhopulos u bëri thirrje emigrantëve që çdo problem që mund të ndeshin t’ia përcjellin atij personalisht, duke theksuar se “porta ime do të jetë gjithmonë e hapur”. Drejtori i Drejtorisë së të huajve në administratën e decentralizuar të Athinës, Ilias Hronopulos, përfitoi nga prania e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së brendshme. Kështu, në vend se të drejtonte një përshëndetje, zoti Hronopulos rreshtoi një sërë problemesh akute për shkak të mangësive të sistemit të shërbimit të emigrantëve, duke theksuar se “është çnjerëzore që fëmijve të cilët vijnë që të aplikojnë për nënshtetësinë, t’u mbyllet takim për në maj apo qershor 2015”. Ai shtoi se janë rreth 160.000 përfituesit nga ligji i ri për nënshtetësinë dhe se shumica e tyre janë në periferinë e Atikës. Impresionuese ishte ndërhyrja lakonike e shkrimtarit të njohur grek, Thanasis Heimonas, sekretar për kulturën i partisë PASOK. Pasi foli për kontributin e çmuar të emigrantëve shqiptarë në zhvillimin ekonomik të Greqisë, Heimonas tha: “Si qytetar grek, kërkoj falje për mënyrën se si u sollën me emigrantët autoritetet dhe shoqëria greke”, duke marrë duartrokitje të fuqishme nga auditori. Përshëndetën gjithashtu, Stathis Mandalakis në emër të organizatës joqeveritare Praksis, Adrian Daullja, kryetar i Unionit të Emigrantëve Shqiptarë, aktori Armando Dauti dhe Syed Mohammad Jamil, kryetar i komunitetit pakistanez. Ky i fundit, tha se komuniteti i emigrantëve shqiptarë meriton përgëzime, pse “me gjithë vështirësitë e mëdha, keni arritur të integroheni, duke u bërë shembull edhe për komunitetet e tjera”. Në vazhdim, u kalua në referatet e shkurtra, por plot esencë të anëtarëve dhe bashkëpçunëtorëve të organizatës “Arogji”. - Ilia Bello, avokat dhe jurist i organizatës, foli mbi asisxtencën juridike që u është ofruar emigrantëve. -Katerina Llano, psikologe me studime pasuniversitare në University of London, është duke kryer stazhin pranë ambasadës së Shqipërisë në Athinë. Prandaj dhe tema e saj ishte për marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe rolin që kanë emigrantët në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve. - Gazetari Robert Goro foli mbi rëndësinë informimit të saktë e profesional dhe në gjuhën e tyre të emigrantëve, dhe theksoi se megjithë kushtet e krizës, ekzistenca e mediave që u drejtohen emigrantëve, është një domosdoshmëri. - Gaston Sanxhaku, administrator i faqes albanians.gr, foli për ata që në mënyrë arbitrare, siç tha, quhen “emigrantë të brezit të dytë”, pra fëmijtë e emigrantëve, të cilët përbëjnë 50% të organizatës “Arogji”. - Adriatik Arifi, nënkryetar i organizatës “Arogji”, i cili po përfundon doktoraturën në Universitetin “Pantion”, ishte në zgjedhjet e 20 shtatorit kandidat për deputet me listën e PASOK-ut. Prandaj dhe ishte shumë i natyrshëm referimi i tij për pjesëmarrjen e emigrantëve në zhvillimet politike, me temë “Të drejtat kushtetuese të emigrantëve”. - Bledar Mila foli rolin e fesë në jetën e emigrantëve. - Një figurë shumë e njohur dhe një ndër veprimtarët më aktivë të “Arogjisë” është biznesmeni Petrit Selamani. Krahas sponsorizimit të koktejit, ai mbajti dhe një ligjëratë që u ndoq me shumë vëmendje, dhe që përfshiu tërë problematikat e jo vetëm biznesin. - Ekspertja e të drejtës së huaj, Bruna Beqiri, nisur dhe nga problemi aq aktual i refugjatëve, foli pikërisht mbi mundësitë ligjore dhe tëd rejtat që përfiton kjo kategori. - Avokatja Bruna Zeneli, foli mbi ligjin e ri 4332/15 dhe ndikimin e këtij ligji në integrimin e emigrantëve. - Adrian Rakipi, anëtar i kryesisë së “Arogjisë” dhe aktivist mjaft energjik që në momentet e para, shtjelloi sfidat e ardhshme të organizatës, duke e vënë theksin në bashkëpunimin e gjithë komuniteteve të emigrantëve, por pa rënë në kurthin e getozimit. SHENIM: FOTOGRAFI NGA VEPRIMTARIA MUND TE SHIKONI DUKE KLIKUAR NE RUBRIKEN “FOTO GALERI”

Ndaje me miqte