0030 210 33 18 483

&ldquoPërçartja e kujtesës&rdquo...

Dr. Evriviadhi GORO 12 Dhjetor 2016

Kryeministri ynë jep mësime historie, mbasi lexon përralla fëminore. Si kryetar i qeverisë së shtetit më të zhvilluar,- ekonomikisht, politikisht, me kulturë e organizim shoqëror shembullor,-“Evropian në letër”,- ka të drejtë të flasë si i pari i Ballkanit,- ashtu si Enver Hoxha,-dhe, i dehur nga fuqia e pushtetit, nuk ka kuptuar që është prekur nga sëmundja me emrin “Përçartja e kujtesës”. Eshtë sëmundje e re, e shtrirë këta vitet e fundit në stanin e politikës shqiptare, që çorienton të folurit dhe kujtesën. Vërehen turbullime të vetëdijes, të folur të paartikuluar e të pakuptueshëm, harresë, turbullime të orientimit, si bie fjala, paqartësira për personalitetin e vet. (“Jam ortodoks i konvertuar në katolik. Katolik i konvertuar në mysliman, mysliman i konvertuar në hebre..., shteti jam unë, historinë e bëj vetëm unë” dhe...,- nuk po përmend historianët, me që vitet e fundit mbijnë si kërminjët në pranverë,- “kam të drejtën për të përcaktuar rrënjët e origjinës të secilit,... dhe, unë jam perëndia e dytë pas vëllait Erdogan”!). Kur këto simptoma “janë instaluar” përfundimisht në trupin e prekur, sëmundja quhet e pashërueshme, i sëmuri deklarohet invalid dhe, po të jetë i siguruar, kalon, falas, në institucion... riaftësimi, në se i njihen meritat e së kaluarës... Kryeministri i sëmurë, e ka drejtuar timonin e Shqipërisë drejt finishit që e përcaktoi mësuesi i tij, Enveri. Por me pasoja më katastrofike. Enver Hoxha e sundoi këtë vend me kodin Romak “Divide et impera” (Përça e sundo), -duke përçare edhe familjet, -në armiq dhe miq të partisë. Sot ndiqet po kjo vijë, por në një sens më të rrezikshëm, duke përçarë kombësitë, ashtu si u veprua me mbiemrat ne vitet ’20 të shekullit të kaluar, duke zgjuar armiqësitë dhe epshet Osmane. Shembulli më i frikshëm është shkatërrimi i bukurive natyrore të Himarës, të trashëgimisë historike dhe kulturore, shpronësimi dhe shporrja e autoktonëve, fshirja nga harta e emrit Himarë, e cila në vitin 1537 i tregoi gjoksin dhe shpatën perandorisë Osmane, duke detyruar sulltanin e tmerrshëm të gjunjëzohet, kur miliona të tjerë kishin pranuar nënshtrimin dhe servilizmin. Tani na paskan dalë osmanllinjtë e kastës politike shqiptare, që veprojnë, si bllok i bashkuar, në një krim të shekullit. “Urrejtja është në karakterin e të nënshtruarit”, ka thënë një i mençur. Të gjithë duhet ta kenë të qartë, se rilindja e Turqisë Evropiane, ka vdekur bashkë me perandorinë famëkeqe. Himarjotët i kanë larë hesapet me perandorinë e vdekur, që kur detyruan Sulejmanin e madhërishëm të nënshkruante, NE NJE PLLAKE BAKRI, njohjen e autonomisë së gjërë të Himarës, me të 52 (disa historanë të huaj thonë 62) fshatrat e saj. Në Himarë, për afro 4 shekuj, “shkeli” vetëm një turk, kajmekani,-“ambasadori osmanlli”. Por kjo autonomi ishte diçka më shumë se aq: Himara ishte shtet, i vetëm, i pavarur brenda perandorisë, me përfaqësues në Rusi, Napoli dhe Spanjë. Historianët tanë e injorojnë ose nuk e njohin këtë... vogëlsi. Rreth Himarës së asaj kohe u rreshtuan vëllezërit tanë, shqiptarët e gjysmës jugore të Shqipërisë, që deri më sot askush nuk ka guxuar ta shpërbëjë këtë vëllazërim, të farkëtuar me gjakun e përbashkët. Dhe askush nuk do të gjejë aq fuqi ta prishë sot. Nuk është rastësi apo hobi i një piktori anonim, portreti i një luftëtari Himarjot, që gjëndet në muzeun e Luvrit, me shpatën, që mban në dorën e djathtë, me ca monedha të vëna në majën e saj dhe, që i thotë sulltanit: “EJA TE MARRESH HARAIN!”, -fjalë, që sjellin në mendje përgjigjen e Leonidhës ndaj ultimatumit të Kserksit për të dorëzuar armët, “Molon lave!” - Eja t’i marrësh!). Piktori ynë nuk ma ha mendja ta ketë parë... Cila është origjina e Himarjotëve? Për këtë, nuk them gjë tjetër, por citoj fjalët e Eqerem bej Vlorës, një shqiptar patriot dhe aspak grekofil: “...Në zonën e Himarës janë tri fshatra që gjatë gjithë historisë së tyre kanë folur greqisht - Palasa, Dhërmiu (Dhrymadhes) dhe Himara (jo Hi-mar, por prejardhja është nga emri mitologjik grek, Himera,-shih dokumenta Veneciane -shënim im). Dhe që rrënjët e tyre shkojnë shumë thellë në Greqinë e lashtë dhe që kanë ecur kaq shumë në prirjet e tyre helenistike, sa asnjë bashkatdhetar tjetër i tyre. Dhe unë, megjithëse i kam armiq, i çmoj dhe i nderoj” (Eqerem Bej Vlora, Kujtime..., faqe 194). Me siguri kryeministri nuk e ka lexuar librin; ai merret vetëm me... vizatime dhe ndryshimin e rregullsisë të Natyrës,- por mundet t’ia kenë thënë në vesh, atëherë kur pranoi në parlament se “...Himara është minoritare”. Madje para tij e kishte pranuar këtë edhe paraardhësi i tij, z. Sali Berisha, në një interviste dhënë në Tiranë, porsa ishte kthyer nga Asambleja e OKB-së. Atëherë edhe ai kishte thënë: “...në bazë të këtyre u ishte njohur e drejta e minoritetit”. T’i kenë harruar? Ka të ngjarë, mbasi kryeministrat tanë, deri tani, shquhen për kujtese “të dobët”. Por nuk harron kujtesa popullore. Vetëm katër javë më parë, më 23 nëntor 2016, kryeministri e pohoi, se Himara është minoritet. Në intervistën dhënë gazetarit grek, duke folur për Himarën (dhe pasi paralajmëroi se “Nuk dua të hyj në një diskutim tjetër për atë çka është Himara. A është Himara një vend ku ka grekë që flasin shqip, apo ku ka një pakicë greke”), zoti Rama tha: “Ajo që dua të them është që nuk ka asnjë vend në botë, ku për shkak të faktit se ti përfaqëson një pakicë, ti nuk i nënshtrohesh ligjit të vendit ku jeton”. Thënë fare thjeshtë, kryeministri vëren që himariotët janë pakicë (minoritet), por kjo nuk i jep të drejtën që mos t’i nënshtrohen ligjeve të shtetit ku jetojnë... Di, vallë, ai ndonjë rast që himarjotët të kenë shkelur Kushtetutën dhe ligjet e shtetit ku jetojnë? Ne Himariotët, jemi nënshtetas Shqiptarë të kulturuar. U bindemi ligjeve, aq sa në këta 26 vjetet e fundit nuk ka ndodhur asnjë rast i shkeljes së ligjeve,-as për narkotikë, në kohën që “hashashi mbillet dhe në Rinas”, sipas fjalëve të kryeministrit, por jo në Himarë! As për krime ndaj jetës, as për mosshlyerje të detyrimeve ndaj shtetit. Mjafton të kujtojmë pranverën e zezë të vitit 1997. Kur gjithë Shqipëria vritej e digjej, Himarjotët mbanin radhën për të paguar detyrimet ndaj shtetit: dritat, telefonin, ujin, duke dhënë shembullin se si duhet të vepronte gjithë vendi e të mos u vërsulej depove të armatimeve... Njohim dhe plotësojmë detyrimet, por nuk lejojmë të merren nëpër këmbë të drejtat tona, të drejtat e Njeriut. Qëllimet për shpërfytyrimin e Himarës janë politike kryesisht, dhe ekonomike rrjedhimish. Në qoftë se do të kishin qëllime të mira, autoktonët do të kishin marrë tokat e trashëguara dhe askush nuk do të guxonte të bënte ndryshe. Në statutin e kooperativave Bujqësore, kishte një nen që thoshte: “Po u prish kooperativa, toka i kthehet të zotit”. Këtë të drejtë “demokracia” jonë e mohon. Sundimtarët e sotëm e mbajnë tokën e Himarës peng, për dy arësye: E para, të braktisim origjinën, të mohojmë historinë, pa të na jipen pronat e trashëguara. “Shqiptarët po të duan të mburren me historinë e tyre, mund të mburren vetëm me historinë e Himarës”, thonë historianët Francezë (cituar nga Ing.Dr. Kostandin Gjoka). Dhe këtë nuk ka penë që ta shuajë. E dyta, të shfarroset çdo gjurmë e Himarës historike, të dëbohet popullsia autoktone e saj dhe në vend të tyre të vendosen kolonët e “Erdoganit shqiptar”, kryeministrit aktual. Në gjithë botën, njerëzit me mend në kokë, nuses nuk i vënë mjekër e mustaqe, që të duket më e bukur. Dhe të mendosh që kjo punë kërkohet t’i bëhet Himarës nga një kryeministër i arteve të bukura dhe që, kur ishte student, kishte shijuar kënaqësinë që i falte kjo vepër e paçmuar e piktores supreme, që quhet NATYRE. “Të shkatërrojmë çdo gjë, që mban gjallë Himarën. 400 vjet e panënshtruar, nuk durohet më!”. Të zhduket çdo gjurmë e asaj Himare, që ngriti shtatin, përsëri e vetme, kundër diktatures më 2 Dhjetor 1945 duke mos e votuar!... Ky vend nuk vdiq kur Enver Hoxha hyri si hakmarrës në të, me zjarr e plumba, më 1946, burgosi dhe vrau shumë Himarjotë, por nuk e nënshtroi. Himara do të vdesë vetëm pasi të jenë sheshuar vargmalet e Akroqeravnisë. Ne do t’ i mbrojme të drejtat, ashtu si i kemi mbrojtur deri tani. Nuk pranojme të ndërrojmë identitetin tonë, gjuhën, besimin dhe pronësitë tona. Nuk do të lejojmë të na shemben shtëpitë, që i kemi trashëguar nga prindërit ose i kemi ndërtuar, me mundim, në kohën e diktaturës, qofshin dhe “baranga”, që nuk kanë madhështinë si -bie fjala-, pallatet dhe hotelet e politikanëve... Dhe mbi të gjitha, nuk lejojmë që mosnjohësit e bukurisë natyrore, të na shkatërrojnë mjedisin. Nuk lejojmë të grabiten trojet tona, që për mijra vjet, ishin dhe mbeten vetëm thelbi i qënies tonë. Në përpjekjet tona kemi mbështetjen e vëllezërve shqiptarë, që banojnë në krahinën tonë dhe që mes nesh nuk njohim dallime dhe asnjëherë nuk pyetëm njeri tjetrin se ku gjënden rrënjët e secilit. Ne dhe ata kemi harmoni, dashuri dhe nderim. Këtë lidhje nuk do të mund të na i prishë asnjë keqbërës. Dhe për ta mbyllur, po sjell në këtë shkrim, fjalët që i thashë kryeministrit, z.Edi Rama, në muajin Gusht 2014, në një darkë në Himarë: “Ka mjaft gazetarë të papërgjegjshëm dhe “historianë”, që shkruajnë shumë për Himarën. Kur flitet e përsëriten vazhdimisht të njëjtat gjëra, duhet të kuptojmë se kjo bëhet ose nga padija, ose bëhen përpjekje të shtrëmbërohet e të bëhet “ashtu si dua unë.” Nuk dua të polemizoj, por ju them që Himara është ajo që është dhe kurrë nuk ka krijuar probleme dhe nuk do që të krijojë. Shkrimet në fjalë, veç, bëhen me qëllime të këqija, fyese, që nxisin armiqësira, që për Himarjotët janë të huaja. Kjo vetëm mbarëvajtjes së vendit nuk i shërben. Mjaft më!”.

Ndaje me miqte