0030 210 33 18 483

Përse ora ndryshon dy herë në vit dhe përse në mars e në tetor?...

TRIBUNA 28 Tetor 2016

Dy vjet pas krizës energjitike që pushtoi Europën në 1974, u vendos adoptimi i orës verore nga pjesa më e madhe e vendeve të kontinentit. Në Europë, ata që përkrahin përfundimin e orës verore në fund të shtatorit (për të patur mëngjese më me dritë, por edhe muzgje më të errëta në tetor), janë nëpunësit, prindërit e fëmijve që e fillojnë shkollën në ora 08,00, postierët, dhe përgjithësisht ata që punojnë paradite. Ndërsa përkrahësit e fundit të tetorit, (sepse në këtë mënyrë fitojnë pasdite më me dritë, por mëngjese më të errët), janë fermerët britanikë dhe irlandezë, të cilët duhet të paguajnë punëtorët që presin deri në mesditë që të thahet vesa, para se të fillojnë vjeljen apo mbjelljen. Përfundimisht, në 1994 u gjet e mesmja e artë, duke u vendosur që ora do të ndryshonte të dielën e fundit të tetorit dhe kjo masë filloi të zbatohet në 1996. Në SHBA, në periudhën 1986-2006 u ndërrua pesë herë data e ndryshimit dhe përfundimisht u vendos 30 prilli si datë e fillimit të orës verore. Njëlloj dhe në Kanada. Ndër vendet e Europës, që nuk e zbatojnë orën verore janë Rusia, Islanda, Gjeorgjia, Armenia dhe Bjellorusia. Në fakt, ndryshimi i orës nuk është një risi kaq e vonë. Ideja i përket politikanit dhe filozofit të njohur amerikan, Benjamin Franklin, që veç të tjerash ishte edhe një fizikan i rëndësishëm e shpikës i rrufepritësit. Si lindi ndryshimi i orës Në shekullin e 18-të, Franklin ishte ambasador i SHBA në Paris. Në 1784 shkruajti një artikull me titull “Një projekt ekonomik për kufizimin e kostos së ndriçimit” dhe e ia dërgoi gazetës “Journal de Paris”. Sipas Franklin, parizianët “mund të kufizojnë përdorimin e qirinjve” dhe të kenë një kursim relativ, nëse ngrihen më herët nga shtrati i tyre dhe ta fillojnë ditën duke “përfituar nga mëngjesi”. Mirëpo kaluan thuajse 120 vjet që ideja e tij të pranohet dhe të formulohet termi “orë verore”. Ishte një anglez, konstruktori William Willet, që në vitin 1902 qarkulloi një broshurë të titulluar “Drita e humbur e ditës”, ku u bënte thirrje autoriteteve që “t’i zgjojnë qytetarët më herët, duke zhvendosur akrepat e sahateve nëpër qytetet”. Sivjet u mbushën 100 vjet që nga zbatimi i orës verore në shkallë ndërkombëtare. Ishte Gjermania, e cila gjatë Luftës së parë Botërore, më 30 prill 1916, vendosi të zbatojë orën verore, duke “fituar” 60 minuta, për arsye ekonomike. Argumenti ishte se kufizohet përdorimi i qymyrit dhe kështu shtohen rezervat për industrinë e luftës, siç deklaronte në atë kohë ministria e Luftës. Pasoi Anglia, pak javë më vonë, për të njëjtat arsye. Ndërkaq, as njeri shtet dhe as tjetri, nuk e mbajtën orën verore pas përfundimit të luftës, më 1918; megjithëse iu rikthyen kësaj mase 20 e ca vite më vonë. Në shekullin e 19-të dhe në dekadat e para të shekullit të 10-të, ndryshimi i orës nukj ishte një çështje e lehtë. Akrepat e orëve nuk lëviznin mbrapsht, po të tentoje thyhej mekanizmi dhe duhej ta shtyje 11 orë për ta çuar te ora verore. Kjo ndodh edhe sot me sahatet e vjetra, në mjaft kisha, bashki dhe godina shtetërore të shekullit të 18-të e më herët, në vende të Europës Qendrore. Rasti më “tipik” është ai me sahatet e koleksionit Mbretëror në Mbretërinë e Bashkuar (Britani). Janë më shumë se 900 sahate, më i riu e ka moshën 62 vjet dhe më i vjetri “mbi 280”, siç shkruan Manuali Mbretëror përkatës. Në kështjellën e Windsorit (ku zakonisht kalon fundjavën Mbretëresha), ndodhen 379 sahatë tavoline, 500 të tjera në pallatin e Buckingham-it dhe 89 në pallatin Hollyrood (rezidenca e Mbretëreshës në Skoci). do vit, në pranverë dhe në vjeshtë - kur ndërrohet ora-, disa dhjetra punonjës dhe shërbëtorë vihen në punë për të lëvizuar akrepat me qëllim që të tregojnë orën e re, thotë shefi i kontrollit të koleksionit mbretëror. Eshtë një punë “me sensibilitet, që kërkon të paktën 50 orë vëmendje”, shton.

Ndaje me miqte