0030 210 33 18 483

Për një zgjidhje koherente e pa zvarritje të kërkesave të pronarëve të shpronësuar nga diktatura

15 Tetor 2015

A do të vazhdojnë pronarët e shpronësuar që edhe në të ardhmen ashtu si deri më sot të veprojnë e të luftojnë për kthimin e pronave trashëgimtarëve të ligjshëm, pa patur forumin e tyre në spektrin e sotëm partiak në Shqipëri? Mos ka ardhur koha që edhe ata, ashtu sikurse shtresa të caktuara demografike dhe komunitete të veçanta të përfaqësohen politikisht nga një parti e tyre? Nga Prof. Dr.Priamo Bollano Kalimi, në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar, nga ekonomia e centralizuar, që bazohej në pronën e përbashkët shoqërore në ekonominë e tregut, edhe në Shqipëri, ka pasur si objektiv kalimin në një sistem të tillë ku prona dhe inciativa private, do të zinin rolin dominues; ndërsa tregu do të luante rolin e vet përcaktues në zvillimin ekonomik të vendit. Sigurisht që i gjithë ky proces tranformimesh paqësore në jetën ekonomike dhe sociale të vendit nuk mund të realizohej pa reformuar dhe stabilizuar njëkohësisht institucionet përkatëse demokratike, pa mbartur edhe ndryshimet e nevojëshme përkatëse në strukturën demografike të popullsisë. Prandaj, krahas pranisë së shtresave e grupeve të njohura sociale të popullsisë, u shfaq natyrshëm edhe shtresa e popullsisë, ose komuniteti i pronarëve të privuar nga diktatura e proletariatit prej të drejtës së zotërimit të pronës. Që në fillimet e para dhe në vazhdim të procesit të privatizimeve në ekonomi, komuniteti i pronarëve të shpronësuar ka zënë dhe zë një peshë jo të vogël në totalin e popullsisë së vendit, me rol të veçantë në jetën ekonomike, pse jo dhe në atë politike, të Shqipërisë. Objektivi themelor i tij ka qënë kostant: kthimi i pronave pronarëve të ligjshëm, mbështetur në kriterin kushtetues të trashëgimnisë, sipas disponimit të tyre në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore dhe para zbatimit të Reformës Agrare në vitet 1945-1946. Me këtë synim ata u rreshtuan në radhë të parë kundër Ligjit 7501, që pushtetarët dhe oligarkët partiakë projektuan dhe miratuan, në përputhje të plotë me porositë e Katovicës, në fillimet e demokracisë, në mesin e vitit 1991. Praktika si kriteri i së vërtetës justifikoi më së miri drejtësinë e një pozicionimi dhe maturitetin e një pozicionimi të tillë. Ndarja e pronave sipas Ligjës kriptokomuniste 7501, mbështetur në parimin leninisto-enverian “toka i përket atij që e punon dhe që banon në fshat”, jo vetëm që nuk çoi në zhvillimin e kapitalizmit në bujqësi dhe në prosperitetin e fshatit, as edhe në krijimin e bollëkut e të mirëqënjes së masave popullore, sikurse nuk çoi edhe në zvogëlimin e emigracionit të popullsisë nga fshati për në qytetet e mëdha brenda vendit, dhe sidomos për në shtetet e tjera. Në të kundërtën ai e parcelizoi së tepërmi pronësinë mbi tokën, duke krijuar mbi 350 mijë pronarë dhe ekonomi bujqësore, me diçka më shumë se 10 dynym ose 1 ha tokë mesatarisht secili . Historia jep mjaftë shembuj se copëtimi i skajshëm i pronësisë mbi tokën, sikurse tregoi edhe përvoja shqiptare e këtyre 23 viteve të fundit, nuk çonë dhe s’ka si të çojë në zhvillimin e bujqësisë, në shtimin e prodhimit dhe të rendimenteve, në nxjerrjen e fshatarësisë nga skamja dhe mjerimi, shkurt në zhvillimin e kapitalizmit në një degë të rëndësishme të ekonomisë siç është bujqësia. Kjo për arsye se ekonomitë e vogla bujqësore pak mundësi kanë për zbatimin e arritjeve shkencore dhe të masave agroteknike të përparuara, për rritjen e shkallës së mekanizimit dhe të kimizimit në bujqësi, për zbatimin e qarkullimeve bujqësore, pa bërë fjalë për mundësitë e pakta që kanë ato për rindërtimin e sistemit të shkatërruar të ujitjes e të mbojtjes së tokave nga faktorët klimatikë, që në vitet e monizmit u ndërtuan me djersën dhe mundin e masave punonjëse të qytetit e të fshatit. Eshtë e njohur teorikisht dhe e vërtetuar në praktikë se ekonomitë e copëtuara dhe të vogla fshatare nuk mund sigurojnë efektivitetin e duhur ekonomik, as edhe mund të çojnë në zhvillimin e kapitalizmit në fshat. Me politikat e gabuara dhe pa perspektivë të ndarjes së pronave shpjegohet gjëndja e mjeruar në të cilën ndodhet sot bujqësia shqiptare, e cila prodhon shumë më pak se në dy dekada të mëparëshme, sepse pjesa më e madhe e tokës ngelet e papunuar dhe është e abandonuar. Eshtë pasojë e kësaj politike që u ndoq nga “kapitalistët e kuq” të ngjyrave blu dhe rozë, që Shqipëria importon çdo vit rreth 400 mijë tonë drithë dhe oriz, pa përmëndur importin e miellit, mbi 100 mijë tonë perime, patate e fruta, deri në importin e rreth 60 mijë tonë ushqime për kafshë, përfshi edhe kashtën. Për të mos e rënduar lexuesin me shifra, nuk e shohim me vend të përmëndim sasirat e mëdha të importit në qumësht e nënprodhimet e tij, në mish, etj, në një kohë kur Shqipëria i ka të gjithë faktorët prodhues (tokën, klimën, por edhe njerëzit e çliruar nga skllavëria e kooperativave komuniste, etj.) për prodhimin në vend të produkteve bujqësore e blegtorale bio, të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e popullsisë vendase por edhe për të rritur vlerat e eksportit. Për të patur një ide edhe më të qartë rreth pasojave negative ekonomike që mbarti ndarja e tokave sipas ligjës 7501, le të sjellim për lexuesin edhe një shembull tjetër. Në vitet e monizmit të tre kooperativat e bashkuara të Krahinës se Himarës, d.m.th. ajo e Dhërmiut, e Himarës dhe e Qeparoit, siguronin afro 1/3 e prodhimit bujqësor të rrethit të Vlorës. Sot në këtë Krahinë gjithçka është abandonuar. Ullishtet, agrumet e pemët e tjera frutore, të cilave thuajse nuk u bëhet as një shërbim, prodhojnë minimalisht dhe sipas ligjeve biologjike të riprodhimit të tyre. Eshtë fakt se zona e Himarës, si mbarë Bregdeti Jonian, kjo perlë e Rivierës shqiptare, me gjithë mundësitë e mëdha që ka për zhvillimin e industrisë së turizmit, për shkak të mosshkuarjes të tokës tek i zoti, trashëgimtar i ligjshëm i saj, sipas disponimit në vitet 1945-1946, i cili është në gjëndje të vlerësojë punën kolosale të bërë nga progonët e tij për ngritjen e mjedisit atropologjik krahas atij natyror dhe që nuk ndikoi në frenimin e emigrimit të popullsisë vëndase etj, të dallohet sot për një jetë ekonomike që ka si tipar karakterisik ekstraversionin. Kjo do të thotë, se pavarësisht nga përpjekjet që bëjnë banorët e këtij komuniteti për të mbijetuar, konsumi material i bregdetasve, në një masë të madhe, mbulohet nga të ardhurat që prodhohen jashtë Krahinës dhe që në formën e transfertave monetare komsumohen në të. Siç kanë vënë në dukje shumë herë shoqata “Pronësi me Drejtësi”, ajo “Bregdeti”, shoqata “Krahina Jonë: Dukat, Tragjas Radhimë”, etj. por edhe mjaft studiues, analistës e specialistë të ndryshëm, ndarja e pronave si dhe orvatjet e kohëve të fundit për hipotekimin e tyre, mbështetur në ligjën 7501, përbën një krim të madh e të paparë që vazhdojnë të kryejnë oligarkët e sotëm, përfaqësues të “kapitalistëve të kuq” shqiptarë. Me këtë akt ata jo vetëm ndjekin në vazhdimësi rrugën e etërve të tyre, duke rishpronësuar pronarët e origjinës dhe trashëgimtarët e ligjshëm të tokave në Shqipëri, por vazhdojnë të shkelin parimet kushtetuese, me pasoja shumë të mëdha negative mbi ekonominë shqiptare, sidomos në një nga asetet themelore të saj siç është toka, që përbën pasurinë më të madhe dhe më të vlefshne të shqiptarëve, duke prishur edhe biodiversitetin e krijuar në shekuj. Tashma, gjithënjë e më shumë, vërtetohet se politika që u ndoq për ndarjen e pronave në bazë të ligjit famëkeq kriptokomunist 7501, përbën një ndër rrugët që përdori në Shqipëri ish nomenklatura partiake dhe ajo shtetërore, për grabitjen e pronave pronarëve të ligjshëm. Ajo u lejoi dhe u krijoi mundësinë e kthimit në rrugë paqësore, pa u vrarë dhe pa u prerë të kuadrove por edhe pinjollëve të saj, të paraqitur tashma me ngjyra rozë, blu e kush e di se me ç‘ngjyrë tjetër, në “kapitalistë të kuq”. Mbi këtë bazë ekonomike, sistemi ekonomik e politik aktual në Shqipëri nuk është gjë tjetër, veçse një sistem kleptodemokratik i “kapitalistëve të kuq”, të cilët në mënyrë të organizuar e sistematike, të mbështetur në ligjet dhe në vendimet e institucioneve shtetërore qëndrore dhe ato vendore, falsifikojnë dokumentet dhe vjedhin në mes të ditës pronat e pronarëve të ligjshëm. Për rrjedhojë, në tokat e pronarëve të shpronësuar nga diktatura mbijnë, si këpurdhat pas shiut, pronarët e rinj, që në shumë raste nuk kishin dhe as kanë të bëjnë aspak me tokën dhe nuk dinin as dijnë shtrirjen topo-gjeografike të parcelave të pronësuara as edhe kufitarët përkatës. Shprehje më e qartë e kësaj janë mjaft praktika dhe akte e dispozita ligjore të nxjerra nga qeveritë e ndryshme shqiptare në plotësim, saktësim dhe zbatim ligjës 7501 si dhe gjyqet e stisura korruptive për të vërtetuar e ligjëruar pronësinë e oligarkëve të kuq. Këtij synimi i shërbejnë edhe përpjekjet e qeverisë së mazhorancës aktuale, që përmes drafteve të hartuara për kompensimin financiar të pronarëve të shpronësuar nga diktatura, me synim themelor mosdhënien pronarëve të as edhe një qindarke si kompensim financiar për pronat e tyre të shpronësuara, si edhe praktikat e nisura në Bregdetin Jonian për hipotekimin e pronave mbështetur në ndarjen e tokës të bërë sipas Ligjës 7501, pa verifikuar e mbështetur në dokumente autentike rreth origjinës së formimit të pronës, siç parasheh neni përkatës i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, veprime të cilat me të drejtë shoqatatat e pronarëve i kanë kundërshtuar dhe i kundërshtojnë si veprime antidemokratike dhe thellësisht kleptokratike e mafioze. Për mbrojtjen e të drejtave ekonomike dhe sociale të veta, në radhë të parë për kthimin e pronave tek trashëgimtarët e ligjshëm, komuniteti i pronarëve të shpronësuar, pavarësisht peshës jo të vogël që zë në strukturën demografike të vendit, ka vepruar vetë pa patur mbështetjen e partive politike jo të pakta që veprojnë sot në Shqipëri. Siç tregoi përvoja, këtë rol nuk e mori përsipër as e luajti PD, si parti kryesore e liberalizmit ekonomik në Shqipëri, ndërsa Partia Republikane, që në vitet e para doli në përkrahje të interesave të pronarëve të shpronësuar, me kalimin e viteve zbehu përpjekjet e saja në këtë drejtim, me gjithëse për vite me radhë ishte së bashku me PD parti qeveriformuese dhe drejtuese në Shqipëri. Kuptohet PS-ja dhe partitë e tjera të sepktrit të majtë nuk mund të merrnin përsipër mbrojtjen e interesave të pronarëve të shpronësuar, pavarësisht se në kohë fushatash të ndryshme elektorale, kjo si dhe partitë e tjera politike i i janë drejtuar, duke i kërkuar votën këtij komuniteti. Ndërsa, sa i përket PBDNj-së, si parti që ka për objekt mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themlore të shtetasve, asnjëherë nuk ka qënë seriozisht në krah dhe në mbrojtje të interesave të pronarëve të shpronësuar. Kujdesi dhe vëmëndja e saj ka qënë dhe mbetet kurdoherë se në ç’krah do të pozicionohet dhe në çfarë koalicion partiak do të përfshihet, duke u zvarritur sa nga e djathta po aq edhe nga e majta, për të zënë një vend në kabinetet qeveritare, d.m.th. “për ndarjen e tortës”, se sa për kthimin e pronave pronarëve të shpronësuar, si një ndër të drejtat nga më themelore të shtetasve. Gjatë këtyre viteve, në krahë të komunitetit të pronarëve të shpronësuar nga diktatura kanë qënë kurdoherë vetëm disa organizata atdhetare jo qeveritare, që në vitet e tranzicionit u ngritën mbi baza fshatrash ose krahinash të ndryshme, që për nga numri nuk janë pakta, por për nga fuqia e veprimit, forca dhe vendimmarrja për kthimin e pronave pronarëve të ligjshëm janë ineficente dhe të pafuqishme. Këtu, ndër të tjera ndikim jo të vogël ka ushtruar mënyra e organizimit dhe funksionimit organizativ të disa prej tyre (fjala vjen, vitet e fundit Shoqata Bregdeti e ndonjë tjetër kanë qënë ineficente), ashtu edhe monipolizimi i gjithë punës nga Kryetarët e tyre, një pjesë e të cilëve veprojnë në mënyrë të atillë që të kujtojnë thënien e Luigjit XIV “shteti jam unë!”, të shtrirë në punën e shoqatës dmth “shoqata jam unë - Kryetari”. Në këto rrethana natyrshëm lindin pyetjet: A do të vazhdojnë pronarët e shpronësuar që edhe në të ardhmen ashtu si deri më sot të veprojnë e të luftojnë pë kthimin e pronave trashëgimtarëve të ligjshëm, pa patur forumin e tyre në spektrin e sotëm partiak në Shqipëri? Mos ka ardhur koha që edhe ata, ashtu sikurse shtresa të caktuara demografike dhe komunitete të veçanta të përfaqësohen politikisht nga një parti e tyre? A do të vazhdohet edhe në të ardhmen me Kryetarë shoqatash të përjetshëm, që shkelin rregullat e përcaktuata në statut dhe nuk përfillin zërin e anëtarëve të Shoqatës etj? Sigurisht që përgjigjen duhet ta japin në radhë të parë vetë pronarët e shpronësuar, por edhe forumet drejtuese të organizatave joqeveritare që kanë treguar se kanë si motiv interesat e tyre. Mendimi im është se duhet vepruar sa s’është vonë dhe boll më me shtrirjen pa afat në kalendat greke të zgjidhjes së kërkesave shumë të drejta të këtij komuniteti, që mund të luajë një rol të madh dhe të pa zëvëndësueshëm në zhvillimin ekonomik, social dhe politik të vendit. Ka ardhur koha që të ashtuquajturve kryetarë të përjetshëm t’u tregohet vendi, se si në çdo fushë të jetës shoqërore edhe në drejtimin e shoqatave kryetarë të pazëvendësushëm nuk ka dhe s’mund të ketë, se kriteret e vetme të vlerësimit të gjithësecilit janë puna dhe rezultatet që arrihen në përputhje me programin dhe statutin e çdo shoqate. *)Autori është nënkryetar i Shoqatës Patriotike “BREGDETI”

Ndaje me miqte