0030 210 33 18 483

Përse ndryshon ora. Kush e propozoi dhe pse nisi të zbatohej 120 vjet më vonë

25 Mars 2016

Ora verore, që fillon të dielën, më 27 mars, nuk është një risi kaq e vonë. Ideja i përket politikanit dhe filozofit të njohur amerikan, Benjamin Franklin, që veç të tjerash ishte edhe një fizikan i rëndësishëm e shpikës i rrufepritësit. Në shekullin e 18-të, Franklin ishte ambasador i SHBA në Paris. Në 1784 shkruajti një artikull me titull “Një projekt ekonomik për kufizimin e kostos së ndriçimit” dhe e ia dërgoi gazetës “Journal de Paris”. Sipas Franklin, parizianët “mund të kufizojnë përdorimin e qirinjve” dhe të kenë një kursim relativ, nëse ngrihen më herët nga shtrati i tyre dhe ta fillojnë ditën duke “përfituar nga mëngjesi”. Mirëpo kaluan thuajse 120 vjet që ideja e tij të pranohet dhe të formulohet termi “orë verore”. Ishte një anglez, konstruktori William Willet, që në vitin 1902 qarkulloi një broshurë të titulluar “Drita e humbur e ditës”, ku u bënte thirrje autoriteteve që “t’i zgjojnë qytetarët më herët, duke zhvendosur akrepat e sahateve nëpër qytetet”. Sivjet mbushen 100 vjet që nga zbatimi i orës verore në shkallë kombëtare. Ishte Gjermania, e cila gjatë Luftës së parë Botërore, më 30 prill 1916, vendosi të zbatojë orën verore, duke “fituar” 60 minuta, për arsye ekonomike. Argumenti ishte se kufizohet përdorimi i qymyrit dhe kështu shtohen rezervat për industrinë e luftës, siç deklaronte në atë kohë ministria e Luftës. Pasoi Anglia, pak javë më vonë, për të njëjtat arsye. Ndërkaq, as njeri shtet dhe as tjetri, nuk e mbajtën orën verore pas përfundimit të luftës, më 1918; megjithëse iu rikthyen kësaj mase 20 e ca vite më vonë. Në shekullin e 19-të dhe në dekadat e para të shekullit të 10-të, ndryshimi i orës nukj ishte një çështje e lehtë. Akrepat e orëve nuk lëviznin mbrapsht, po të tentoje thyhej mekanizmi dhe duhej ta shtyje 11 orë për ta çuar te ora verore. Kjo ndodh edhe sot me sahatet e vjetra, në mjaft kisha, bashki dhe godina shtetërore të shekullit të 18-të e më herët, në vende të Europës Qendrore. Rasti më “tipik” është ai me sahatet e koleksionit Mbretëror në Mbretërinë e Bashkuar (Britani). Janë më shumnë se 900 sahate, më i riu e ka moshën 62 vjet dhe më i vjetri “mbi 280”, siç shkruan Manuali Mbretëror përkatës. Në kështjellën e Windsorit (ku zakonisht kalon fundjavën Mbretëresha), ndodhen 379 sahatë tavoline, 500 të tjera në pallatin e Buckingham-it dhe 89 në pallatin Hollyrood (rezidenca e Mbretëreshës në Skoci). do vit, në pranverë dhe në vjeshtë - kur ndërrohet ora-, disa dhjetra punonjës dhe shërbëtorë vihen në punë për të lëvizuar akrepat me qëllim që të tregojnë orën e re, thotë shefi i kontrollit të koleksionit mbretëror. Eshtë një punë “me sensibilitet, që kërkon të paktën 50 orë vëmendje”, shton. Në kontinentin europian, vendet anëtare të BE-së si dhe Norvegjia dhe Zvicra, e adoptuan kalimin në orën verore -të dielën e fundit të marsit-, në mesin e viteve 1960. Në SHBA, në periudhën 1986-2006 u ndryshua pesë herë data e ndryshimit dhe përfundimisht u vendos 30 prilli si datë e fillimit të orës verore. Njëlloj dhe në Kanada. Ndër vendet e Europës, që nuk e zbatojnë orën verore janë Rusia, Islanda, Gjeorgjia, Armenia dhe Bjellorusia. Tribuna

Ndaje me miqte