0030 210 33 18 483

Përplasje TsiprasSamaras në parlamentin grek. &ldquoVijat e kuqe&rdquo në negociatat me partnerët

31 Mars 2015

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka kërkuar që opozita t’i bashkohet përpjekjes kombëtare me qëllim që t’i jepet fund shtrëngesës, gjatë informimit të parlamentit për çështjet që kanë të bëjnë me negociatat aktuale me partnerët. Kryeministri vuri në dukje se erdhi koha të themi të vërteta që nuk fshihen më: “Synojmë një kompromis të ndershëm me partnerët. Mirëpo mos prisni nga ne kapitullim pa kushte. Kjo është arsyeja që po na bëhet një luftë e pamëshirshme. Kjo është arsyeja që shoqëria na mbështet”. Partitë e opozitës duhet të përgjigjen sonte nëse do të mbështesin politikën negociuese të qeverisë, me qëllim që t’i jepet fund shtrëngesës që vitet e fundit e shkatërroi ekonominë dhe shoqërinë, apo do të jenë zëdhënës të frymëzuesve të memorandumit, tha shprehimisht. Tsipras i ftoi partitë që qeverisën pesë vitet e fundit të thonë se cilën reformë bënë për të mirën e vendit dhe e pyeti ish kryeministrin Samaras përse harroi obligimin e memorandumit për licencat e mediave radiotelevizive dhe hetimet për evazionin fiskal. “Qeveria e re greke po negocion, po lufton, po përgjaket që të ndalojë përgjakja e shumicës së popullit grek”, tha Tsipras dhe shtoi se lista e reformave që qeveria u paraqiti partnerëve do të ndryshojë vendin. Tsipras iu referua edhe “situatës pa precedent të asfiksisë monetare që po përjeton vendi”, i vetmi vend që nuk i rikapitalizon borxhet e veta, por i paguan nga buxheti i vet, “megjithëse disa u kujdesën që të krijohet kjo situatë asfiktike, duke e ditur se vendit po i frohej ndryshimi”. Qeveria aktuale e shpëtimit social nuk ngurroi të flasë me gjuhën e të vërtetës dhe të pretendojë ato që ishin harruar, tha kryeministri, fjalë si dinjitet, por edhe Siemens, madje edhe brenda në Berlin. Në fjalimin e tij, Tsipras sulmoi programin e reformave të qeverisë së mëparshme, duke theksuar se emërtonte “reforma” pushimet nga puna në sektorin publik, shfuqizimin e kontratave kolektive të punës dhe mbylljen e spitaleve dhe shkollave, në të njëjtën kohë që rtefuzonte të rregullonte fushën e mediave rediotelevizive, megjithëse këtë ia impononte memorandumi. Kjo “u harrua sa nga qeveria Samaras, aq edhe nga Trojka”, tha z.Tsipras dhe vazhdoi: “Përse nga 2062 emrat e Listës Lagarde u kontrolluan vetëm 25? Sot po mësojmë nga shtypi i huaj, se nëpunësit e shtetit u tërhoqën, pasi iu bënë presione që të mos kontrollonin ata që ishin në Listën Lagarde, pse ishin bashkëpunëtorë të ngushtë tuajët, zoti Samaras. Në bankat zviceriane janë paraqitur vetëm 10 kërkesa për kontroll të transfertave të dyshimta gjatë gjithë mandatit të qeverisë së mëparshme dhe nuk e prisja kurrë që të më shtrohej pyetja madje edhe nga kancelarja e Gjermanisë se përse Greqia nuk ka nënshkruar akoma marrëveshje me Zvicrën”, tha Tsipras dhe shtoi: “Këto janë ditët dhe veprat tuaja. Nuk paguan pjesën që u takonte për krizën dhe i nxorrën jashtë shtetit paratë e tyre. ashtu si ministri juaj i financave”. Sa i përket negociimit që po zhvillohet me partnerët, Tsipras tha garantoi se nuk ekziston diplomaci sekrete nga ana e qeverisë dhe se negociimi “i sinqertë dhe i ashpër” do të vazhdojë deri në fund. Duke e marrë fjalën sërish në mbyllje të debatit parlamentar, kryeministri theksoi se qeveria po punon intensivisht që të materializojë marrëveshjen e Eurogrupit të 20 shkurtit, mirëpo “nuk shkojmë pa vija të kuqe; ekzistojnë kufij që nuk kemi të drejtë t’i kapërcejmë, në bazë të mandatit popullor dhe mbështetjes popullore që kemi, me qëllim që të largohet vendi nga aventura e tmerrshme”. Duke artikuluar këto “vija të kuqe”, Tspras tha se nuk ka për të pranuar masa shtrënguese si ulje të pagave dhe pensioneve, liberalizim të pushimeve masive nga puna, rritje të TVSH-së në ushqime dhe barna si dhe shitje “për një kafshatë bukë” të pasurisë publike. “Këto vija të kuqe kemi. Nuk tërhiqemi sado shantazhe që të na bëhen. Këto kërkova nga partitë e opozitës që të mbështesin, sepse janë vijat e kuqe të popullit grek në një negociim të vështirë”, theksoi kryeministri. Samaras: Ne jemi me Greqinë “Ne jemi me Greqinë”, deklaroi në parlament shefi i opozitës Antonis Samaras, duke iu përgjigjur “dilemës së rreme që shtroi kryeministri”, siç tha, dhe shtoi: “Ne do t’ju mbështesim, por nuk do të mbështesim çdo gjë. Samaras vazhdoi duke thënë se “ne e nxorrëm vendin në suficite, por nuk do të mbështesim një rreth sakrificash që të na ktheni te recesioni”. Kryetari i Demokracisë së re, pasi e akuzoi kryeministrin se nuk e informoi thelbësisht parlamentin për negociatat, nënvizoi “Godisni opozitën që të paralajmëroni tuajët që nuk ju lenë të qeverisni. Nuk po qeverisni dhe vendi po fundoset”. Samaras shtroi pyetjen retorike se mos kryeministri thirri debatin parlamentar që ta bëjë opozitën “bashkëpërgjegjëse në një përplasje të mundshme që po drejtoni vendin”. Tsipras shtroi pyetjen nëse përbërësit e SYRIZA-s pajtohen me privatizimin e portit të Pireut apo të aeroporteve dhe foli për një teatës negociimi virtual që koston do të ftohet ta paguajë populli grek. Më tej, kryetari i ND akuzoi qeverinë se në realitet nuk negocioi kurrë sepse nuk ka negociim pa të dhëna dhe shifra dhe se qeveria refuzoi t’ua jepte këto ekipeve teknike të institucioneve. Duke iu referuar vakuumit fiskal, zoti Samaras paralajmëroi se atë çka nuk mund ta mbulojë buxheti do të duhet të na e mbulojnë partnerët me kreditim “sepse në tregje nuk mund të futemi”. Theodorakis: Dilema e vërtetë është përplasja me interesat “Dilema e vërtetë është: përplasje me interesat që do të fitojnë nga kriza, përplasja me lobin e dhrahmisë, apo kursi europian”, tha kreu i “Potami”-t, Stavros Theodorakis, gjatë debatit parlamentar. Lobi i dhrahmisë ka disa pëkrahës ndërmjet deputetëve të SYRIZA-s, denoncoi Theodorakis dhe kërkoi ndryshime të guximshme në vend të një daljeje katastrofale nga euro dhe një tragjedi kombëtare. “Do të jemi me ju që të japim bashkë betejat për disa çështje, si çëahtja e madhe e borxhit që nevojitet ristrukturim”, tha kreu i “Potami”-t, duke shtuar se partia e tij do të përplaset me ideologjizmat e një pjese të SYRIZA-s. Duke komentuar kërkesën e kryeministrit që partitë të përgjigjen nëse pajtohen me masat për krizën humanitare apo rregullimin me 100 këstet, tha se “Potami” i votoi, por kërkoi vendosjen e minimumit të garantuar të të ardhurave, me qëllim që të mos ndihen si lypsarë ata që ndodhen nën limitin e varfërisë. Theodorakis e ftoi qeverinë që të sqarojë se përse nuk tregon të njëjtën ngutje që tregon për riaktivizimin e ERT edhe për frekuencat radiotelevizive me qëllim që mos të ekzistojnë bosa të pakontrolluar.

Ndaje me miqte